Memorandum mirëkuptimi me Spanjën! Xhaçka: Konsulencë për integrimin! Albares: Pranë jush në rrugën drejt BE

Shqipëria ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Spanjën në kuadër të bashkëpunimit në procesin e integrimit evropian. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka pritur në takim homologun spanjoll Jose Manuel Albares Bueno, me të cilin ka biseduar rreth integrimit të Shqipërisë në BE, për bashkëpunimin dypalësh si dhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Xhaçka u shpreh se deri në fund të 2023, Shqipëria parashikon të përfundojë procesin e screening për të gjithë grup-kapitujt e negocimit, ndaj e cilësoi të nevojshme mbështetjen e Spanjës në lehtësimin e diskutimeve në Këshill, për një vendim pozitiv për hapjen e grupit të kapitujve themelorë. Përmes memorandumit të nënshkruar mes 2 vendeve, Spanja do ofrojë shërbime konsulence dhe asistencë teknike për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian. 

“Ajo që e bën këtë vizitë domethënëse është momenti në të cilën ndodhemi se i paraprin marrjes së presidencës së Këshillit Europian nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit. Është provë e përkushtimit të Spanjës ndaj rajonit tonë dhe mbështetjes për integrimin europian. Ministri na prezantoi linjat kryesore, ndajmë mendimin se zgjerimi nuk është thjesht instrument por vetë esenca e unionit.

Deri në fund të këtij viti, Shqipëria parashikon të mbarojë procesin e screening. I kërkova që Spanja të na mbështesë dhe të lehtësojë diskutimet për hapjen e grupit themelor. Kemi rënë dakord edhe për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit për koordinimin sa më të mirë të punës të integrimit europian. Spanja do na ofrojë shërbime konsulence dhe asistencë teknike dhe do stimulojë tranzicionin e gjelbërt. Për qëllime të zbatimit të këtij memorandum, do përdoren dhe programe binjakëzimi dhe investime të tjera të Ballkanit Perëndimor.

 Shqipëria, veçanërisht gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit, ashtu si dhe Spanja, janë në krye të përpjekjeve për të mbështetur Ukrainën dhe për të rritur kostot, izolimin dhe vënien e Rusisë para përgjegjësisë për agresionin por edhe për krimet makabre që shtohen dita ditës ndaj popullit e territorit ukrainas. Në këtë këndvështrim është thelbësore që BE dhe Ballkani Perëndimor të jenë në harmoni të plotë ndërveprimi me njëri-tjetrin dhe dua ta theksoj që qasja strategjike e Spanjës ndaj rajonit tonë është veçanërisht e mirëpritur.

Sigurisht diskutuam edhe për çështjen e Kosovës e cila merr një rëndësi të veçantë, duke qenë një hallkë themelore për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit. Shqipëria është mirënjohëse për angazhimin e Bashkimit Europian dhe partnerëve tanë amerikanë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ne shpresojmë që marrëveshja do të zbatohet në një kohë sa më të shkurtër, pasi kjo do të kishte një ndikim shumë pozitiv për stabilitetin, por edhe bashkëpunimin rajonal, e sigurisht do të hapë edhe një perspektivë të re për një zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Por në ndërkohë, besojmë që është në të mirën e rajonit, por edhe të vetë BE, që me Kosovën të ketë një angazhim sa më të gjerë e sa më konstruktiv, përfshirë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, për të shmangur një izolim që do të kishte pasoja jo vetëm për Kosovën, por edhe për të gjithë ne”, tha Xhaçka në konferencën për media.

Edhe ministri spanjoll konfirmoi marrëdhënien mes 2 vendeve duke thënë se mbështetja e Spanjës për Shqipërinë do të jetë shumë gjatë aktive gjatë presidencës në KiE. Në fokus të bisedimeve ishte edhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Po ashtu folën edhe për të luftuar rrjetet kriminale.

“Falenderoj Oltën, mikpritjen e saj të shkëlqyer dhe bisedën e shkëlqyer që patëm. Folëm për marrëveshjet dhe bashkëpunimin bilateral dhe për faktin e presidencës së këshillit europianë. Firmosëm marrëveshjen për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve. Gjatë presidencës spanjolle të BE, ne do të mbështesim progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit. Erdha në Shqipëri si pjesë e një turi në vendet pro perëndimore. Mbështetja jonë për Shqipërinë, shumë aktive gjatë 6 mujorit të presidencës sonë. Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe BE janë temat që diskutuam.

Folëm për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, vizita ime shpreh interesin e Spanjës me Shqipërinë. Ne ndihmuam Shqipërinë me asistencë mjekësore gjatë pandemisë, me vaksina. Folëm, ndamë të njëjtin  mendim për agresionin brutal të Rusisë ndaj Ukrainës. Përmenda rolin e Shqipërisë, aktivizimin e saj në çështje të rëndësisë. Ne vlerësojmë vlerat e kartës së të drejtave të kombeve të bashkuara. Pjesë e bashkëpunimit është lufta që kryen policia spanjolle dhe ajo shqiptare për të luftuar rrjetet kriminale, narkotrafikun. Ka një bashkëpunim privat në sektorin turistik, uroj rritjen e kompanive spanjolle në Shqipëri. Ndajmë vlera të përbashkëta sa i takon dhe luftës ndaj terrorizmit, dhunës ndaj grave etj”, tha Jose Manuel Albares Bueno.

Në përfundim të takimit me Olta Xhackës, ministri spanjoll do të takohet edhe me kreun e qeverisë  Edi Rama ndërsa tha se po punon që të realizojë takim të kryeministrave të dy vendeve.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Mitsotakis nënshkruan kontratën, nis ndërtimi i rrugës Janina-Kakavijë me vlerë 310 milionë euro

Mitsotakis nënshkruan kontratën, nis ndërtimi i rrugës Janina-Kakavijë me vlerë 310 milionë euro