Sezoni turistik/ Blendi Klosi për Report Tv: Për 2 vite kapim ritmin e para pandemisë! Turistë në Greqi? Vendimi merret nga BE

Teksa e gjithë bota tenton që ritmin e turizmit që ishte në vitin 2019 ta kapë për 5-6 vite, pasi goditja e pandemisë ishte shumë e madhe, Shqipëria synon që ta arrijë për 2 vite. Në një intervistë nga 'Syri i Kaltër', ministri Klosi tha ekskluzivisht për Report Tv se  në vitin 2022 ne mund ti afrohemi 2019-s pasi akoma jemi një vend në zhvillim të resorteve turistike, në zhvillim të ofertës turistike.

"Unë kam bindjen e thellë që shumë shpejt ne do të kapim 10 milionë turistë të huaj në vendin tonë, por sot në këto momente që flasim jemi ende në 1/3 e ofertës turistike që të ofron Shqipëria sot", tha ai.

Ministri Klosi foli në intervistën për Report Tv edhe për marrëveshjen me Greqinë për të lejuar qytetarët që të vizitojnë vendet respektive për turizëm. Klosi tha se marrëveshja ishte kuadër, por vendimi përfundimtar merret nga institucionet e Bashkimit Evropian.

Turizmi është një nga sektorët kryesor të ekonomisë së vendit, i cili konsiderohet edhe si çelësi kyç për rimëkëmbjen ekonomike. Por cilat janë objektivat e këtij viti? A do të jemi të aftë të presim një numër të konsiderueshëm turistësh dhe ç’është më e rëndësishmja nga cilat shtete Shqipëria ka më shumë shpresa për një numër të lartë vizitorësh? Të gjitha këto do ti diskutojmë me ministrin e turizmit zoti Blendi Klosi. Zoti ministër cilat janë objektivat tua kryesore në nisje të këtij sezoni?

Duhet ta pranojmë në fakt publikisht që turizmi vijon të jetë nën thundrën e pandemisë, pra akoma nuk mund të flasim për një turizëm të çliruar nga pandemia kjo jo vetëm për ambientin tonë të brendshëm, por tashmë turizmi në Shqipëri nuk funksionon vetëm me turizmin që sigurohet nga lëvizjet e brendshme dhe ato të rajonit por në Shqipëri kemi turistë që vijnë nga vendet e huaja të organizuara. Nga vendet e BE që është edhe turizmi më i organizuar dhe që janë edhe burimi kryesor i turizmit në Shqipëri. Janë shqiptarët që jetojnë në Greqi, në Itali apo Evropë që kthehen për të bërë turizëm në Shqipëri, dhe për sa kohë raporti i vetë Bashkimit Evropian me turizmin është i koklavitur vendet që jetojnë me turizmin, vendet që e kanë burimin kryesor të zhvillimit të ekonomisë së tyre turizmin dhe që janë pjesë e BE-së si Spanjë, Itali, Greqi apo Francë janë tashmë në një diskutim shumë intensiv porsa i përket vendosjes së një protokolli porsa i përket lëvizjes turistike në vendet e mëdha burim turizmi qoftë të BE apo jo që jetojnë me këtë biznes. Prandaj nuk është vetëm një problem shqiptar, por rajonal. Në rast se kemi një lehtësim të lëvizjes turistiket vendeve të mëdha dhe dakordësisë që ata të vizitojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë konkretisht do t’ja dalim të kemi disa milionë turistë në verën e këtij viti. Milionë turistë që garantojnë bërjen e një biznesi të konsiderueshëm por që garantojnë edhe turizëm shumë më të shtuar për 2022. Pra, 2021 unë mendoj se si objektiv duhet të ketë garantimin e jetës për bërjen e turizmit në Shqipëri, por edhe ofrimin e Shqipërisë si destinacion sidomos në vazhdim pasi është një konkurrencë jo e vogël me vendet e rajonit dhe ne në këtë konkurrencë kemi hyrë shumë fuqishëm në 2020, atëherë kur të gjithë ishin mbyllur ne ndoqëm një politikë të kufijve të hapur dhe një kontroll të madh brenda vendit dhe kjo na bëri që të fitonim një treg të ri atë të rajonit, shumë më tepër serb, maqedonas, malazez po ashtu edhe nga destinacionet që i kishim të panjohura Ukraina, Bjellorusi dhe Poloni, dhe kjo na bëri që të fitojmë një terren nga këto vende në 2021. Po ashtu Izraeli ka nisur të fluturojë në Shqipëri dhe kjo do të na garantojë jo vetëm pasjen e një biznesi mbijetese por edhe të bërjes ekonomi dhe për të vazhduar si një destinacion i qëndrueshëm për vitet në vijim.

