JOHANESBURG - Gjatë homazheve në nder të Nelson Mandelas ditën e martë u vu re një interpret i gjuhës së shenjave për shurdhmemecët, i cili me interpretimin e tij para një audience prej milionë njerëzish në të gjithë botën, ngjalli zemërimin e shurdhmemecëve.

"DeafSA", shoqata e shurdhmemecëve në Afrikën e Jugut dënoi prezencën e këtij personi të panjohur gjatë homazheve për Nelson Mandela-n.

Siç mund të shihet edhe në video, personi në fjalë fillon të lëvizë duart në mënyrë të pakuptimtë për të përkthyer në gjuhën e shurdhmemecëve, atë që po thuhej. Burri mbante në qafë një lejë-kalimi zyrtar, prandaj kaloi pa u vënë re nga forcat e sigurimit dhe u kujtua se seriozisht ishte aty për atë punë.

Por sipas një zyrtari të "DeafSA", shenjat e tij nuk kishin asnjë kuptim.

Policia ka filluar menjëherë kërkimet për këtë mashtrues dhe mbetet ende për t’u zbuluar se kush ia dha lejë-kalimin zyrtar i cili e lejoi të futej pa shumë probleme dhe kontrolle në stadium.

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)