Komisionerja e BE në Tiranë: E meritoni integrimin, reforma në drejtësi gur themeli! Rama: Rruga jonë e vetme Europa! Batuta me Kos: Duam lekët tona (VIDEO)

TIRANË-Shqipëria është në rrugën e duhur, e meriton dhe e ka një vend në Bashkimin Evropian. Me këtë mesazh komisionerja e re për Zgjerim Marta Kos e nisi vizitën e saj të parë në Tiranë.

“Vendi juaj ka ecur vërtet shumë mirë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Me shumë dëshirë duam që Shqipëria të bëhet pjesë e BE dhe ju e meritoni. Sepse me ju brenda Bashkimit Europian, Europa nuk do të jetë thjeshtë më e madhe, por edhe më e fortë. Ju jeni ishull stabiliteti, shembull I fqinjësisë së mirë në rajon dhe kjo është ndonjëherë diçka që ne e harrojmë”, tha Kos.

Ambicia për ta integruar Shqipërinë në BE brenda 2030-ës, kryeministri Rama thotë se duhet të vijë edhe me mbështetje financiare, dhe kërkesat për Brukselin i kishte konkrete.

“Parlamenti i Shqipërisë ka në tryezë sot marrëveshjet financiare për Planin e Rritjes që i hapin rrugë dhe fillimit të financimit të fondeve që janë rreth 1 miliardë euro të dedikuara për Shqipërinë. Kështu që, e dashur Marta ne duam leket tona”, tha Rama.

Për fondet e para-anëtarësimit, komisionerja Kos kërkon zbatimin e reformave, ndërsa vet thotë se do të jetë në krye të një fushate për ta njohur e prezantuar Shqipërinë me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

“Ne do të fillojmë një fushatë komunikimi, ku me anë të së cilës dëshirojmë të tregojmë se përse Shqipëria do të bëhet, jo vetëm shtet anëtar i Bashkimit Europian, por çfarë vlere të shtuar do t’i sjellë Shqipëria Bashkimit Evropian, pra nëse ju bëheni pjesë e familjes tonë. Së shpejt ne do të kemi edhe një sondazh për zgjerimin, se si po ecën zgjerimi, cili është perceptimi për zgjerimin në Shqipëri dhe në bazë të gjetjeve, do të ndërtojmë edhe një fushatë”, theksoi Kos.

Një ditë pasi partitë politike dorëzuan listat e kandidatëve për deputetë, Komisionerja për Zgjerim shpreson që këto zgjedhje të jenë në standardet e BE-se, ndërsa kryeminsitri Rama garancinë e Partisë Socialiste e dha.

“Partia Socialiste nuk mund të jetë partia e atyre që janë brenda. Partia Socialiste duhet të jetë partia edhe e atyre që janë jashtë saj dhe Partia Socialiste nuk është qëllim, është mjet dhe është mjet që duhet të jetë në dorën e shoqërisë për ta përdorur  Me sistemin që kemi ne kemi preferuar që në listat e mbyllura të fusim njerëz që ndryshe nuk do arrinin dot të ishin në Parlament”, vijoi Rama.

Me një ftesë të pazakontë, si sportiste dhe kampione olimpike për të ngjitur majën më të lartë të Korabit kur Shqipëria të mbyllë negociatat, për Kryeministrin Rama Marta Kos kishte edhe një dhuratë, atë që e quajti fanellën e ekipit të BE-së.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:33
Rama: Nuk është udhëtim me autobus, BE-ja s’të jep as gurin për të vrarë veten nëse nuk bën detyrat! Negociatat s’janë llafe

 

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria do hyjë në BE vetëm pasi të bëjë detyrat e saj, pasi pa i bërë ato Europa është e vështirë për t’u bërë pjesë.

Madje shtoi se shkuarja në Bruksel nuk është një udhëtim me autobus apo me avion, kurse qëllimi ishte që qytetarët shqiptarë të ndiheshin njëlloj si qytetarët e BE-së. Ai theksoi se BE-ja nuk të jep as gurin për të vrarë veten pa bërë detyrat që ajo kërkon.

Përgjigja e kryeministrit Edi Rama për pyetjen e gazetares së Report TV, Raziela Myslimaj, ishte: 

Nuk është një udhëtim me autobus apo aeroplan për në Bruksel por është krijimi këtu i të gjitha kushteve dhe standardeve për të qenë anëtarë i asaj familjeje atje. Dhe është përfshirja e këtij vendi në atë familje, që do të thotë zgjerimi i murit të asaj familje ku të futet edhe Shqipëria.

