Interi prish “mallkimin” San Paolo” pas 23 vitesh dhe mbetet në kryesimin e Serisë A pas javës së 18-të. Ekipi i drejtuar nga Antonio Conte mposhti 3-1 në transfertë Napolin dhe e nis vitin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme. Zikaltërit zhvillojnë një pjesë të parë fantastike dhe e mbyllin në avantazhin 2-1 falë dy golave të bomberit të skuadrës Lukaku. Belgu e gjeti rrugën e rrjetës në minutat 14-të dhe 33.
Vendasit ngjallën shpresat me golin e polakut Milik në fundin e pjesës së parë dhe provuan të barazonin në të dytën por në momentin më të mirë i ndëshkoi argjentinasi Lautaro Martinez që vulosi gjithçka kur kishte kaluar një orë lojë. Interi mbetet në bashkëkryesim me Juventusin me nga 45 pikë ndërsa të shtunën pret në “San Siro” Atalantën.
Qartësisht i lumtur por edhe polemizues Conte pas ndeshjes. Tekniku u ka kthyer përgjigje atyre që kritikonin Lukakun ndërsa thotë se Interi i tij luajti me kurajo dhe jo thjesht në kundërsulm.
Falë golit të Nelson në pjesën e dytë Arsenali mposhti 1-0 Leeds United duke avancuar në raundin e katërt të FA Cup ku do të përballet me Bournemouth.
Ndërkaq sonte duke nisur nga ora 21:00 në “Old Traford” luhet akti i parë i derbit të Manchesterit mes United e Cityt i vlefshëm për gjysëmfinalet e Carabao Cup. Pep Guardiola e ka ndezur sfidën duke thënë se pasi ka drejtuar City-n kurrë nuk do të ulet në pankinën e United./ Përgatiti Andi Kapxhiu