Intervista/Armand Bora: Pse e
themeluam teatrin e ri të prozës

Intervista/Armand Bora: Pse e<br />themeluam teatrin e ri të prozës
TIRANE - Ditari i një diplomati të zbritur në moshën 34-vjeçare nga “planeti i bunkerizuar” komunist, shkruar nën presionin e mahnitjes nga bota e lirë perëndimore në Francë bëhet pjesë e një premiere të re. Ndërkohë kjo premierë do të jetë edhe pagëzori i një institucion të ri, Teatrit të Vogël të Tiranës.

Ky teatër do të ketë një sallë me 120 vende. Regjisori Armand Bora rrëfen në intervistën tij për “Shqiptarja.com” se për dy javë publiku elitar i kryeqytetit do të njihet me një zhanër të ri teatri, për të cilin thotë se është “larg uniformizmit, me të cilin shfaqen së paku 3-4 teatro kryesore të kryeqytetit”.

Protagonistë në këtë teatër do të jenë shkrimtarë dhe autorë librash si Besnik Mustafaj, Tedor Laço, dhe shkrimtarë të tjerë të njohur nga vendi dhe bota. Ditari i Besnik Mutafajt i ardhur tashmë në një libër do të jetë premiera e parë e një teatri alternativ që ka si bosht estetik tërheqjen e lexuesit të prozës nëpërmjet skenës.

Regjisori Armand Bora ka qenë në kërkim të një ambienti komod për një numër të kufizuar të publikut elitar, “ose më saktë të publikut të kultivuar”, siç thotë ai. Sipas Borës natyra e premierave që do vihen në Teatrin e Vogël të Tiranës ofron  prozën e natyrës së tregimit, ditarit, traktatit filozofik etj.

Bora thotë për “Shqiptarja.com se kjo shtysë artistike përputhet me interesin e mikut të tij Thanas Gegës, me begraund artistik, i cili e ka ndihmuar edhe për menaxhimin dhe ngritjen e një salle me 120 vende. Teatri do të ngrihet pranë qendrës Kulturore “Robert Radoja”.

PO çfarë përmban libri ditar i ish diplomatit shqiptar në Francë, Besnik Mustafajt. “Ky libër mbart përmbledhtazi tharmet e qasjes sime personale ndaj Francës dhe Europës Perëndimore në përgjithësi.”, thotë autori Mustafaj, ndërkohë që pika më e fortë e këtij ditari është situata parazgjedhore e zgjedhjeve të 94-ës Miteran-Shirak në Francë.

Armand si të erdhi ideja për të ngritur një teatër të ri, kur dihet që në Tiranë nuk ka aq shumë premiera edhe pse janë afër 4 teatro në funksion administrativ?
-Ideja lindi si nevojë artistike, edhe nga fakti që në Tiranë ka një mungesë ofertash të formave dhe gjuhëve të ndryshme të artit skenik. Po të shikosh ka vërtetë tre katër teatro në Tiranë si Tetari Kombëtar, Teatri i Metropolit, tetari i Akademisë së Arteve, etj që ofrohet e njëjta formë teatrore.

Mua më ka shqetësuar fakti që mungon proza në teatër. Duhet të ketë një lidhje me lexuesin e prozës nëpërmjet skenës. Kjo më ka bërë në kërkim të një ambienti ku për një numër të kufizuar të publikut elitar, ose më saktë të kultivuar do të ofrohet prozë e natyrës së tregimit, ditarit, traktatit filozofik etj.

Kjo shtysë artistike përputhet me interesin e një mikut tim Thanas Gega me një begraund artistik i cili ka studiuar në akademinë e arteve dhe duke më ka ndihmuar për menaxhimin, ku ngriti një sallë me 120 vende. Teatri i Vogël i Tiranës do të ngrihet pranë Qendrës Kulturore “Robert Radoja”.

Në çfarë faze të këtij projekti jemi?
-Salla ka përfunduar. Ne jemi duke punuar me premierën e parë në skenë. Premiera e parë do të jetë “Ditari” që ka mbajtur Besnik Mustafaj një vit parazgjedhor, 1994, për zgjedhjet e Francës Miteran-Shirak. Ditari ka një përzgjedhje interesante duke u fokusuar në një këndvështrim personal të një ambienti zgjedhor në Francë.

