Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, i ka dërguar një letër Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, ku kërkon informacion mbi bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri në kuadër të procesit të integrimit europian. Reagimi vjen pas një letre të dërguar nga deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila ngre shqetësime për mënyrën e funksionimit të parlamentit dhe përfshirjen e opozitës në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.

Në letrën e tij të datës 7 maj 2026, McAllister thotë se Tabaku ka paraqitur pretendime për mungesë transparence dhe konsultimi nga ana e institucioneve shqiptare lidhur me procesin e integrimit. Sipas përmbajtjes së letrës, deputetja demokrate pretendon se opozita, shoqëria civile dhe publiku nuk kanë akses të plotë në informacionin që lidhet me negociatat e anëtarësimit në BE. Ajo shpreh shqetësimin edhe për mënyrën e ndarjes së projektligjeve dhe raportimit të qeverisë ndaj parlamentit për procesin e integrimit dhe përdorimin e fondeve europiane.

Bazuar në këto shqetësime, McAllister i kërkon Komisionit Europian një vlerësim për marrëdhënien aktuale mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri, si edhe për mënyrën se si garantohet roli i opozitës në funksionin e saj kushtetues. Në letër, ai thekson se Shqipëria konsiderohet një nga vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit dhe se negociatat duhet të zhvillohen mbi bazën e standardeve demokratike, transparencës dhe meritës.

McAllister shton se ruajtja e këtyre standardeve është e rëndësishme edhe për besueshmërinë e vetë procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.

Letra e plotë e McAllister 

"E nderuar Komisionere, e dashur Marta Kos,

Së fundmi kam marrë një letër nga zonja Jorida Tabaku, anëtare e Parlamentit të Shqipërisë dhe bashkëkryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian të Shqipërisë. Në letrën e saj, zonja Tabaku përshkruan mangësi serioze brenda sistemit parlamentar shqiptar. Sipas saj, opozita shqiptare, shoqëria civile dhe publiku i gjerë janë kryesisht të përjashtuar nga rrjedhat kryesore të informacionit lidhur me perspektivën e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.

Zonja Tabaku thekson se shqetësimi i saj më i madh lidhet me mënyrën jo në kohë dhe jo të plotë me të cilën qeveria ndan propozimet ligjore, si edhe me mungesën e përgjithshme të konsultimit me Parlamentin shqiptar. Më tej, ajo pretendon se Këshilli i Ministrave i Shqipërisë nuk po përmbush detyrimin për të informuar rregullisht Parlamentin kombëtar mbi progresin e negociatave të anëtarësimit, përdorimin e fondeve të BE-së dhe zbatimin e reformave që lidhen me integrimin.

Zonja Tabaku arrin në përfundimin se këto dinamika jo vetëm që sjellin një debat të kufizuar publik mbi zgjerimin, por gjithashtu kufizojnë në përgjithësi rolin e Parlamentit shqiptar si institucion kushtetues i mbikëqyrjes dhe kontrollit demokratik. Ajo shpreh shqetësimin se zhvillimet në vijim mund të çojnë drejt një procesi integrimi të drejtuar nga ekzekutivi, që përjashton opozitën dhe për rrjedhojë vë në pikëpyetje mekanizmat bazë demokratikë.

Bazuar në letrën e saj, dëshiroj të parashtroj pyetjet e mëposhtme. Cili është vlerësimi i Komisionit Europian për bashkëpunimin aktual mes qeverisë dhe opozitës parlamentare në Shqipëri? Si mund të garantojë Komisioni Europian që opozita shqiptare të jetë në gjendje të ushtrojë të drejtat e saj themelore dhe të kryejë funksionin e saj si institucion kontrolli?

Kam besim se ju po monitoroni nga afër gjendjen e demokracisë shqiptare. Si një vend që konsiderohet “pararojë”, është jashtëzakonisht e rëndësishme që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë të ndjekë logjikën themelore të një procesi të bazuar në meritë dhe standardet më të larta të integritetit. Çdo devijim nga kjo qasje mbart rrezikun e dëmtimit dhe minimit të besueshmërisë së rrugës së Bashkimit Europian drejt zgjerimit.

Me këtë në mendje, dëshiroj t’ju falënderoj për angazhimin tuaj të vazhdueshëm ndaj proceseve të zgjerimit të Bashkimit Europian.”

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë