Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i bëri sot thirrje Lëvizjes Bashkë që t’i bashkohet protestës që ai do të mbajë të shtunën  kundër qeverisë së Edi Ramës .

Gjatë një interviste në emisionin Studio Live në Report TV, Lapaj tha se beteja e protestave “nuk është personale”, por një përballje me ata që, sipas tij, “po vjedhin Shqipërinë”. Ai theksoi se interesi kombëtar duhet të vihet mbi çdo ndarje apo mosmarrëveshje politike.

Ndryshe u shpreh përfaqësuesi i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, i cili në të njëjtin emision e cilësoi ftesën e Lapajt si jo serioze. Sipas Muçit, çdo bashkëpunim i tillë përfundon në favor të Sali Berishës.

“Çdo thirrje për bashkëpunim është në favor të Sali Berishës. Atij dhe PD-së u mungon legjitimiteti moral dhe, pa të, protestat nuk kanë efekt. Edi Rama i kalon protestat e Berishës me humor dhe ironi”, tha Muçi, duke i kujtuar Lapajt se edhe Berisha është nën hetim nga SPAK.

Muçi e quajti mos bashkëpunimin me Berishën një “kriter të panegociueshëm” për Lëvizjen Bashkë. Por Lapaj mendon se bashkëpunimi duhet të jetë “përtej egove.”

“E kemi dëshmuar me vepra që ne nuk bashkëpunojmë me Sali Berishën por ne nuk mund tu themi 500 mijë demokratëve të ndershëm ‘ju nuk ekzistoni’. Vendi ka nevojë sot. Lëvizja Bashkë mendon se do çlirojë atdheun vitin 2080. Mos u mundoni të gjeni alibi dhe të godisni nën brez” u kundërpërgjigj Lapaj

Muçi i kujtoi Lapajt përplasjet që ai pati me Endri Shabanin, tanimë Avokat Populli, në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, si një arsye më shumë për mos bashkëpunimin mes dy lëvizjeve të reja.

“Pse nuk bashkëpunojmë me Adriatik Lapajn? Nëse ne do kishim kapur dorën e shtrirë të tyre, do të kishim përfunduar në atë pikë ku hallat dhe tezet tona do ishin zënë me dajon e Shabanit dhe tezen e Adriatikut” tha ai.