TIRANË- Champions League mbyll sonte llogaritë e fazës së grupeve dhe dy ekipe të mëdha si Real Madrid dhe Interi luajnë kualifikimin në ndeshjen e fundit. Zikaltërit ndaj Shakhtar Donetsk kanë vetëm një detyrë shtëpie, të fitojnë dhe shpresojnë që Real-Gladbach të mos përfundojë barazim për të siguruar biletën për në 1/8. Në skuadër ka optimizëm por ka mungesa të rëndësishme në mesfushë si Vidal e Barella dhe pritet si titullar i përjashtuar më i madh deri më tani Eriksen. Tekniku Antonio Conte flet për vështirësitë por thotë se ato duhet ta karikojnë ekipin që ka një mundësi të mirë kualifikimi.
Në orën 21:00 luan jo vetëm kualifikimin por edhe të ardhmen edhe Real Madrid. Los Blancos me një fitore ndaj Gladbach presin biletën pasi çdo rezultat tjetër mund t’i rrezikojë. Zidane është i lumtur pasi rikthehen kapiteni Ramos dhe Carvajal ndërsa thotë se në mendje sot i shkon vetëm fitorja.
Ekipit tjetër nga Madridi , Atleticos sonte i duhet të paktën një pikë në Austri ndaj Salzburg për të kaluar më tej ndërsa Bayerni që ka siguruar vendin e parë në grupin A pret Lokomotivën e Moskës.
Edhe Atalanta me një barazim kualifikohet. Bergamaskët janë të impenjuar në Amsterdam ndaj Ajaxit vendas në ndeshjen kryesore të grupit D që do luhet në 18:55 . Liverpooli që është kualifikuar si i pari pritet të bëjë rrotacion ndaj Midtjylland.
Në prag të derbit të Manchesterit edhe Guardiola në duelin Manchester City-Marseille do lërë pushim disa titullarë ndërsa dueli tjetër i grupit C është Olympiacos-Porto./Përgatiti Andi Kapxhiu