Një ish-pilot i Air Canada akuzohet se ka transportuar mbi 100 mijë pasagjerë për gati 17 vjet me një licencë të falsifikuar. Rasti, i bërë publik nga policia rajonale e Ontarios, ka tronditur ekspertët e aviacionit për kohëzgjatjen, përmasat dhe mënyrën e sofistikuar me të cilën i dyshuari dyshohet se ka shmangur kontrollet e një prej sistemeve të sigurisë më të rregulluara në botë. Jo vetëm kaq. Burri, i cili doli në pension në fund të vitit 2025, ka mbajtur edhe poste të ndryshme në shoqatën profesionale të pilotëve të kompanisë ajrore kanadeze.

Dyshimet

Geoffrey Wall, 59 vjeç, u arrestua më 1 qershor në kuadër të një hetimi të ndërlikuar për mashtrim, të koduar me emrin “Project Icarus”. Hetimi kishte nisur në janar, pasi autoriteti kanadez i transportit, Transport Canada, verifikoi dokumentacionin e licencës së Wall, i cili punonte si kapiten i linjave ajrore komerciale.

Gjatë analizës së dokumenteve që ai kishte paraqitur në kuadër të një vlerësimi rutinë operacional, të zhvilluar një vit më parë në aeroportin e Torontos, u konstatuan disa parregullsi që ngritën dyshime mbi vlefshmërinë e kredencialeve të tij.

Hetimet dhe licenca e falsifikuar

Sipas akuzës, Geoffrey Wall zotëronte një licencë piloti komercial, por nuk ishte i autorizuar të transportonte pasagjerë në fluturime ndërkombëtare me avionët që pilotonte.

Hetimet dyshojnë se Wall iu bashkua Air Canada në vitin 1998. Në vitin 2009, kur u promovua në postin e kapitenit, ai dyshohet se falsifikoi licencën e transportit ajror – dokument i domosdoshëm për pilotimin e avionëve komercialë – pasi nuk e kishte marrë kurrë zyrtarisht. Sipas autoriteteve, ai nuk kishte përfunduar as provimet e detyrueshme për ta siguruar këtë licencë.

Mbi 900 fluturime si komandant

Sipas hetimeve, nga viti 2009 deri në vitin 2025, Geoffrey Wall ka komanduar mbi 900 fluturime brenda dhe jashtë Kanadasë, duke transportuar dhjetëra mijëra pasagjerë me avionë të tipit Boeing 767, 777 dhe 787.

Gjatë kësaj periudhe, ai dyshohet se ka përfituar një pagë prej afro 3 milionë dollarësh kanadezë, ose rreth 2 milionë euro me kursin aktual të këmbimit.

Prokuroria pretendon gjithashtu se, për të penguar hetimet dhe për të larguar dyshimet mbi dokumentacionin e tij, Wall paraqiti një kallëzim të rremë në polici, duke pretenduar se dokumentet e tij si pilot i ishin vjedhur.

Akuzat

Geoffrey Wall përballet me një akuzë për mashtrim, dy akuza për përdorim dokumentesh të falsifikuara, tre akuza për posedim të vulave ose shenjave të falsifikuara dhe një akuzë për kallëzim të rremë në polici.

Përveç procedimit penal, ai është gjobitur edhe nga autoriteti kanadez i transportit, Transport Canada. Seanca e parë gjyqësore është caktuar për më 29 qershor 2026.

Në një deklaratë zyrtare, Air Canada bëri të ditur se piloti u largua menjëherë nga shërbimi sapo u zbulua situata. Kompania shtoi se ishte ajo vetë që e raportoi rastin pranë autoriteteve kompetente.

Reagimet

Air Canada ka theksuar gjithashtu se, pas një auditimi të brendshëm të nisur pas zbulimit të rastit Wall, nuk janë konstatuar raste të tjera mospërputhjeje me kërkesat për licencim të pilotëve.

