Kumbaro: Rritëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5% të territorit, ndryshimet ligjore nuk cenojnë asnjë direktivë europiane

Në interpelancën e sotme në Parlament për zonat e mbrojtura, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro tha se kanë rritur sipërfaqen e tyre.

“Për çdokënd që mund të çojë nëpër mend se palës përballë i interesojnë zonat e mbrojtura, ndërkohë që deri në vitin 2014 askush s’kishte dëgjuar në publik të flitej as për mjedis e as për zona të mbrojtura natyrore pavarësisht se kishte Ministri Mjedisi, unë do të përmend vetëm disa fakte. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, me 12 Agjencite e saj rajonale, një institucion që sot na bën krenar sepse kujdeset për çdo park kombëtar e natyror, për çdo monument natyre e peizazh, falë një armate pasionantësh që janë çdo ditë në terren, inxhinierë mjedisorë, inxhinierë pyjesh a veterinerë që punojnë me shpirt për xhevahiret tona natyrore, e pra kjo agjenci - u krijua vetëm në vitin 2015! Deri në vitin 2015, Shqipëria nuk kishte një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura, ndërsa sot kjo agjenci na bën nder si vend dhe e kthen Shqipërinë në një shembull të mirë në rajon, pasi shumë vende në Ballkanin Perëndimor, ende nuk e kanë një agjenci të dedikuar për zonat e mbrojtura. Për herë të parë hartuam e miratuam një ligj për zonat e mbrojtura natyrore në vitin 2017! Sikur të kishim pasur më herët të tilla prioritete, me siguri që shumë gjynahe të bëra gjatë tranzicionit, do të ishin shmangur. Për herë të parë, Shqipëria zgjeroi sipërfaqet e zonave të mbrojtura në vitin 2022 duke e çuar sipërfaqen  e mbrojtjes në 21,5% të territorit! Po, sot 21,5% e territorit në Shqipëri është zonë e mbrojtur me vullnetin e kësaj mazhorance, me punën dhe përkushtimin e kësaj mazhorance! Dhe nuk ka qenë një vendim aspak i lehtë,plot  vende të tjera më të mëdha e kanë shumë më të ulët dhe askush nga vendet e rajonit nuk e ka marrë një të tillë vendim mbrojtës. Është vendim i rëndësishëm sepse Shqipëria, ka një sipërfaqe të kufizuar, ku duhen harmonizuar patjetër nevojat e komuniteteve, e njerëzve për zhvillim e mirëqenie me vizionin dhe synimin për të mbrojtur natyrën si pasurinë më të çmuar që i lëmë brezave! Pikërisht kjo mazhorancë që ndjek cdo ditë zhvillimet në territor, për ta ruajtur atë ekuiliber realist, mes zhvillimit të qendrueshëm dhe mbrojtjes së biodiversitetit, sic ka përditësuar studimin e zonave të mbrojtura përditësoi ligjin e vitit 2017 në krye të këtij viti, sepse duhet t’u përgjigjemi realitetit, nevojave demografike që të mos vijojnë boshatisje të pjesëve të territorit! Pikërisht kësaj Shqipërie që ecën shumë më shpejt se kjo opozita juaj pa kokë e me gjymtyrë të hallakatura!”, tha Kumbaro.

Ministrja hodhi edhe akuza mbi qeverinë Berisha, duke thënë se ka shkaktuar dëme në zonat e mbrojtura dhe në biodiversitet.

“Pasuritë dhe burimet natyrore, aty kanë qenë ndër dekada, por për gjithë ato dekada as ka dashur të merret njeri, dhe as i ka pasur njeri në vëmendje se në prioritet jo se jo! Për t’i abuzuar, shkatërruar, ndërtuar kuturu pa koke, pa plan e me babëzi sic na kanë parë sytë jo më larg por deri 10 vite më parë gjatë qeverisjes së kaluar deri në vitin 2013 kur mijëra e mijëra çibanë të tmerrshëm u mbollën në territor, në zona natyrore e kulturore, në shtrate lumenjsh e plazhe me rërë…. Po, këtë na latë trashëgim ju! Kjo ka qene historia në 25 vite! Dhe nuk do përmend Bathoren, as Tiranën e vitit 2000, por Ksamilin që nga një kodër në Zonë të mbrojtur e degraduat në Bathoren e bregdetit, duke i hequr çdo arsye dhe argument për biodiversitet që ne me programet e rikualifikimit urban po e sjellim në terezi, duke ekuilibruar edhe problemet sociale të popullsisë me rrugë, ndriçim, kanalizime, me restaurime dhe rikualifikime të hapësirave publike, duke ua rritur vlerën edhe objekteve që tashmë janë vetëm pjesë e Historisë, por edhe duke sinkronizuar ndërhyrjet e investitoreve privatë në sinergji me territorin, por me kritere të rrepta dhe vetëm me vendim të KKT”, u shpreh Kumbaro.

