Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka zhvilluar ditën e sotme në Kuvend interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, lidhur me rritjen e çmimeve për shkak të luftës në Iran dhe masat e ndërmarra nga qeveria për zbutjen e krizës.

Gjatë fjalës së tij Bozdo tha se qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të zbutur pasojat e krizës dhe për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve më në nevojë, pas rritjes ‘drastike’ të çmimeve.

Duke qenë se Shqipëria është ndër vendet më të varfëra të Europës, sipas Bozdos, me mos-ndërhyrjen e qeverisë, kriza e rritjes së çmimeve bëhet edhe më e ndjeshme për qytetarët.

“Interpelanca është thirrur për të marrë përgjigje nëse ka ndërmend të bëjë diçka qeveria shqiptare, në kushtet kur për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme është verifikuar rritje shumë e ndjeshme e çmimeve të karburantit, plehrave kimik dhe mallrave të shportës ushqimore. Të treja grupet që ndikojnë drejtpërdrejtë në shtrenjtimin e jetës për shqiptarët, por edhe në mundësinë e sektorit ekonomik industrial dhe agrobujqësor. Kjo interpelancë ka në themel 4 argumente. Çmimet janë rritur në çdo sektor të jetës ekonomike. Shqiptarët janë ndër popujt më të varfër, ndoshta populli më i varfër në Europë, duke bërë çdo rritje çmimi më të ndjeshme. Shqipëria nuk ka marrë asnjë masë për situatën aktuale, kur shtetet fqinje kanë ndërhyrë me shpejtësi”, tha mes të tjerash Bozdo.

Më tej Bozdo solli në Kuvend shembujt e masave të marra nga disa shtete të Europës, përfshi Italinë dhe Gjermaninë, për zbutjen e krizës së çmimeve, e shkaktuar nga lufta në Iran dhe bllokimi i Ngushtincës së Hormuzit.

“Çfarë ekzaktësisht po planifikon qeveria shqiptare kur çmimet e karburantit janë rritur me 30%, çmimet e plehrave kimikë janë rritur me rreth 40% dhe çmimet e ushqimeve bazë janë rritur veçanërisht ato të fruta perimeve, të cilat e kanë kaluar 30%. Gjermania ka miratuar një paketë prej 1.6 miliardë eurosh, duke ulur taksën e energjisë dhe TVSH-në për të mbrojtur konsumatorët. Italia po shpërndan kartën e dedikuar me rreth 500 euro për familjet në nevojë dhe ka ulur akcizën e karburanteve me një kosto prej 500 milionë eurosh, etj. Të gjitha këto vende po përdorim buxhetet e tyre për mbrojtjen e qytetarëve, ndërsa Shqipëria jo”, vijoi më tej Bozdo.

Nga ana tjetër, ministrja Ibrahimaj tha se qeveria shqiptare po vepron me përgjegjësi dhe maturi, për të shmangur abuzimet dhe panikun, si dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik.

Sipas Ibrahimajt, për qeverinë shqiptare pas nisjes së luftës ishte zinxhiri i furnizimit me karburant (që të mos ndërpritej furnizimi me karburant për vendin). Pasi u sigurua që sdo të kishte problematika në zinxhirin e furnizimit me naftë, Ibrahimaj tha se qeveria nisi monitorimet për karburantet, por edhe për subjektet tregtare në terren, për të mos pasur abuzim të çmimeve.

“Kur flasim për çmimet e karburantit, flasim për një zinxhir efektesh që ndihen në jetën e përditshme të qytetarëve. Në këto situata ne duhet të analizojmë dhe të veprojmë me maturi, me transparencë dhe me veprime që i shërbejnë interesit publik, kryesisht shtresave më të prekura nga këto rritje. Pyetja kryesore është si ka vepruar qeveria shqiptare për të shmangur abuzimet dhe për të të ruajtur stabilitetin ekonomik. Përgjigja është po, ne kemi vepruar me përgjegjësi dhe maturi. Kemi shmangur panikun, kemi shmangur spekulimet dhe premtime që janë të pamatura, që dëmtojnë buxhetin. Kemi zgjedhur të reagojmë me qetësi, në ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë të vendit. Detyra jonë kryesore është që të veprojmë me përgjegjësi përballë pasigurive që ndikohen nga kriza ndërkombëtare. Ne jemi përpjekur të monitorojmë rritjen e kostove. Ne gjatë muajve të kaluar, që prej fillimit të luftës në Lindjen e Mesme, ngritëm një komunikim të menjëhershëm me furnizuesit e karburantit në vend. Shqetësimi ynë i parë ishte zinxhiri i furnizimit, që të mos kishim mungesë të karburantit në vend. Ne ngritëm disa grupe që të monitoronin që të mos kishte abuzime me rritjen e çmimit të karburanteve, por edhe të produkteve të tjera. U aktivizua Bordi i Transparencës për karburantet. Ne gjykojmë që masat e marra e kanë pasur një efekt konkret”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.