Zoti ministër ju pak ditë më parë keni pasur dy takime të rëndësishme një me homologen tuaj serbe dhe një me homologun grek, keni arritur dy dakordësi njëra për hapjen e kufijve për turizëm me Greqinë dhe për paketa turistike të përbashkëta me Serbinë. Për ti sqaruar pak më tepër ku konsistonin këto dakordësi?

Porsa i përket Greqisë vijon të mbete një partner mjaft i rëndësishëm në botën e turizmit, jo vetëm për shkëmbimin e ndërsjellët pra të shqiptarëve që jetojnë në Greqi dhe vijnë për të bërë turizmin në Shqipëri por edhe padyshim edhe për lëvizjen e ndërsjellët të qytetarëve por edhe për vëmendjen që kemi për kufij të hapur në zonën e jugut sidomos Saranda që e vuan shumë mungesën e turistëve që vijnë nga Korfuzi por edhe nga kufiri i Igumenicës, Janinës pra zona pak në jug, prandaj një dakordësi brenda Bashkimit Evropian dhe një  dakordësi që kemi me qeverinë greke që ky proces të përshpejtoj vendosjen e një protokolli mes Shqipërisë dhe Greqisë për lëvizjen do të na ndihmoj shumë që të kemi këtë turizëm të munguar në 2020 dhe ta afrojmë me guxim në 2021 kjo do të jetë jashtëzakonisht e mirë.  Ndërsa porsa i përket Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe vendet e tjera të rajonit duhet të intensifikojmë më shumë marrëveshjet, dhe ka ndikuar shumë klima e mirë ndërqeveritare sidomos me Serbinë dhe kemi numër të shtuar të turistëve serb dhe më shumë interes nga operatorët turistik. Këtë vit do të kemi numër goxha të mirë të këtij turisti por po ashtu me homologen serbe jemi dakordësuar që të kemi një vizitë të operatorëve shqiptar në serbi për të vendosur komunikimin dhe shtimin e lehtësirave që ky biznes të jetë i qëndrueshëm dhe funksional. Infrastruktura e ndihmon shumë këtë aspekt, si dhe politikat e fqinjësisë së mirë. Por po ashtu edhe Shengeni ballkanik do e ndihmoj shumë Shqipërinë turistike që të funksionojë si një destinacion dhe një zgjedhje e parë e rajonit. Ky besoj do të jetë një objektivat kryesor të Ministrisë së Turizmit dhe të diplomacisë ekonomike shqiptare që do të duhet të vendosi prioritetin e turizmit në Shqipëri si destinacion kryesor dhe zgjidhje kryesore e vendeve të rajonit.

Në fakt ne jemi zgjedhja e parë për një numër të konsiderueshëm turistësh po të marrin 2019 kemi pasur mbi 5 milionë turistë, në vitin e kaluar 2.4 milionë turistë, por operatorët na ngrenë gjithmonë një shqetësim, ne kemi numër të lartë turistësh por të ardhura të pakta. Pse ndodh kjo në Shqipëri sipas jush?

