Bruksel/ Xhaçka takon Dendias, diskutohet 'Beleri': Të presim me durim fjalën e drejtësisë, asnjë qytetar shqiptar s'është mbi ligjin

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ishte sot në Bruksel për mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE dhe u takua me homologun grek Nikos Dendias. Biseda e tyre është përqendruar në çështjen e arrestimit të Fredi Belerit, kandidatit fitues të zgjedhjeve në Himarë por që është nën akuzë për blerje votash. Xhaçka thotë se gjatë bisedës u shpreh se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe.

"Kjo nuk është as çështje e të Drejtave të Njeriut, as politike, e jo më një çështje dypalëshe. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin. Blerja e votës është një shkelje e rëndë e ligjit tonë dhe çështja e tij tashmë është në gjykatë. E vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë atë", ka shkruar Xhaçka në lidhje me takimin. 

Ministria e Jashtme greke ka reaguar ashpër rreth vendimit të GJKKO-së për lënien në burg të Fredi Belerit, nën akuzën e blerjes së votave në Himarë. Në një reagim zyrtar thonë se është një goditje për drejtësinë publike dhe perceptimin evropian për shtetin e së drejtës.

"Zgjatja e paraburgimit të Fredi Belerit, tashmë i zgjedhur kryetar i Bashkisë Himarë, godet sensin e drejtësisë të publikut dhe perceptimin evropian të shtetit të së drejtës” shkruhet në reagim.

Këshilli i Punëve të Jashtme të BE u mblodh sot në Bruksel ku ministrat e vendeve anëtare diskutuan për situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zyrtarë të BE konfirmuan se temat kryesore që u diskutuan ishin procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, situata në Bosnje e Hercegovinë, bashkëpunimi rajonal dhe ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, kanë mbështetur sanksionet e BE kundër Rusisë, si dhe përshtatja e Serbisë me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme është zbehur. BE ka shprehur shqetësim edhe për kërcënimet në Bosnje e Hercegovinë për rrezikun e integritetit territorial nga lideri i Serbëve Milorad Dodik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:21
Xhaçka në Bruksel: Stabiliteti në rajon duhet të mbështetet fuqimisht nga BE

 

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, ka publikuar në rrjetet sociale disa foto nga takimet e nivelit të lartë që ka zhvilluar në Bruksel. Xhaçka thotë se në bisedat me homologët evropianë është vendosur theksi të stabiliteti në Ballkan dhe bashkëpunimi rajonal.

“Diskutim konstruktiv në Bruksel me Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor mbi sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe mënyrat se si të forcojmë bashkëpunimin tonë.  Stabiliteti në rajonin tonë është kritik në kontekstin aktual të sigurisë dhe duhet të mbështetet fuqimisht nga BE”, ka shkruar Xhaçka.

Ora 15:35
Olta Xhaçka zbardh bisedën me Dendias për 'Beleri-n': Çështje gjyqësore, s'duhet të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe

1684762601_oltaxhakanikosdendias.jpeg

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka zbardhur bisedën me ministrin Nikos Dendias për cështjen e Fredi Belerit.

"Bruksel, takimi me mikun dhe kolegun tim, Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias ishte një mundësi shumë e mirë për të diskutuar mbi çështjen “Beleri”.

Theksova qartazi se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kemi hapur në marrëdhëniet tona dypalëshe.

Kjo nuk është as çështje e të Drejtave të Njeriut, as politike, e jo më një çështje dypalëshe. Z. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin.

Blerja e votës është një shkelje e rëndë e ligjit tonë dhe çështja e tij tashmë është në gjykatë.

E vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë atë", tha Xhaçka.

Ora 14:30
Arrestimi i Fredi Belerit, Nikos Dendias takohet me Olta Xhaçkën

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias u takua me ministren e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka në margjinat e Këshillit të Punëve të Jashtme në Bruksel. Ashtu siç ishte paralajmëruar, gjatë diskutimit është folur edhe për arrestimin e Fredi Belerit. Foto e takimit janë ndarë nga ministria e Jashtme Greke.

“Në margjinat e takimit të sotëm të BE në Bruksel, Nikos Dendias u takua me homologen e Shqipërisë Olta Xhaçka. Gjatë diskutimit u ngrit çështja për kryetarin e zgjedhur të Bashkisë Himare, Fredi Beleri”, shkruan ministria Greke.

 

Ora 12:18
Dendias në Bruksel: Do të ankohem për arrestimin e Fredi Belerit! Do të kem bisedë interesante me Olta Xhaçkën

 

Ministri i Jashtëm i Greqisë, , Nikos Dendias, i cili merr pjesë sot në në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së ka deklaruar se në takimin me kolegët e Ballkanit Perëndimor do të ankohet për arrestimin e fituesit të zgjedhjeve për Bashkisë Himarë, Fredi Beleri. Ai thotë se do të ketë edhe një takim me homologen shqiptare Olta Xhaçka, me të cilën paralajmëron një bisedë interesante pas zhvillimeve të fundit.

“Sot do të diskutojmë me kolegët në Këshill për çështjen e Ballkanit Perëndimor. Do të shfrytëzoj rastin për të ngritur qartë çështjen e ndalimit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, z. Beleris. Dhe prej andej, kam ndërmend të takohem më pas me homologen time shqiptare. Mendoj se do të jetë një bisedë shumë interesante”- tha Dendias.

Ora 08:58
Xhaçka sot në Bruksel, pjesë e takimit informal të ministrave të jashtëm të BE me ato të Ballkanit! Takim edhe me Oliver Varhelyi

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, merr pjesë sot në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE me Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Këshillit të Çështjeve me Jashtë të BE-së, në Bruksel.

Në këtë takim do të trajtohen çështje të bashkëpunimit rajonal, integrimit evropian, çështje të sigurisë etj.

Pas takimit, kryediplomatja shqiptare Xhaçka do të zhvillojë edhe një takim dypalësh me Komisionerin Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'