Interkonjeksioni Shqipëri- Kosovë
firma nis punimet në fund të vitit

Interkonjeksioni Shqipëri- Kosovë<br />firma nis punimet në fund të vitit
TIRANE- Kontrata për ndërtimin e linjës së interkonjëksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës ka hyrë sërish në fuqi. E njofton këtë operatori kosovar i transmetimit të energjisë elektrike, duke parashikuar nisjen në dhjetor të punimeve
 
Rigjallërohet kontrata për linjën e interkonjeksionit për energjinë elektrike Shqipëri-Kosovë. Kontrata për ndërtimin e linjës 400 kilovoltë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, pritet të përfundojë deri në fund të vitit. Kështu thonë zyrtarë të Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Kosovës (KOSTT), njofton gazeta e Prishtinës, Zëri. Sipas saj, projekti për ndërtimin e linjës është në rrugë të mbarë.

Projekti ishte bllokuar papritur nga ana e palës shqiptare, kur ish-ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se fituesi i garës do t’i kushtonte shtrenjtë buxhetit të qeverisë Berisha, ndërkohë që financues ishte banka shtetërore gjermane KfW. Pas kësaj, qarkulluan zëra se e preferuara e klanit të Berishës ishte kompania boshnjake, që u klasifikua e dyta në tender.

Zana Rama, zyrtare për informim nga KOSTT, tha për gazetën “Zëri” se “Nëse ndërtimi shkon sipas parashikimit, në fund të vitit 2015 linja do të jetë në operim, respektivisht, 24 muaj nga momenti i fillimit”. Ajo më tej ka thënë se ky projekt për ndërtimin e linjës 400 kilovoltë, Kosovë-Shqipëri, është projekt i përbashkët i Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Shqipërisë (OSTSH).

Sipas saj, fillimi i implementimit të projektit është në interes te të dyja vendeve, si Kosovës ashtu edhe Shqipërisë.
”KOSTT-i është shumë i interesuar për implementimin e këtij projekti, duke pasur parasysh benefitet që do t’i kenë të dyja vendet nga ndërtimi i linjës”, është shprehur ajo. Ndërtimi i linjës, sipas saj do të ndikojë në optimizmin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese, ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve Elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe po ashtu do të ndikojë në zhvillimin e tregut te të dy vendeve si dhe tregut rajonal të energjisë elektrike.

Sipas saj, ndërtimi i linjës në fjalë do të mundësojë shkëmbimin më të madhe të energjisë elektrike në mes të dy vendeve, sidomos pas ngritjes së kapaciteteve gjeneruese të planifikuara në Kosovë të bazuara kryesisht në linjit si dhe të kapaciteteve gjeneruese hidro të Republikës së Shqipërisë.
Ndërkaq, financimi i projektit të ndërtimit të linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri për pjesën e Kosovës do të bëhet nga Qeveria Gjermane bazuar në Marrëveshjen e Financimit që është nënshkruar në mes të KfW, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe KOSTT.

Vlera e përgjithshme sipas saj do të jetë 33.5 milion euro, nga e cila 16.5 milion grant, ndërkaq 17 milion kredi.
Ngjashëm, qeveria Gjermane nëpërmjet KfW gjithashtu do të financojë pjesën e linjës në anën e Republikës së Shqipërisë.
Në anën tjetër. Agron Demi nga Instituti “GAP” thotë se Qeveria e Kosovës e ka shpallur linjën 400 kilovoltë mes Kosovës dhe Shqipërisë si interes i përgjithshëm kombëtar më 18 gusht 2010.

Sipas tij, ky projekt mund të ndikojë pozitivisht në Kosovë sa i përket furnizimit më të sigurt me energji gjatë kohës kur Shqipëria ka rezerva.
“Investimet në ketë linjë për herë të parë janë bërë në maj të vitit 2011 dhe gjithsej do të kapin shumën prej 34 milionë eurosh. Ndërtimi i kësaj linje pritet që të përmirësojë mundësitë për furnizimin me energji elektrike në Kosovë, veçanërisht gjatë kohës së dimrit dhe do të mundësojë shkëmbimin e energjisë në mes të këtyre dy vendeve.

Qeveria gjermane ka ndarë një grant prej 16.5 milionë eurosh, ndërsa Banka Gjermane për Zhvillim ka lëshuar një kredi të butë në shumën prej 17 milionë eurosh për ndërtimin e kësaj linje të energjisë. Kanë kaluar më shumë se tri vite prej kur është vënë gurë themeli i këtij projekti në Kosovë, por për shkak të pengesave që ka shkaktuar Republika e Shqipërisë, ky projekt nuk pritet të përfundojë para 2015” ka thënë ai.

Sipas tij, në mungesë së linjës më së shumti kanë përfituar kompanitë dhe biznesmenët të cilët merren me tregtinë e energjisë, sidomos biznesmenët serb.
Po ashtu, sipas tij buxheti i Kosovës përgjatë këtyre viteve ka shpenzuar mesatarisht rreth 20 - 40 milion euro në importimin e energjisë elektrike në vit.

Shkrimi u publikua sot (16.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Cilët janë sot patriotët dhe atdhetarët dhe kush meriton të festojë Pavarësinë?

Cilët janë sot patriotët dhe atdhetarët dhe kush meriton të festojë Pavarësinë?