Edhe për një lexues shqiptar Besniku ka ditur të marrë spunto nga një ngjarje konkrete. Këto ngjarje dalin në skenë konkretisht edhe për lexuesin shqiptar. Interesante është se leximin nuk do ta bëjë një aktor profesionist, por një intelektual, Virgjil Kulaj, që u është rikthyer kontratave me lexuesin dhe shikuesit përmes librave të tij të fundit.

Ju keni theksuar se teatrot e Tiranës edhe pse janë të shumtë kanë një lloj uniformizmi. Cili është mendimi juaj, si kanë funksionuar 3-4 teatrot kryesore të dramës në Tiranë?
-Edhe pse e kanë pasur mundësinë që të pozicionohen me ndryshime në ofertën e tyre në raport me publikun, që të bëjnë shfaqje për kategori të ndryshme të publikut, të spikasin me alternativa, fatkeqësisht; përveç emrit që kanë Teatri Kombëtar, Teatri i Metropolit, Teatri i Komedisë, etj, në këto institucione shfaqen ato lloje dramash që fare mirë mund të vihen në skenën e çdo teatri.

Asgjë nuk ndryshon nga mënyra sesi vihet një pjesë në Teatrin Kombëtar. Pra, mund të shikosh vepra që vihen në tri salla të ndryshme teatrosh, pa ndryshuar në asgjë nga njëra-tjetra, përpos absurdit që kemi Teatrin e Komedisë dhe a thua i mungon e drejta të ngjisë në skenë komedi apo dramë vetë Teatri Kombëtar.

Apo, a thua i mungon e drejta vetë Teatrit të Komedisë që të ngjisë në skenë tragjedi p.sh. Nëse do të kishte një sallë ku do të shfaqej varieteja, vodevili, apo teatri muzikor (musical) do të ishte ok që të kishim edhe një sallë specifike për këto zhanre.

Dhe tashmë ju vetë do të ruani një profil të caktuar teatror. Si do t’ia bëni?
-Kjo sallë me 120 vende dhe ky teatër i ri do të ketë si shtyllë estetike teatrin e prozës, por nuk mohohet mundësia e teatrit për fëmijë, për monodramat dhe për klubet e hapura. Kjo formë e re leximi do të bëhet edhe në bashkëpunim me UET-in që presupozon kontaktin me një moderator e të ftuar, ku do të jetë i pranishëm edhe një brez studentor me një ofertë të ideve të hapura. 

Cilët do të jenë protagonistët e parë?
-Janë disa autorë që do të vijnë për të treguar prozën ne teatër. Në projektet e afërta kemi tregimet e Teodor Laços me temat e emigracionit. Por e para do të jetë premiera me Besnik Mustafajn, ku leximi do të shoqërohet me materiale audio, filmime, etj.

FRAGMENT NGA “DITARI” I BESNIK MUSTAFAJT

 

 Miterani më kujton “Koncertin” e Kadaresë


 “E martë, 19 korrik 1994

Në të gjithë shtypin e sotëm flitet gjerësisht për gjendjen shëndetësore të Presidentit Miteran. Dje ai ka bërë një operacion shumë të vështirë, për të cilin lajmërohet se fatmirësisht ka dalë mirë. Mësova se ai është i pari që ka futur informimin e publikut mbi gjendjen shëndetësore të të Zotit të Elizesë.

Është një ç’mitizim i rëndësishëm, që e nderon Miteranin.  Për keqësimin e shëndetit të Pompidusë nuk ishte marrë vesh asgjë derisa ai kishte dhënë shpirt. Kjo më kujton fshehtësinë e plotë që ruhej rreth sëmundjeve të Enver Hoxhës dhe të udhëheqësve të tjerë të lartë komunistë. Gjendja e tyre shëndetësore bënte pjesë te sekretet e mëdha shtetërore.

Deri aty shkonte absurditeti i këtij sekreti, sa romanit të Ismail Kadaresë Koncerti iu vonua për më shumë se pesë vjet botimi vetëm pse në një episod fare të parëndësishëm diku, ku përshkruhet një pritje zyrtare, një anëtar i një delegacioni kinez pyet si shkarazi një përfaqësues shqiptar për shëndetin e shokut Enver.

Me këtë detaj fare të papërfillshëm në një roman prej gjashtëqind faqesh, Kadare kishte bërë një gabim të rëndë ideologjik, që e pagoi mjaft shtrenjtë. Si kishte guxuar ai, (domethënë shkrimtari) të shkonte nëpër mend se udhëheqësi mund të kishte ndonjë problem shëndetësor? E kuptonte ai se çfarë shqetësimi sjell në popull një hamendje e tillë?”

Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 09.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve