Bashkimi Europian ka vendosur të hapë “thesin” për fermerët, peshkatarët dhe transportuesit rrugorë, që janë goditur fort nga rritja e çmimeve pas luftës me Iranin. Kompanitë do të mund të përfitojnë deri në 50 mijë euro secila për të përballuar kostot shtesë të karburantit dhe plehrave kimike.
Sipas planit të ri, Komisioni Europian do të mbulojë deri në 70% të rritjes së çmimeve për këto sektorë, në një përpjekje për të shmangur falimentime masive.Masat janë menduar si emergjente dhe do të zbatohen deri në fund të vitit. Procedurat janë thjeshtuar maksimalisht teksa bizneset e vogla nuk do të kenë nevojë as të dorëzojnë fatura për karburantin.
Zëvendëspresidentja e Komisionit, Teresa Ribera, tha se këto ndihma mund të jenë vendimtare. “Për shumë biznese është çështje mbijetese apo dorëzimi,” u shpreh ajo, duke shtuar se institucionet janë në gatishmëri për të reaguar kur është e nevojshme. Kriza nisi pas përshkallëzimit të luftës mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit në shkurt, që çoi në rritje të fortë të çmimeve të naftës dhe gazit. Vetëm në mars, çmimet e plehrave kimike u rritën me 61%, për shkak të bllokimit të ngushticës së Hormuzit dhe ndërprerjes së furnizimeve.
Ndërkohë, gjiganti francez i energjisë TotalEnergies raportoi rritje me 51% të fitimit neto në tremujorin e parë, duke arritur në 5.8 miliardë dollarë, një shifër që ka ndezur kritika. Organizatat mjedisore dhe të konsumatorëve reaguan menjëherë. Reclaim Finance tha se “fitimet e luftës tregojnë varësinë tonë nga karburantet fosile”, ndërsa Greenpeace France e quajti situatën “logjikë cinike”, ku qytetarët paguajnë çmimin e lartë.
Paketa e BE-së përfshin edhe industri të mëdha që konsumojnë shumë energji, si çeliku, kimikatet dhe transporti hekurudhor, të cilat mund të përfitojnë deri në 70% të kostove shtesë të energjisë elektrike. Masat shtrihen në sektorët e bujqësisë, peshkimit (përfshirë akuakulturën) dhe transportit, nga rrugët te hekurudhat dhe transporti detar brenda BE-së.
Për momentin, linjat ajrore dhe aeroportet nuk përfshihen në këtë paketë, por BE nuk e përjashton mundësinë e ndërhyrjeve të tjera në të ardhmen. Sipas Komisionit, kjo skemë e përkohshme – e quajtur METSAF – synon të ndihmojë sektorët më të ekspozuar nga kriza në Lindjen e Mesme, me një qasje të shpejtë dhe më pak burokraci, edhe pse mbetet rreziku i abuzimeve.
Komente










