Integrimi në BE, David McAllister në Tiranë: Shqipëria plotëson kushtet për negociatat! Nuk mund të ecet para pa një opozitë konstruktive

TIRANË- Bashkimi Europian nuk ka kohë për të humbur për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Kështu deklaroi në një vizitë zyrtare në Tiranë, kryetari i Komitetit për Punën e Jashtme në Parlamentin Europian David McAllister, i cili tha se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Në fjalën e tij, zyrtari i lartë i BE-së tha qartë se gjuha e urrejtjes dhe retorika përçarëse ndërmjet palëve politike në vend, do të pengojë procesin e integrimit. Pa një opozitë të fortë dhe konstruktive, tha Mcallister, nuk mund të ketë ecuri në zbatimin e reformave për të mirën e qytetarëve. Ai kërkoi bashkëpunim konstruktiv politik.

David Mcallister, njëkohësisht edhe zv.president i Partive Popullore Evropiane, (Partitët e Qendrës së Djathtë në Evropë) tha se po ndjekin me vëmendje, zhvillimet politike brenda Partisë Demokratike. I pyetur nëse do të bashkëpunojë me Sali Berishën, i shpallur non grata, Mcallister, nuk u prononcua, por tha se javën e ardhshme do të ketë një konferencë në Roterdam dhe mbledhje të asamblesë së partisë, ku pritet të diskutohet edhe për këtë çështje.

Sa i përket shqetësimit për deklaratat e Ramës në Bruksel që Shqipëria të shkëputet nga Maqedonia e Veriut nëse nuk ka përgjigje pozitive në qershor, McAllister tha se gjithmonë politikanët kanë plane të tjera, por mbetet për t'u parë çfarë do të ndodhë muajin në vijim.

Sakaq zhvillime spektakolare, i cilësoi zyrtari i lartë i BE-së, arrestimet e dy ish-ministrave Lefter Kokës dhe Saimir Tahirit, ku tha se kjo tregon se autoritetet shqiptare e kanë marrë seriozisht luftën e saj kundër krimit dhe korrupsionit.

Siparin e takimeve me krerët e politikës shqiptare, McAllister e nisi me kryeministrin Edi Rama, pasditen e së hënës, me të cilin diskutuan për reformat gjyqësore dhe reformat e tjera, rekomandimet e rezolutës së PE dhe integrimin rajonal.

Ndërsa mëngjesin sotëm delegacioni u prit nga presidenti Ilir Meta, i cili tha se kanë folur për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Meta thotë se i bëri të qartë se shqiptarët besojnë tek projekti europian për të ardhmen e tyre më të mirë.

Mcallister u takua edhe me Jorida Tabakun, e cila është kryetarja e Komisionit për Integrimin në BE. Kjo e fundit i tha diplomatit evropian se Shqipëria s'i ka përmbushur kushtet, por do të bëjmë të pamundur që të vijojë progresi për konferencën e parë ndërqeveritare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:04
Investim i Bashkimit Europian, McAllister inspekton shkollën ‘Sherif Dervishi’ në Krujë

Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, David James McAllister ka zhvilluar një vizitë në shkollën 9-vjeçare “Sherif Dervishi" në Krujë. Shkolla është ndërtuar me mbështetjen e Bashkimit Europian.

“Ditën e sotme, Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, z. David James McAllister, Anëtarët e Parlamentit Evropian Željana Zovko dhe Thomas Waitz, si dhe përfaqësues nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe #UNDPAlbania zhvilluan një vizitë pranë shkollës 9-vjeçare dhe kopshtit "Sherif Dervishi" në Budull, Krujë. Ata panë nga afër dhe bashkëbiseduan me nxënës e mësues që gëzojnë një shkollë të standardeve më të larta evropiane dhe se si u ka ndryshuar jeta e përditshme që prej rindërtimit të shkollës falë Programit "EU4Schools". 27 fëmijë të kopshtit, 119 nxënës, 14 mësues dhe rreth 2,500 banorë të komunitetit kanë tashmë një institucion arsimor, që përgatit qytetarët evropianë të së ardhmes!

Pjesëmarrësit në këtë vizitë patën një ndërveprim aktiv me nxënësit e mësuesit rreth infrastrukturës shkollore, palestrës, fushës sportive e laboratorëve të reja, si dhe zhvilluan njëkohësisht një bashkëbisedim shumë interesant rreth fushatës #ILoveMySchool, mjedisit, ndryshimeve klimaterike e integrimit evropian të Shqipërisë. Ndër të tjera, u njohën edhe me ecurinë e deritanishme të programit nëpërmjet ekspozitës lëvizëse #EU4Schools, si dhe portalin ???? www.eu4schoolsportal.al - ky i fundit një kanal shumë i rëndësishëm transparence e llogaridhënieje që lidh programin me publikun shqiptar dhe palët e interesuara. 23 objekte arsimore janë rindërtuar ose riparuar deri më tani në kuadër të #EU4Schools, duke i shërbyer drejtpërdrejtë 7,325 fëmijëve/nxënësve dhe 445 mësuesve”, shkruan UNDP Albania.