Kjo nuk bëhet dot se ne nuk kemi program, ne s’kemi program elektoral për të ardhur në qeveri, por kemi program për të gjitha fushat dhe Shqipërinë në BE e shohim si realizim të këtij programi dhe punët e këtij programi do ia bëjmë publikut të ditura. Gjithë rezymeja është një pasaportë për ty, të jesh anëtar i BE-së, të hysh andej nga duhet, të jesh gazetare që të shkosh e lirë atje, por jo vetëm për gazetarët por edhe për studentët dhe të tjerët.

Që të jenë studentë europianë, edhe për ata që duan të punojnë, pa pasur nevojë që të bëjnë sikur janë të persekutuar apo se po i ndjek dikush nga mbrapa.

Edhe larg qoftë nëse kanë nevojë të shkojnë te doktori atje, të shkojnë sikur shkojnë dhe këtu, si të njëjtës familje, pa hyrë te fondet, sepse nuk dua ta prek këtë temë. Ky është programi, kur Marta thotë më 2027 duam të mbyllim negociatat nuk thotë mbi llafe por mbi rezultate. Mund t’i themi gjërat bukur, sepse BE-ja nuk të fal, nuk të japin as gur për të vrarë veten si i themi në, apo për të çarë kokën se s’ke bërë detyrën. Këta po të duan të pengojnë edhe ta dredhin, por për të dhënë një gjë duhet të bësh detyrat. Edhe kur tha të shkojmë në mal nuk tha tani, por pasi të bëjmë detyrat, nuk tha hajde të shkojmë pa i bërë detyrat. E dëgjuat. Marta ka qenë kampione olimpike, e dini apo jo? Pra të bëjmë njëherë detyrat dhe pastaj me të tjerat”.

Ora 11:26
Komisionerja Kos për Report Tv: Jam e sigurt se zgjedhjet do jenë të lira dhe të ndershme, uroj të ketë pjesëmarrje të lartë

 

Komisionerja për zgjerimin në BE, Marta Kos, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp në lidhje me procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Shqipërisë në familjen europiane. 

Pyetjes së gazetares Raziela Myslimaj në lidhje me zgjedhjet e 11 majit dhe procesin e integrimit, komisionerja tha se shpresonte që të kishte sa më shumë pjesëmarrje votuesish dhe se ishte e kënaqur që do të votonin edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, Diaspora. Ajo shprehu besimin se “zgjedhjet do ishin të lira dhe të ndershme”.

“Zgjedhjet parlamentare janë një nga proceset më të rëndësishme në demokraci, në çdo vend, është zgjedhje e qytetarëve që të kryejnë detyrën e tyre demokratike duke votuar, shpresoj të ketë numër të lartë zgjedhësish. Jam e sigurt që zgjedhjet do jenë të lira dhe të ndershëm dhe jam e kënaqur që edhe shqiptarët që jetojnë jashtë do votojnë dhe do pasqyrojnë edhe dëshirën e shqiptarëve që vendi të bëhet pjesë në BE, që Shqipëria të jetë pjesë e fushatës dhe të flitet në çdo anë të botës, për parimet dhe themelet e demokracisë”, tha Kos.

Ora 11:19
‘Komision Xhafaj deri sa të hyjmë në BE’/ Rama i përgjigjet gazetares: Jemi të pangopur me drejtësinë, Partia Socialiste është mjet jo qëllm

 

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për shtyp me Krykomisioneren e BE-së Marta Kos, i është përgjigjur gazetares mbi zhvillimet me Komisionin Ant-Korrupsion nga deputeti Fatmir Xhafaj, kur në fakt kreun e këtij komisioni kaq të rëndësishëm e ka vendosur në listën e hapur për zgjedhje. Rama tha midis të tjerash se ai dhe ekipi i tij janë të ‘pangopur’ me punën e drejtësisë.

