Kampionët e Seria A, Interi, siguroi tre pikët e para në këtë sezon, teksa në ndeshjen e parë në San Siro fitoi pastër 2-0 kundër Lecces. Zikaltërit zhbllokuan shumë shpejt sfidën e dytë të kampionatit, me Darmian i cili mposhti portierin kundërshtar në minutën e 5. Duhej të kalonte shumë kohë për të parë golin e dytë, teksa protagonist ishte Calhanoglu i cili finalizoi një penallti të fituar nga Thuram për të siguruar 3 pikët e para të sezonit.
Shqetësuese vijon situata te Milan, që pas barazimit 2-2 kundër Torinos, në javën e dytë të Seria A u mposht 2-1 nga Parma. ‘Djalli’ e pësoi që në nisje nga vendasit, ndërsa duhet të vinte minuta e 66 që Cristian Pulisic të barazonte. Kur pritej që Milan i Fonsecas të përmbyste, ishte Parma që në minutën e 77 shokoi ‘djallin’ me Cancellierin.
Udinese ka ulur me këmbë në tokë Lazion, kryeqytetasit që pas fitores në javën e parë, u mposhtën 2-1 në Friuli. Lucca dhe Thauvin ishin autorët e golave për vendasit, ndërsa disa minuta në fund mori edhe Elseid Hysaj te Lazio.