Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026 paraqet një vlerësim përgjithësisht pozitiv për ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transformimin digjital, energjinë dhe politikën ekonomike.
"Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027", thotë raporti.
Në 127 faqe raport të siguruar nga Report Tv, KE thotë se objektivi për mbylljen e negociatave në 2027-ën është i arritshëm, por gjithsesi ngre disa problematika. Ndonëse vlerëson punën poziitve në SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, KE thotë se sfidë reale për vendin tonë që duhet adresuar mbetet korrupsioni.
Raporti ndalet edhe te mos heqja e imunitetit të ish-zvkryeministres Belinda Ballukut, duke e cilësuar si shqetësim për funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës mes pushteteve.
Protestat në Tiranë përmenden edhe në progres raportin për Shqipërinë, ku theksohet se ato u nxitën nga shqetësimet mjedisore lidhur me investimin e huaj në Zvërnec dhe u shndërruan në një lëvizje më të gjerë për transparencë, llogaridhënie, masa kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë.
“’Ky është mobilizimi më i madh qytetar në Shqipëri që nga tranzicioni demokratik i vendit, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës që iu bashkuan protestës në kulmin e saj”, thuhet në raport, duke theksuar se deri më tani nuk është zhvilluar asnjë dialog dhe se “të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t'u angazhuar në një dialog konstruktiv”.
Lajmi në përditësim....
Kliko këtu per të lexuar Progres Raportin

Komisioni Europian kërkon një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, duke e cilësuar atë urgjentisht të nevojshme.
“Kuadri ligjor dhe institucional për zgjedhjet është përgjithësisht i përshtatshëm. Megjithatë, disa rekomandime të kahershme të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dhe Komisionit të Venecias mbeten të paadresuara. Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027”, thuhet në progres raport.
Fakti që Belinda Ballukut, e pandehur nga SPAK, nuk iu hoq imuniteti, për Komisionin Europian kjo ngre shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.
Në progresraportin për Shqipërinë, Komisioni Europian vlerëson se mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit mbeti e dobët dhe evidenton refuzimin e kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore.
Pjesë nga progresraporti për Shqipërinë
Mbikëqyrja e ekzekutivit nga Parlamenti mbeti e dobët. Në shtator 2025, nuk u zhvillua asnjë debat domethënës mbi programin e qeverisë së re. Paraqitjet e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në seancat e pyetjeve parlamentare ishin të parregullta.
Shumica e nismave legjislative u paraqitën nga Këshilli i Ministrave. Edhe në rastet kur nismat paraqiteshin nga Parlamenti, ato vinin kryesisht nga partia në pushtet. Kjo dobësoi rolin dhe përgjegjësinë e Parlamentit në procesin legjislativ, si dhe kufizoi dialogun ndërmjet forcave politike.
Kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare u refuzuan sistematikisht, pa u zhvilluar asnjë debat.
Pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeti, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Kjo ngre shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve, si dhe respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit.

Në progres raportin për Shqipërinë për vitin 2026 janë përfshirë edhe protestat e të ashtuquajturit “Revolucioni flamingo”, si edhe protesta e dhunshme që përfshinë vendin ditët e fundit. Komisioni Europian thotë se protestat nisën nga shqetësimet mjedisore për resortin në Pishë Poro–Nartë. Raporti evidenton aktet e dhunës në protesta dhe pretendimet për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve e gazetarëve. KE u kërkon të gjitha palëve të angazhohen në dialog konstruktiv.
Pjesë nga progres raporti
Që nga maji i vitit 2026, në Tiranë po zhvillohen protesta të përditshme. Ky është mobilizimi më i madh qytetar që prej tranzicionit demokratik të Shqipërisë, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në kulmin e protestave. Ato nisën për shqetësime mjedisore të lidhura me punimet e ndërtimit në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe kërkuan më shumë transparencë në dhënien e lejeve për projekte të përmasave të mëdha, përfshirë konsultimin me popullsinë vendase.
Protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe partisë kryesore të opozitës, duke kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe mirëqeverisje. Ato ngritën gjithashtu shqetësime për koston e jetesës dhe mungesën e investimeve në fusha si arsimi dhe shëndetësia.
Në shtator të vitit 2026, qeveria ndërmori një nismë për përmirësimin e procesit të konsultimit publik dhe të aksesit në informacion.
Në vijim të lëvizjes qytetare, në tetor të vitit 2026 u zhvilluan protesta të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave pati incidente të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Protestuesit shkatërruan prona publike dhe private, ndërsa më pas u ngritën pretendime për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv.
Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim të mirë në luftën kundër korrupsionit, duke evidentuar pavarësinë e SPAK dhe rezultatet pozitive në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, në raportin e siguruar nga Report Tv thuhet se korrupsioni mbetet një sfidë reale.
Pjesë nga progresraporti:
Komisioni vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim të mirë në luftën kundër korrupsionit.
SPAK vlerësohet për pavarësinë e treguar dhe rezultatet pozitive në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
Megjithatë, korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë reale për Shqipërinë.
Komisioni kërkon:
- Më shumë vendime gjyqësore të formës së prerë në çështjet e korrupsionit të profilit të lartë.
- Sekuestrim dhe konfiskim përfundimtar të pasurive që burojnë nga korrupsioni.
- Më shumë referime proaktive nga institucionet shtetërore drejt prokurorisë.
- Verifikim më efektiv të deklarimeve të pasurisë dhe konflikteve të interesit.
- Zbatim të masave parandaluese në sektorët me rrezik të lartë korrupsioni.
- Forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.









Komente
Komento