SHKODËR - Gratë e familjeve të ngujuara nga fenomeni i gjakmarrjes do të mund të integrohen në shoqëri nëpërmjet projekteve të ndryshme. Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional në Shkodër ka filluar të bëjë kurse profesionale për gratë e ngujuara.
 
Aktualisht si hap i parë për integrimin e këtyre familjeve, janë përfshirë 24 gra. Më pas do të mund t’u gjendet edhe vendi i punës.
 
Sipas Drejtoreshës së kësaj qendre Meri Markici, kurset në të cilat do të trajtohen gratë e ngujuara janë kuzhinë, rrobaqepësi, parukeri.
 
Ndërsa mësuesja e fëmijëve të ngujuar Liljana Luani, shprehet se kjo mundësi do t’i ndihmojë këto familje që të shërojnë plagën e vjetër të gjakmarrjes.
 
Për të bërë të mundur ndjekjen e kursit, 24 gratë dhe vajzat do të shoqërohen çdo ditë.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)