'Mbështetja për Reformën në Drejtësi ka qenë masive. Natyrisht kjo nuk do të ndodhte pa BE-në dhe pa prespektivën europiane. Edhe afganët donin të bënin demokraci. Edhe irakenët e donin këtë dhe nu kia kanë dal me traditën kundër, për vec atyre që kanë bekimin të kenë BE-në. Ne e kemi këtë bekim duke qenë se jemi në zemër të Europës. Natyrisht ky process është në fillimet e veta dhe ka problematikat e vet. Bëhet fjalë jo vetë për reformën në drejtësi por edhe për drejtat e njëriut. Ne jemi të pangopur për rezultate. Prandaj ne kemi ngritur një Komision Parlametar që do të jetë deri aty sa të shkojmë në BE. Ky është një diskutim tjetër. Partia Socialiste nuk mund të jetë e atyre që janë brenda por dhe atyre që janë jashtë. Partia Socialiste është mjet jo qëllim. Ata që kanë ndiki aty nuk mund ta përdorin për interesat e tyre. Në listat e hapura kemi futur të gjithë ata që kanë eksperiencën.'-tha Rama. 

Ora 11:09
Kos i bën dhuratë Ramës një fanellë të BE-së: Kur të mbarojmë negociatat me sukses, të ftoj ta ngjisim Korabin së bashku! Kryeministri: S’e di a do jem ende kryeministër, por do vij 

 

Komisionerja e Zgjerimit në BE, Marta Kos, foli me superlativa për punën e bërë deri tani nga Shqipëria me negociatat dhe planin e anëtarësimit.

Ajo mori si shembull golin e shpejtë për 23 sekonda të Nedim Bajramit ndaj Italisë në Europianin e Gjermanisë vitin e kaluar, duke u shprehur se “e di që ju jeni të shpejtë në bërjen e gjërave dhe mund t’ia dilni edhe me këtë”.

Më tej i dhuroi një fanellë kryeministrit me numrin "11" dhe flamurin e BE-së të stampuar në të, teksa Kos shtoi se ajo vetë vinte nga një familje e lidhur me sportin dhe se Europa funksiononte si ekip sportiv, futbolli apo basketbolli, edhe pse vetë nuk luante dot sportin e dytë ndaj Ramës.

Por ajo e ftoi Ramën që pasi të mbaronin me sukses negociatat në 2027 dhe kohën e duhur, ta ngjisnin malin më të lartë të Korabit së bashku. Rama iu përgjigj se nuk e dinte nëse do ishte ende kryeministër, por do i bashkohej me kënaqësi.

Marta Kos tha:
“Angazhimi im është edhe sportiv, unë vij nga një familje sportive. Kam parë edhe Kampionatin Evropian, pashë se si shënoi Bajrami në 23 sekonda dhe kjo tregoi se sa të shpejtë jeni ju në realizimin e gjërave, ndaj unë e di sa e rëndësishme është. Basketbolli gjithashtu është një lojë e bukur, edhe ju keni luajë.
Ndaj kam një dhuratë për juve, Europa është një ekip, funksonon si skuadër futbolli. Ja kjo është dhurata ime, (fanella me numër 11 për Ramën), kur ne të përfundojnë negociatat unë do ngjisë malin më të lartë në Shqipëri, të Korabit që është më i larti madje edhe se mali ynë më i madh në Slloveni”.

Kryeministri iu përgjigj:

“Shpresoj që kur të hyjmë në BE të vij me ju ta ngjis majën e malit, s’e di nëse do ketë kryeministër të ri. Jam krenar që të kem një ekip mjaft të përkushtuar. Shpreh një mirënjohje dhe falënderime për ju, për Majlindën dhe Adean dhe gjithkujt tjetër që është i angazhuar. Por edhe ambasadorin Ferit Hoxha që është Lionel Messi ynë në punët e jashtme, e hodhëm përtej oqeanit në SHBA dhe e sollëm prap në Europë, ai i bën mirë ato, është i mirë në punët e jashtme. Besoj se edhe ministri i jashtëm Hasani bien dakord”.

Ora 11:06
‘Reforma në Drejtësi është gurë themeli për BE-në’/ Kos: Ftoj gazetarët e Europës të vijnë në Shqipëri për t’i treguar vendeve anëtare pse duhet të anëtarësohet në 2027

Kryekomisioneria e BE-së Marta Kos në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Edi Rama është shprehur optimiste për Shqipërinë dhe hapat e saj drejt Europës. Kos është shprehur se ‘gur themeli’ është Reforma në Drejtësi. Nga ana tjetër Kos ka ftuar gazetarët e huaj të vinë në Shqipëri dhe ta promovojnë edhe më shumë vendin për të bindur anëtarët e BE-së që pse Shqipëria duhet të jetë anëtare në 2027.