Në lidhje me ligjin e ri të zonave të mbrojtura, Kumbaro qartësoi se përkundër pretendimeve ligji nuk cenon asnjë Direktivë Europiane dhe respekton parimet e Unionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës.

“Siç jua kam thënë, ligji i ri e mban të përqëndruar tek Agjencia e Zonave të Mbrojtura kontrollin dhe administrimin në territor te këtyre zonave! Ligji nuk cënon asnjë Direktive europiane, dhe respekton parimet e IUCN – organizmi sipëror kur vjen fjala për ekseprtizëm në administrimin e zonave të mbrojtura, i cili në udhërrëfyesin e menaxhimi te zonave të mbrojtura e thotë shumë qartë: “Janë shtetet ato që kanë tagrin e vendimit final dhe përgjegjësinë për administrimin dhe përdorimin e burimeve natyrore të tokës dhe të ujit, prandaj jane vetë këto shtete që vendosin edhe për kategorinëhe administrimin e një zone të mbrojtur. Por ju këto as nuk i lexoni dhe as nuk doni t’i dini, sepse kërkoni dezinformim!”

Kumbaro përmendi edhe punën për Vjosën, që pasi u shpall Park Kombëtar, tanimë po avancon puna për përfshirjen e saj në UNESCO.

“Aty ka qenë Vjosa ndër shekuj e dekada, asnjë qeveri paraardhëse nuk pati as idenë më të vogël ta mbronte! Dhe Vjosa nuk mbeti i fundit lumë i egër në Europë se u mbrojt, por përkundrazi, sepse pa asnjë vizion për gjithë atë zonë që përbën 1/3 e Shqipërisë, e zbrazët duke i bërë njerëzit të largohen sepse nuk shihnin asnjë mundësi për të krijuar ekonomi e për të jetuar aty ku prindërit e gjyshërit e tyre kishin lindur. Aty ku sot po rikthehen, nga Memaliaj në Tepelenë, nga Përmeti në Libohovë, nga Bënça në Këlcyrë, nga Darëzeza në Vlorë. 480 kilometra të Vjosës, bashkë me Drinon, Bënçën dhe Shushicën, i shpallëm Park Kombëtar, jo thjesht prej emocionit, por përmes vendimmarrjes racionale dhe një bashkëpunimi ekselent me shoqërinë civile në Shqipëri, me partnerë të huaj si Patagonia, me Unionin Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës IUCN, duke krijuar një model dinjitoz që u shndërrua me shpejtësi në kartivizitë prezantuese të Shqipërisë. Me Vjosën, me të cilën i kemi dhënë Europës të vetmin Park Kombëtar të një lumi të egër, shkojmë në një tjetër stad: Përfshirjen e Vjosës në UNESCO, në kategorinë “Njeriu dhe Biosfera”, një ndër kategoritë më interesante që ka UNESCO kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura natyrore, ku njeriu bashkëjeton me natyrën.”

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit përmendi edhe shifrat e vizitorëve në zonat e mbrojtura.

“5,3 milionë vizitorë kishim në parqet tona kombëtare dhe natyrore gjatë periudhës janar – nëntor 2024, ose 1 milionë më shumë se i gjithë viti i kaluar. Dhe nuk është çështja vetëm tek shifrat, por tek ekonomia që zhvillohet për banorët e këtyre zonave, që nuk po ndërtojnë hidrocentrale, - madje krejt e kundërta, ne po anulojmë edhe ato kontratat hec-esh që nënshkruat ju - por bujtina, agroturizme, restorante të vogla që më pas zënë faqet e para të mediave të cilat i bëjnë jehonë mikpritjes shqiptare dhe buzëqeshjes së ëmbël të amvisave tona!”


Lajmi kryesor:

Interpelanca/ Zhupa: Betonizuat zonat e mbrojtura! Butrinti, qofteri! Kumbaro: Rritëm sipërfaqen e tyre


SI.E./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Tabaku nga Kuvendi: Fitorja e tretë e Profesionistëve të Lirë ndaj pandershmërisë së Qeverisë! Akti Normativ rikthen paratë e marra padrejtësisht

Tabaku nga Kuvendi: Fitorja e tretë e Profesionistëve të Lirë ndaj pandershmërisë së Qeverisë! Akti Normativ rikthen paratë e marra padrejtësisht