Në raportin e qeverisë mbi procesin e anëtarësimit dhe integrimit të Shqipërisë në BE për vitin 2025-2026, pasqyrohet objektivi për plotësimin e kushteve përmbyllëse për 10 kapituj brenda vitit 2026-2027.
Tre kapitujt 30-‘Marrëdhëniet me Jashtë’, 25-“Shkenca dhe Kërkimi Shkencor” dhe 26-“Arsimi dhe Kultura”, konsiderohen si të arrira dhe se kërkesat teknike janë përmbushur. Ndërkohë kapitujt 6,7,20, dhe 32, kanë progres të avancuar dhe do të konsiderohen të përmbushur në muajt pasardhës.
Në kapitujt 4,5, dhe 21 puna vijon me prioritet dhe përmbushjen e kushteve teknike.
Drejtësia
Në raportin mbi procesin e anëtarësimit dhe integrimit të Shqipërisë në BE për vitin 2025-2026, thuhet se është bërë progres në forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, në rritjen e vlerësimit për gjyqtarët e prokurorët, është evidentuar ulje e çështjeve të prapambetura.
Referuar punës së SPAK, në raport thuhet se është vërejtur rritje në numër dhe cilësi sa i përket referimit të çështjeve lidhur me korrupsionin dhe krimit të organizuar.
Sa i përket kushteve të ndërmjetme, në raport thuhet se Shqipëria ka avancuar me plotësimin e 24 piketave të përcaktuara për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
“Këto kushte përbëjnë pikat kyçe në negociatat e anëtarësimit, për të garantuar një ecuri të qëndrueshme dhe të besueshme veçanërisht në fushat e Shtetit të së Drejtës, reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut”, thuhet në raport.
Çështja e harmozimit të legjislacionit
Çështja e harmonizimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, mbetet një prej hallkave kryesore për anëtarësim. Krahasuar me vitin 2024 ku janë miratuar vetëm 82 akte, në vitin 2025-2026 janë miratuar në Kuvend 222 akte ligjore, duke treguar rritje të ndjeshme të aktivitetit normativ.
“Ky intensifikim tregon se procesi i përafrimit ka kaluar nga një fazë relativisht më e përgjithshme legjislative (në vitin 2024), drejt një faze shumë më të targetuar të transformimit evropian të vendit, me natyrë teknike, sektoriale dhe të orientuar drejt rezultateve, duke u udhëzuar nga prioritet e bisedimeve të negociatave, tashmë të qarta dhe të dakordësuara me BE për çdo fushë/kapitull, ku kërkohet:
• harmonizim i detajuar rregullator,
• ngritje mekanizmash zbatues,
• dhe forcim i kapaciteteve institucionale dhe atyre të tregut e më gjerë sistemit shoqëror”, thuhet në raport.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Lajmi në përditësim...
Komente