Më tej Ibrahimaj tha se taksat në çmimin e përgjithshëm të naftës zënë 51.6%, ku peshën kryesore e zë taksa e qarkullimit. Ibrahimaj e cilësoi të drejtë futjen e taksës së qarkullimit brenda çmimit të naftës, pasi sipas saj, aty ajo matet në bazë të konsumit (kush konsumon më shumë, paguan më shumë taksë).

Nëse taksa e qarkullimit do të ishte fikse për të gjithë qytetarët, sipas Ibrahimajt do të ishte e padrejtë, pasi edhe të pasurit, edhe të varfërit do të paguanin njësoj.

“Një element që kërkon sqarim, është edhe pesha e taksave në çmimin final të naftës. Pesha e taksave në çmimin final të naftës është 51.6 %. Kjo përfshin komponentët final që lidhen me akcizën, taksën e qarkullimit, taksën e karbonit, etj. Në Shqipëri taksa e qarkullimit është e lidhur me konsumin. Paguan më shumë ai që konsumon më shumë. Ne nuk duam që kjo taksë të jetë e shpërndarë për të gjithë qytetarët njësoj, por është një taksë që lidhet direkt me konsumin. Nëse kjo taksë do të hiqej nga çmimi për litër dhe do të duhej të zëvendësohej diku tjetër, padyshim që barra fiskale për një numër më të madh të popullatës do të rritej. Një taksë fikse në gjykimin tonë do të ishte më e padrejtë. Deri më sot faktet janë këto: ‘çmimet ndërkombëtare të naftës janë rritur më shumë se çmimet në tregun vendas. Inflacioni mbetet i moderuar. Inflacioni ushqimor mbetet në nivele më të ulëta dhe në rënie të ritmit të ritjes, krahasuar me vitin e kaluar. Çdo masë e re sociale do të aktivizohet menjëherë, nëse situata përkeqësohet. Qeveria nuk do të qëndrojë duarkryq, por në rastet kur tregu funksionon, ndërhyrjet janë të panevojshme”, vijoi më tej Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, Bozdo hodhi akuza ndaj qeverisë se po ‘mbushnin xhepat’ me para që nuk u takojnë. Ai deklaroi se qeveria nuk ka ndihmuar në një ndarje të drejtë të të ardhurave, sidomos në këtë kohë krize.

Më tej Bozdo solli edhe disa shifra në Kuvend, sipas të cilave rreth 45% e fëmijëve shqiptarë po jetojnë në varfëri apo në kushtet e përjashtimit social.

Më tej Bozdo tha se rritja e çmimeve në Shqipëri është në proporcion të zhdrejtë me rritjen e pagave, ku hoqi edhe një paralelizëm me çmimet dhe pagat në BE.

“Jeni kaq të kujdesshëm sa keni zgjedhur të fryni xhepin tuaj me para që nuk ju takojnë ju. Janë para që vijnë nga rritja e çmimeve prej krizës dhe të mos jepni asgjë mbrapsht. Deri këtu arrin kujdesi juaj absurd. Pastaj thatë që pa ndërhyrjen tuaj, çmimet do të ishin rritur. A thua se ne kemi ardhur këtu sepse janë ulur çmimet. Lidhur me taksën e qarkullimit, shqiptarët e paguajnë 2 herë. 45% e familjeve shqiptare me fëmijë jetojnë me rrezik varfërie apo përjashtimi social. Kjo do të thotë se gati gjysma e fëmijëve në këtë vend rriten pa siguri ekonomike dhe ushqim të mjaftueshë. Ndërkohë fuqia blerëse e shqiptarëve është më e ulëta në rajon dhe BE, në një kohë që çmimet e naftës i kemi më të lartat në BE. Çmimet janë afruar me BE shumë më shpejtë sesa të ardhurat. Çmimet kanë arritur në 64% të nivelit të BE-së, por të ardhurat janë 21 %. Diferenca, më e larta në rajon. Situata me fermerët është katastrofike. Nuk punohet toka me këto çmime karburanti, ndërkohë që plehrat kimikë janë rritur shumë. Lajmërimi i sotëm i komisionerit për energjinë ishte ‘bëhuni gati, konflikti s'ka mbaruar. Filloni racionimin e karburantit dhe përgatituni për rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore’”, shtoi më tej Bozdo.