Kompania ka siguruar se siguria e pasagjerëve nuk është vënë asnjëherë në rrezik, duke theksuar se të gjithë pilotët i nënshtrohen trajnimeve të detyrueshme periodike çdo gjashtë muaj, si dhe një kontrolli praktik në fluturim çdo 12 muaj nga një pilot i certifikuar i Transport Canada.

Sipas kompanisë, këto procedura të rregullta mbikëqyrjeje dhe vlerësimi garantojnë standardet e sigurisë së fluturimeve, pavarësisht rastit të veçantë që është aktualisht nën hetim.

Postimi i fshirë i pilotit

Pas 12 vitesh shërbim në Forcat Ajrore Mbretërore Kanadeze, Geoffrey Wall u punësua si pilot në Air Canada në vitin 1998.

Në një postim të publikuar së fundmi në blogun e një universiteti kanadez, i cili më vonë u fshi, Wall rrëfente fillimet e karrierës së tij në kompaninë ajrore.

“Mbaj mend që mendoja se nuk kisha asnjë shans për ta fituar atë vend pune, por vendosa të provoja dhe kjo më çoi në një karrierë 25-vjeçare”, shkruante ai.

Në të njëjtin postim, Wall tregonte se gjatë karrierës së tij kishte pilotuar avionë të modeleve DC-9, Airbus A320, Embraer, Boeing 767 dhe Boeing 787, ndërsa doli në pension duke fluturuar me Boeing 777.

“U bëra një urë lidhëse për të tjerët”

Në të njëjtin postim, Geoffrey Wall fliste edhe për rolin që kishte luajtur gjatë karrierës së tij, duke theksuar rëndësinë e besimit dhe marrëdhënieve me njerëzit.

“Gjithmonë kam besuar te ndihma ndaj njerëzve për t’u orientuar në sisteme që mund të duken të ndërlikuara dhe konfuze. Në shumë aspekte, ajo punë bazohej te marrëdhëniet dhe besimi”, shkruante ai.

“Më pëlqen të them se jam bërë një urë lidhëse, dikush që ndoshta nuk i ka të gjitha përgjigjet, por di se kush i ka dhe sigurohet që njerëzit të marrin mbështetjen për të cilën kanë nevojë”, vijonte Wall në postimin e tij.

Raste të ngjashme

Ekspertët e aviacionit theksojnë se raste të ngjashme janë regjistruar edhe më parë, por rrallëherë me përmasa të tilla.

Një nga precedentët më të njohur është ai i Tom Salme, i cili fluturoi si kapiten për disa kompani ajrore për 13 vjet, duke grumbulluar rreth 10 mijë orë fluturimi, pa zotëruar një licencë të vlefshme piloti.

Sipas raportimeve, ai kishte falsifikuar një certifikatë suedeze dhe kishte aplikuar pranë kompanisë italiane Air One, ku u punësua fillimisht si oficer i parë. Më pas, ai vijoi karrierën e tij në kompaninë Corendon Airlines, përpara se mashtrimi të zbulohej nga autoritetet.

Rasti që frymëzoi filmin e famshëm

Një nga rastet më të njohura të mashtrimeve në botën e aviacionit është ai i Frank Abagnale, historia e të cilit u bë e famshme përmes filmit Catch Me If You Can, ku rolin kryesor e interpreton Leonardo DiCaprio.

Abagnale falsifikoi një dokument identiteti si pilot dhe një licencë të Administratës Federale të Aviacionit të SHBA-së (FAA), duke u paraqitur si pilot i kompanisë Pan Am për të përfituar udhëtime falas me avion.

Megjithatë, ndryshe nga rasti i Geoffrey Wall, ai nuk pilotoi kurrë realisht një avion. Abagnale arriti vetëm të fitonte akses në kabinën e pilotimit dhe të udhëtonte sikur të ishte pjesë e ekuipazhit të fluturimit.