Inter i “çmendur”. Zikaltërit përmbysin Milanin, fitojnë 4-2 derbin e Milanos dhe ngjiten në kryesimin e Serisë A. Derbi dhuroi spektakël me kuqezinjtë që dominuan pjesën e parë dhe e mbyllën në avantazhin e dy golave. Rrjetat u tundën nga kroati Rebic pas një pasimi nga Ibrahimovic dhe më pas suedezi shënoi vet golin e dytë duke ngritur peshë zemrat e milanistëve. Por në 45 minutat e dyta ndodh mrekullia për djemtë e Contes.
Interi mësyn drejt portës së Donnarumma-s dhe në pak kohë do të barazonte menjëherë në 2-2. Në minutat 51 dhe 53-të do të shënonin kapiteni Brozovic dhe më pas Vecino vendosi barazpeshën pas pasimit nga Sanchez . Përmbysja u kompletua në minutën e 70-të kur mbrojtësi holandez De Vrij me kokë shënon golin e tretë dhe kalon Interin në avantazh. Në fund me Milanin që kapitulloi llogaritë i mbylli Lukaku. Derbi i Milanos vishet zikaltër dhe Interi merr kreun edhe pse me pikë të barabrta me Juven.
Ndërsa Lazio fiton dhe ëndërron titullin kampion pasi është vetëm një pikë larg kreut. Bardhekaltërve u mjaftoi goli i Caicedo-s që të mposhtnin Parmën në transfertë 1-0. Titulli në Itali tashmë është një çështje e tre ekipeve.
Barcelona përmbysi Betisin duke fituar 3-2 në stadiumin “Benito Villamarin” dhe mbetet 3 pikë larg Realit kryesues. Canales kaloi Betisin në avantazh por barazoi menjëherë holandezi De Jong. Vendasit u kthyen sërish në avantazh me golin e bukur të Fekir por Busquets barazpeshoi në fundin e pjesës së parë. Goli i fitores erdhi nga Lenglet pas pasimit të Leo Messit . Më herët Real Madrid kishte mposhtur 4-1 Osasunan duke mbetur lider në La Liga.
Ndërkaq dueli i titullit në Bundesligë mes Bayern Mynih dhe Lajpcig u mbyll pa gola. Dy skuadrat nuk i bën dot keq njëra-tjetrës duke lënë të pandryshuar kreun me Bayernin që mban vendin e parë.
/Përgatiti Andi Kapxhiu