TIRANE - Në intervistën e parë në media si politikan, në emisionin “ZIP” Alfred Peza flet për elementët e fushatës në radhët e PS për 23 qershorin.

Raporti juaj me të gjithë politikanët më të rëndësishëm të këtyre viteve, me Nanon, Berisha, Rama dhe Meta?
Me të gjithë kam qenë i baraslarguar dhe barasafruar me të gjithë. Përveçse Sabri Godos, të cilin kam pasur shumë–shumë mik, pothuajse baba, për një periudhë gati 10-vjeçare, pasi ai nuk ka qenë një politikan aktiv, në sensin që të ishte kryetar i ndonjë partie politike. Ai ishte President nderi. Nga ana tjetër kam pasur dhe kam marrëdhënie shumë speciale me Alfred Moisiun, me nunin tim, që më ka dhënë emrin kur linda, për shkak se punonte me tim atë. Ai është modeli i politikanit që dua t’i ngjaj. Nga ana tjetër, kam pasur marrëdhënie me të gjithë liderët e tij politikë shqiptarë, me Fatos Nanon, me Sali Berishën, me Edi Ramën, me Ilir Metën dhe shumë të tjerë, me Pandeli Majkon, me Bashkim Fino. Flas për këta që kanë qenë në pozicionet e kryeministrit e president. Me Rexhep Meidanin, me Bujar Nishanin, sigurisht, kemi qenë edhe shok shkolle bashkë dhe jemi miq. Ashtu sikundër kam shumë miq në të majtë dhe të djathë. Por, qenia në politikë i ndan gjërat.

Gjatë prezantimit tuaj në Peqin bëtë edhe disa premtime për të ndryshuar Peqinin...?
Unë u ndala në fakt, në fund, tek futbolli. Sepse futbolli në Peqin, është jetë, është argëtim, është fe, është raki, është gëzim, është hidhërim. Dhe ata njerëz nuk kanë shumë mundësi dhe hapësira për t’u argëtuar, dhe futbollin e përjetojnë më shumë se sa feja e vet. Sigurisht që me futbollin është luajtur atje, është luajtur me ndjenjat e atyre njerëzve për këtë dashuri të tyre të zjarrtë, për futbollin. Por, koncepti im është një koncept krejt ndryshe për sa i përket qasjes dhe ndërtimit të marrëdhënieve me këtë dimension kaq të rëndësishëm për qytetin. Por sot futbollistët i përzgjedh politika dhe duhet të përcaktojë se kush është apo kush s’është talent. Janë djegur me dhjetëra e qindra talente dhe kjo është treguesi i asaj që në Shqipëri gjithçka është politizuar deri në palcë.
 
Si ka qenë puna juaj në terren, pasi ndryshe është drejtor informacioni dhe ndryshe përfaqësues i një zone të caktuar?
Ndryshe është të jesh politikan studiosh dhe ndryshe është politikan terreni. Duhet të punosh çdo ditë me njerëzit, për njerëzit dhe që të arrish të kuptosh çfarë ata duan, në mënyrë që të kesh mundësi pastaj që t’i përkushtohesh dhe t’i shërbesh. Në ndryshim nga shumë politikanë të cilët kanë krijuar modelin e politikanit bajraktar të zonës, të fshatit, të lagjes, të qytetit ku i kanë votuar, të njeriut ku dhe oksigjeni, vdekja dhe puna varet vetëm nga deputeti. Unë jam kundër këtij modeli. I gjithë shteti, qeveria, mazhoranca, sot janë shndërruar në një makinë elektorale, kanë vetëm një qëllim: Janë fokusuar vetëm te mbajtja e kolltukut me çdo çmim dhe me çdo kusht. Në filozofinë para 1990 kemi mësuar që dhe në komunizëm ka të drejtë borgjeze pa borgjezi. Ndërkohë që sot në terren konstatoj se ka të drejtë komuniste në pluralizëm. Që do të thotë se persekutohen njerëzit në linjë gjaku. Është një situatë terrori. Pas 23 vitesh pluralizëm të jetë në terren një terror i tillë nga një parti në pushtet, kjo është për të ardhur keq. Sepse nga këtu duhet të fillojë rilindja dhe ndryshimi, ku njerëzit të çlirohen nga ky makth, ku politikanët dhe deputetët duhet të votohen mbi bazën e atyre çfarë bëjnë për qytetarët dhe jo nga fakti që mbajnë pranë vetes së tyre 10, 20 apo 30 veta me shumë rroga dhe privilegje, dhe më pas 20-30 veta marrin peng një zonë të tërë dhe me metoda terrori duan t’i mbajnë nën kthetra. Ne do t’i çlirojmë.