‘Ky është angazhimi im dhe i juaj. Ju jeni 100 përqind të përputhur me BE-në. Po unë shpresoj që ne sot do të kemi ratifikimin e të dyja marrëveshjeve që janë të domodoshme, që ne Shqipërisë t’i japim 1 miliardë euro për Reformat. Por edhe të bëjmë të mundur hyrjen në BE të Shqipërisë. Ju keni thënë se vendet kandidate të bëhen pjesë e rrjeteve të ndryshme, kjo po ndodh me SEPA-n dhe korridoret e gjelbra. Më kanë folur për mikpritjen dhe më ka lënë mbresa. Pra ëhet fjalë për bashkëpunimin rajona, për bashkëpunimin rinor.  Ju keni qenë shumë të suksesshëm ku keni sjellë dhe organizatën e futbollit nën 21 vjec.

Ne duhet të kemi përqëndrimin të fokusohemi te reformave të tjera dhe reformën në drejtësi që është gur themeli i integrimit europian. Ne të dy nuk jemi thjesht pasionant për Europën por dhe duam të japim rezultate. Prandaj për mendimin tim është shumë e rëndësishme që projekti BE-së të jetë I gjithë shoqërisë jo vetëm I disa palëve.

Detyra ime është të marrë masa për faktin që Shqipëria të njihet si anëtare e BE-së. Kështu që në këtë aspekt e kemi një plan për zgjerimin. Ne do të organizojmë një fushatë, ftoj gazetarët sa më shumë të vinë në Shqipëri dhe të shohin cfarë ndodh në Shqipëria. Na ndihmon që Shqipëria të njihet edhe më shumë në shtetet e anëtare që të pëmbyllet në 2027.’- ka thënë Kos. 

Ora 10:52
Rama: Marta s’u prit me diell, por shiu është bereqet! Shqipëria e meriton BE-në, s’kemi alternativë tjetër

 

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij duke u shprehur se do donte që pritja e Kos të kishte ndodhur në një ditë me diell dhe jo shi, por shtoi se “ia sqarova Martës se shiu është bereqet”.

Rama shpjegoi se për Shqipërinë ishte lajm i mirë që Komisionere e Zgjerimit u zgjodh një përfaqësuese e rajonit, teksa tha se Shqipëria do ta meritojë këtë anëtarësim.

Presim komisioneren e BE për zgjerimin në vizitën e saj të parë me shi, edhe pse do donim diell. Por unë e sqarova se shiu është bereqet. Besoj se do jetë një ogur i mirë për planin e zhvillimit dhe fondet shtesë për Shqipërinë.

Është kënaqësi që ju presim këtu në Tiranë. Dhe qysh në fillim dua ta përsëris publikisht se ne në rajon e kemi pritur me entuziazëm zgjedhjen tuaj, sepse ju jeni edhe e BE-së, edhe e jona. Duke qenë nga një vend i rajonit, i cili ka shkëlqyer në rrugën e vetë dhe sot është një anëtar krenar i BE-së, Sllovenia.

Dhe sidoqoftë duke e pasur gjakun më pranë nesh më vjen jashtëzakonisht mirë për këtë moment ku ne jemi krenarë për atë që kemi bërë dhe ju për të na mbështetur pa rezervë. Por ne nuk e marrim mbështetjen tuaj si diçka të dhënë por të marrë çdo ditë, mbështetje e një institucioni të madh dhe shumëkërkues siç është BE-ja. Të cilën ne jemi të vetëdijshëm që duhet ta meritojmë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ne e dimë se nuk ka alternative tjetër, sepse e dimë se s’ka alternative të lirisë individuale, të barazisë para ligjit, të bashkëjetesës në diversitet", tha kryeministri mes të tjerash.

Xh.K/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Altin: 13/03/2025 15:05

    Ne dhe jemi integruar po ti se paske marre vesh. Ja kemi ngrite dolline sebepit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 13 Mars, 08:44

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?



×

Lajmi i fundit

Listat/ Dyrnjaja: PD e di që s’fiton, vrap kush të futet në listë të sigurt! Primaret ishin intrigë e gjallë! 25 partitë e koalicionit nuk nxjerrin dot as 1 deputet bashkë

Listat/ Dyrnjaja: PD e di që s’fiton, vrap kush të futet në listë të sigurt! Primaret ishin intrigë e gjallë! 25 partitë e koalicionit nuk nxjerrin dot as 1 deputet bashkë