Ora 13:46
Tabaku takon McAllister: Shqipëria s'i ka përmbushur kushtet, por do të bëjmë të pamundur që të vijojë progresi për konferencën e parë ndërqeveritare

1653392824_30a3f90a3c2e4e64a0514c7056683145.jpg

Kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian, Jorida Tabaku zhvilloi sot  McAllister dhe përfaqësues të Parlamentit Europian, ku u diskutua mbi rezolutën për Shqipërinë të Parlamentit Europian.

Tabaku vuri theksin tek problemet që ishin prekur në Rezolutë.

"Si fillim, që ndryshimi i Kodit Zgjedhor, vetëm pak kohë para zhvillimit të zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021, që rezoluta e cilësoi të njëanëshëm. Problem tjetër është dhe përdorimi i pushtetit, strukturave dhe burimeve njerëzore nga qeveria, publikimi i database me të dhënat e zgjedhësve. Lufta ndaj korrupsionit dhe sjellja e njerëzve të pushtetit para drejtësisë ngelet beteja kryesore e opozitës. Ne ishim pro Reformës në  Drejtësi në fillim, por tani vërejmë që ajo nuk po implementohet siç duhet. Shqipëria nuk ka përmbushur kriteret, por ne do bëjmë të pamundurën që të vazhdojë progresi për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare, pasi konferenca do të tregojë ku është Shqipëria në procesin e integrimit dhe jo të fshihemi pas vetos bullgare”, tha Tabaku

Ora 13:34
Arrestimi i Kokës dhe Tahirit, Mcallister: Zhvillime spektakolare, tregon se Shqipëria e ka marrë seriozisht luftën kundër korrupsionit

1653391345_mcallister.jpg

Kreu i Komitetit për Punën e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAlliste u pyet gjatë konferencës së tij në Tiranë në lidhje me arrestimin e dy ish-ministrave në vend, Saimir Tahirin dhe Lefter Kokën.

‘Kjo tregon se autoritetet në Shqipëria e kanë marrë seriozisht luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Këto kanë qenë zhvillime spektakolare. Na tregon se autoritete ligjore janë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.’- tha Mcallister.

Ora 13:31
A e njihni Berishën si kryetar të PD-së? Përgjigja e kryetarit të Komitetit të Jashtëm

1653391345_mcallister.jpg

Kryetari i Komisionit të jashtëm të PE David Mc.Allister nuk ka dashur të prononcohet për situatën në PD dhe zgjedhjen e Sali Berishës kreun e kësaj force, teksa shtoi se javën e ardhshme do të ketë një konferencë në Roterdam, ku pritet të diskutohet edhe për Shqipërinë.

“Jam këtu si kreu i delegacionit për çështjet e jashtme. Nuk është vendi këtu për të komentuar për zhvillimet e brendshme të Partsië Demokratike. Do të kemi javën që vjen një konference në Roterdam javën që vjen, jam i sigurt se do të bisedojmë dhe për çështjet me Shqipërinë.”, tha kryetari i  Komitetit të Jashtëm te parlamentit europian.

Ora 13:25
Je i shqetësuar për deklaratat e Ramës për ndarje nga Maqedonia e Veriut? McAllister: Politikanët kanë plane, të shohim se çfarë ndodh deri në fund të qershorit

 

Kreu i Komitetit për Punën e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister është pyetur nëse veto bullgare është e vetmja pengesë për Shqipërinë duke thënë se vijojnë thirrjet që të nisin menjëherë negociatat.

“Citoj nga rezoluta jonë e Parlamentit për këtë cështje se ka rëndësi. "PE ndjen keqardhje për vonesat në çeljen e negociatave me Shqiperine dhe Maqedonine e Veriut. Theksojmë solidaritetin e plotë me qytetaret e dy vende e konsiderojmë këtë dështim që është një rrezik i vërtetë për politikën e zgjerimit e dëmton dhe reputacionin e BE si një aktor i besueshëm gjeopolitik". PE vazhdon që të bëjë thirrje që të ketë fillim të menjëherëshëm të negociatave për anëtarësim. I kemi kërkuar Këshillit që të ruajë besueshmërinë duke çelur negociatat me 2 vendet pasi i kanë përmbushur kushtet dhe i bëjmë thirrje këtyre vendeve që të vijojnë të japin rezultate. Le të shohim se cfarë do të ndodhë gjatë javëve në vijim dhe jemi të fokusuar që të përfundohet plani A”, tha McAllister.

Sa i përket shqetësimit për deklaratat e Ramës në Bruksel që Shqipëria të shkëputet nga Maqedonia e Veriut nëse nuk ka përgjigje pozitive në qershor, McAllister tha se gjithmonë politikanët kanë plane të tjera, por mbetet për tu parë cfarë do të ndodhë muajin në vijim.

