Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, është shprehur se nuk e shikon si zhvillim pozitiv anëtarësimin e Shqipërisë në BE pa të drejtë vetoje.

Komentet Muçi i bëri në emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se nuk i intereson shqiptarëve që BE të anëtarësojë një vend të korruptuar si Shqipëria për interesa të vetë Unionit, në kategorinë e dytë të tij.

"Në radhë të parë vetë vendet e BE-së dhe vetë BE ndodhen në një krizë të thellë. Krizë që lidhet që me vendet e caktuara, Gjermania me krizën e industrisë së automjeteve. Me tarifat me marrëdhënien që kanë me Amerikën, me faktin që janë pas në aspektin teknologjik. Ndërkohë ekstremi i djathtë po vjen në pushtet në vende si Gjermania e Franca dhe po merr Parlamentin Europian. Në kuadër të këtyre surprizave të shumta, BE po përpiqet të paraqesë imazhin e zgjerimit e fuqizimit përmes pranimit të vendeve si Shqipëria dhe Mali i Zi.

Fakti që BE nuk ka mbajtur realisht një qëndrim kritik ndaj qeverisë së Edi Ramës, në lidhje me ligje shkatërrimtare si ai i investitorëve strategjikë, ai i zonave të mbrojtura dhe paketës së maleve, duket sikur duke e ndarë në 2 kategori, pra vende të kategorisë së parë që përbëjnë ato yjet e BE-së dhe vendet e kategorisë së dytë. Unë s'do doja të isha vend i kategorisë së dytë, aq më tepër në një BE të mbizotëruar nga ekstremi i djathtë. Edi Rama është antivlera e asaj që supozohet të jetë BE. Nëse BE për interesat e veta gjeopolitike detyrohet të fusë edhe një vend të korruptuar në kategorinë e dytë të saj, nuk e di kujt i shërben kjo. Nuk e shoh si do përfitojë Shqipëria", tha mes të tjerash Muçi.


Lajmi kryesor:

Kreu i SHISH nën arrest/ Salianji rrëfen për Report Tv njohjen me Hysenin: E vetmja shefe shërbimi që u jepte informacione sekrete grupeve kriminale, as në skenarë filmash nuk ndodh