Ecuria e diskutimeve mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian për raportin e vlerësimit për piketat e ndërmjetme dhe përgatitjen e qëndrimit të përbashkët mbi Shqipërinë për vijimin e bisedimeve, ishte një nga çështjet kryesore që opozita ngriti në komisionin e Jashtëm, ku përballë kishte kryenegociatoren Majlinda Dhuka, e cila raportoi mbi procesin e intergimit europian të vendit.

E ftuar në “Repolitix” me Denis Mingën në Report Tv, deputetja socialiste Sara Mila pati një përgjigje ndaj pretendimeve të opozitës, se procesi i integrimit po çalon për shkak se Kuvendi nuk autorizoi arrestimin e Belinda Ballukut nga SPAK.

“Nuk merret BE me një rast specifik, edhe sikur të ishte i vërtetë problem, gjë që nuk është sepse bëhet fjalë për një vendimmarrje brenda parlamentit shqiptar që nuk ndikon në proces”,- theksoi Mila.

Deputeti i Lëvizjes Bashkë në parlament, Redi Muçi, thotë se rendimenti i lartë i miratimit të ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, nuk konvertohet në impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Në këtë pikë, sipas tij, pyetja që ngrihet është se zgjidhja e problemeve të vendit gjendet në integrimin europian, apo para anëtarësimit.

“Nuk është problemi se sa shpejt firmosim ligjet dhe po ngremë krahun. Unë mendoj që Shqipëria ka shumë vite që pret anëtarësimin në BE. Jemi pro integrimit, ama çështja që shtrojmë është çfarë përfiton Shqipëria dhe sa nga problemet që ka Shqipëria i zgjidh brenda apo para se të futet në BE. Nëse më lejon, në seancën e radhës do të diskutohet raporti i klimës së investimit në Shqipëri nga DASH dhe aty flitet për korrupsion të gjithpërhapur, krim të organizuar, informalitet, dëmton ligjin e investitorëve strategjikë, flet për pastrimin e parave dhe të gjitha këto probleme që i dimë. Por kur i thotë DASH shtrohet pyetja: do zgjidhen para se të hyjmë në BE apo pasi të hyjmë në BE”,- tha Muçi.

Për rekrutimin e dhjetëra demokratëve dhe futja e tyre në radhët e socialistëve, ligjvënësja socialiste tha se “PS ka bërë një hapje të jashtëzakonshme duke qenë partia e gjithë shqiptarëve pa asnjë ngjyrim politik.”

Të njëjtin mendim ka edhe anëtari socialit i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Alfred Muharremi.

“Vijnë se PS po rezulton që është më demokratike se PD, një njeri që të përjashton, një parti nuk zbaton statutin e saj, që ka kritere të përjashtimit nga gara për arsye fetare. Çdo qytetari të thjeshtë të këtij vendi i intereson vetëm një gjë, kush ma bën shtetin mua, kush mi rrit të ardhurat në familjen time, kush më sjell më afër BE-së”,- tha Muharremi

Ndërsa avokati Rezart Kthupi thotë se antagonizmi mes partive politike në Shqipëri është inskenim dhe jo i vërtetë.

“Ai kryetar non grata i partisë tërë herës është mbështetësi më i madh i juaji( i PS), është ndihma më e madhe që ju keni, e ndani pushtetin bashkë dhe në mënyrë të vazhdueshme. Ju keni një meritë që arrini të ndani pushtet me Sali Berishën”,- tha Kthupi.