Nëse për të “luftuar” me Juventusin për titullin kampion diferenca prej 8 pikësh e bën të vështirë Interi të paktën blindon zonën Champions. Zikaltërit dhuruan mbrëmë një tjetër paraqitje të “çmendur” duke fituar me përmbysje në Parma 2-1 me golat e shënuar nga mbrojtësit De Vrij dhe Bastoni. Të dy golat erdhën me kokë në harkun kohor të tre minutave 84 dhe 87-të. Parma kishte marrë avantazhin që në minutën e 15-të me Gervinho por që nuk mjaftoi.
Atalanta nuk di të ndalet dhe arrin fitoren e gjashtë radhazi në Serinë A duke mposhtur 3-2 në transfertë Udinesen. Në pjesën e parë shënoi Duvan Zapata ndërsa në fraksionin e dytë Luis Muriel shënon një dygolësh spektakolar në minutat 71 e 79-të. Dy golat e Kevin Lasagna nuk i vlejtën për asgjë Udineses.
Edhe Napoli di vetëm të fitojë.Mertens, Callejon dhe Younes ishin autorët e golave në fitoren 3-1 ndaj Spal në stadiumin “San Paolo”.Zona Champions është pak larg por vendi i pestë që të dërgon direkt në grupet e Europa League për skuadrën e Gattuso është vetëm një fitore larg.
Në shina për një vend në Europë mbetet edhe Milani.Kuqezinjtë mposhtën Romën në “San Siro” falë dy golave të shënuar në 15 minutat e fundit me autorë Rebic e Calhanoglu. Verdhekuqtë i largohen zonës Champions ndërsa Milani është më pranë vendeve të Europë League.
Në La Liga Real Madrid mundi 1-0 Espanyolin në transfertë dhe shkëputet me dy pikë nga Barcelona e vendit të dytë. Benzema dhuroi spektakël tek goli i fitores shënuar nga Casemiro./ Përgatiti Andi Kapxhiu.