Ky është dhe shpjegimi për fjalon regjim...?
Regjimi është ai që të gjitha energjitë i fokuson pikërisht për mbajtjen e kolltukut dhe shndërrohet jo në një makinë për të ndërtuar programe zhvillimi për vendin, që të hapen vende pune, që të sjellin zhvillim, integrim e kështu me radhë, dhe ku më pas njerëzit për shkak të këtyre politikave arrijnë të votojnë apo të mos votojnë. Por, në fakt, regjim është përdorur me këtë kuptim që: Qeveria aktuale e mazhoranca aktuale po bëjnë gjithçka për të mbajtur me çdo çmim dhe kusht pushtetin, pavarësisht se ne themi standarde demokratike, pluralizëm, të drejta të njeriut e kështu me radhë. Këto janë një retorikë krejt boshe. Realiteti në terren është krejt tjetër. Regjimi për ta kuptuar do ju jap një shembull fare të thjeshtë. Një qeveri duhet të jetë në anën e popullit dhe në shërbim të qytetarëve dhe të interesit publik.

Cilat janë veçoritë e situatës të procesit elektoral në Qarkun e Elbasanit?
Veçoria është kjo që është një qark që ka problematika shumë të theksuara nga pikëpamjet social–ekonomike. Ka papunësi masive, jo vetëm në Peqin, por edhe në Elbasan dhe në të gjithë qytetet e tjera që përbëjnë qarkun e Elbasanit, duke filluar në Librazhd, Përrenjas, Gramsh, Belsh, Cërrik dhe kështu me radhë. Ka një problematikë shumë të theksuar për sa i përket biznesit, i cili pothuajse është asfiksuar dhe bllokuar totalisht. Ka një mungesë vizioni për të ardhmen e atyre qytetarëve atje. Kështu që, nga ana tjetër, kemi një ekip shumë të mirë deri tani në Qarkun e Elbasanit. Është ndoshta një nga ekipet më të mira në Shqipëri që po krijon Partia Socialiste me Ben Blushin, me Damian Gjiknurin, me Taulant Ballën dhe unë, por edhe shoqe e zonja, zonjusha që mund të jenë nesër. Sepse e do dhe formula 1 në 3 kandidatë duhet femër. Nga ana tjetër do të ketë shumë prurje të reja, jemi akoma në proces, kemi dhe dy muaj të tjerë për të finalizuar listën dhe nga ana tjetër kemi të gjithë të drejtën e zotit me vete për shkak të keqqeverisjes së vendit në këto 23 vjet. Votat e të majtës janë atje. Problemi i të majtës, është solidariteti. Ka probleme të solidaritetit të cilat po sheshohen.

Si është pritur vendimi nga ish–kolegët gazetar, politikanët...?
Kam marrë mijëra mesazhe nga përkrahës, simpatizantë, anëtarë të thjesht dhe deri tek drejtuesit e grupit parlamentar socialist, kryetar asambleje, kryetar partie në rrethe, pothuajse të gjithë pa përjashtim, ish-drejtues apo ish-funksionarë shumë të lartë të së majtës shqiptare si Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi, Rexhep Meidani, të cilët më kanë bekuar dhe uruar, çfarë ma kanë bërë shumë të lehtë këtë dyjavësh të parë si politikan.