“Për momentin jemi të angazhuar për përmbushjen e planit A, por politikanët kanë edhe plan B e C. Për momentin ne po pëqendrohemi që të përmbushemi tek plani A, le të shohim se cfarë do të ndodhë deri në fund të qershorit”, tha McAllister.

Ora 13:22
Mcallister në Tiranë: Shqipëria ka përmbushur kushtet! Retorika përçarëse dhe gjuha e urrejtjes ndërmjet palëve politike pengon procesin e integrimit drejt BE-së

Kreu i Komitetit për Punën e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAlliste në vizitën e tij në Tiranë në kuadër të integrimit të vendit në BE, tha se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet. Mcallister, i bëri thirrje opozitës që të jetë bashkëpunuese pasi gjuha e përçarjes dhe urrejtjes ndikon në integrimin e vendit.

‘Kemi pasur disa takime. Kishim takim me Metën, Ramën dhe Jorida Tabukun e cila është edhe kryetarja e komunitetit për integrimin e BE-së. Shqipëria është një anëtare e vlerësuar dhe e vlefshme e familje sonë Evropaine, një aleate që ka kryer një rol kyç për çështjen e sigurisë së Europën. Falenderoj Shqipërinë për angazhimin e saj të fortë për integritetin atlantik sa i përket sanksioneve në luftën në Ukrainë.

Së pari BE nuk ka kohë për të humbur për çeljen e negociuarave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi të dyja vendet kanë përmbushur kushtet e nevojshme. Të gjitha përpjekjet diplomatike po bëhen për ta kryer procesin.

Shqipëria nuk ka kohë për të humbur për të vijuar reformat në të mirë të qytetarëve. Duhet bashkëpunim konstruktiv politik dhe konkurrencë, zgjedhje me garë të plotë. Retorika përçarëse dhe gjuha e urrejtjes do të ngecë procesin. Palët politike të angazhohen në mënyrë konstruktive. Nuk mund të ketë ecuri pa patur një opozitë të fortë dhe konstruktive. Vetëm atëherë do të merren parasysh. Shqipëria ka arritur progres të konsiderueshëm edhe në Reformën në Drejtësi.'- tha Mcallister.

Ora 11:26
Presidenti Meta takon McAllister: Ka rëndësi parësore çelja e negociatave! Duhet përmirësim urgjent i integritetit të zgjedhjeve dhe luftës ndaj korrupsionit

Presidenti Ilir Meta është takuar me delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian të drejtuar nga kryetari David McAllister, me të cilin ka folur për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Meta thotë se i bëri të qartë se shqiptarët besojnë tek projekti europian për të ardhmen e tyre më të mirë.

“I falenderova për rikonfirmimin e mbështetjes ndaj perspektivës për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, veçanërisht në kushtet kur rajoni ynë gjendet nën presionin e pasojave të argesionit të paprovokuar rus kundër Ukrainës. I sigurova se shqiptarët vazhdojnë të besojnë tek projekti europian, i alternativën e tyre më të mirë dhe të vetme për një të ardhme të paqtë e të begatë. Vlerësova qasjen realiste që Parlamenti Europian ka ndaj situatës në Shqipëri, duke mbështetur plotësisht shqetësimet serioze të adresuara në rezolutën e 19 majit”, tha Meta.

Me anë të një postimi në Facebook, Meta thotë se gjatë bisedës me McAllister, theksoi domosdoshmërinë e forcimit të institucioneve demokratike. Në takimin me kreun e Komisionit të PE, kreu i shtetit ka përsëritur sërish se në vendin tonë ka nevojë urgjente për përmirësim të lirisë së mediave, integritetit të zgjedhjeve dhe luftës kundër korrupsionit.

“Nevojitet përmirësim urgjent i llogaridhënies në çdo nivel, lirisë së medias, integritetit të zgjedhjeve, luftës kundër korrupsionit dhe gjithë problematikave të tjera, që lidhen me bllokun më të rëndësishëm të çështjeve thelbësore. Theksova domosdoshmërinë e forcimit të institucioneve demokratike, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, si shtyllat kryesore të funksionimit të shtetit në një vend që aspiron anëtarësimin në BE.

Çelja sa më parë e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka rëndësi parësore, si për vendet tona ashtu edhe për vetë BE, për të siguruar transformimin demokratik përmes reformave të vërteta dhe të pakthyeshme”, shkroi Meta.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Çiklizëm/ 'Giro d’Italia' 2025 fillon nga Shqipëria me tre etapa, kryeministri Rama dhe organizatorët prezantojnë detajet! Garohet në Tiranë, Durrës dhe Vlorë

Çiklizëm/ 'Giro d’Italia' 2025 fillon nga Shqipëria me tre etapa, kryeministri Rama dhe organizatorët prezantojnë detajet! Garohet në Tiranë, Durrës dhe Vlorë