Tani duhet ta kuptojmë që po flasim për një industri dhe si industri ka rregullat e saj të funksionimit dhe si industri nuk mund të jetë më një gjë vetëm relaksimi, pra për qytetarët është një aset relaksimi por për industrinë është një aset ekonomik dhe si i tillë duhet të ketë rregulla të forta funksionimi dhe të ketë rregulla të drejta në çmime mes ofertës dhe kërkesës dhe shtimi i kërkesës ka ndihmuar që të kemi investime të qenësishme në hotelerinë shqiptare pasi pasja e turistëve të huaj, të atyre që harxhojnë para kërkojnë shërbim më të mirë, është krijuar nevoja gjithmonë e më e madhe që të kemi dhe shumë më tepër burime të akomodimit. Prandaj them që kjo politikë vazhdon të ndihmojë njëra tjetrën, pra shtimi i numrit të turistëve shton nevojën për akomodim, shërbim por po ashtu shtimi i tyre kërkon rritjen e çmimeve, rritjen e ekonomisë dhe mendoj që edhe pse kemi diskutime të mëdha porsa i përket çmimeve ne vazhdojmë të jemi fatlum sepse kemi ofertë të pranueshme të pranueshme turistike por edhe të shtrenjtë turistike e cila krijon edhe ekonominë. Prandaj nuk duhet të jemi të fshehtë karshi këtij debati që duhet të krijojmë shërbime cilësore, të krijojmë para nga turizmi sidomos nga ai i detit që është i munguar dhe është turizëm i shtrenjtë dhe të kemi atë dakordësinë që akoma jemi konkurrentë në rajon sepse paraja e harxhuar në Shqipëri për turizmin ka vlerë. Pasi në rast se në Greqi, Kroaci kemi çmime të larta që e kanë larguar një lloj turisti, ata ende zgjedhin Shqipërinë, dhe ne nuk duhet të kthehemi vetëm në shërbim të turistit të lirë pasi kjo e shkatërron turizmin dhe është një aset i munguar për pasjen e një industrie të vërtet që prodhon para.

Në rast se të gjitha objektivat shkojnë ashtu siç ne presim, që të jenë optimiste dhe të suksesshme do mundet që Shqipëria ti kapërcej humbjet që i shkaktoi pandemia vjet?

E gjithë bota tenton që 2019 ta kapi për 5-6, pasi goditja ishte shumë e madhe, më e madhja që ka pësuar sektori i turizmit. Ndërsa ne kemi mundësinë që 2019 ta kapim për të paktën 2 vjet.

Pra në 2022?

Po në 2022 ne mund ti afrohemi 2019 pasi akoma jemi një vend në zhvillim të resorteve turistike, në zhvillim të ofertës turistike, pra unë kam bindjen e thellë që shumë shpejt ne do të kapim 10 milionë turistë të huaj në vendin tonë, por sot në këto momente që flasim jemi ende në 1/3 e ofertës turistike që të ofron Shqipëria sot. Jemi akoma një vend që ka nevojë shumë më tepër investime në hoteleri, shumë më tepër investime në infrastrukturë, dhe shumë më tepër investime për përgatitje të njerëzve për destinacionet turistike. Duhet të mos humbasin në 2021 nga mungesa e turizmit cilësinë e shërbimit. 2020 tregoi se jemi të përgatitur dhe hotelierët nuk e ulën cilësinë e shërbimit por kjo nuk do duhet të na ndodhi në 2021.

Në rast se gjithçka shkon ashtu siç është parashikuar sa turistë mund të kemi? Nga operatorët thuhet mbi 3 milionë.

Ne rreth 3 milion i patëm në 2020 megjithëse do të duhet të pranojmë se janar-shkurti i 2020 ishin muaj të mirë, na goditi tërmeti. Ky vit ka nisur me më pak se 2020 nga pikëpamja e muajve të parë por unë kam bindjen që ne do të kalojmë 2020 me diferencë në numër të turizmit por kjo varet se si do të shkoj pandemia. Është gjëja më e vështirë në këto momente të parashikosh shifra kur nuk dimë vendimmarrjen e vendeve të tjera, por edhe të vendit tonë kur nuk dimë si do vijojë me menaxhimin e pandemisë.

Shqipëria është një vend atraktiv edhe porsa i takon shifrave të ulta infektimesh, po në rast se BE vendos të jetë përsëri strik si deri tani, çfarë do të ndodh me turizmin në Shqipëri?

Nuk duhet të jemi pesimist është një politikë që nuk varet nga ne prandaj nuk bëjmë dot analizë mbi çfarë vendimi do të marrin vendet e tjera, ne po bëjmë lëvizjet diplomatike për të ofruar këto shifra shumë të mira që ne kemi në menaxhimin e pandemisë por e gjitha do të jetë pjesë e punës së vazhdueshme dhe do të shikojmë.

Për të qëndruar përsëri në vend si po vijohet me lejet kanë aplikuar operatorët në e-albania?

Është viti i dytë që ne menaxhojmë në mënyrë të përqendruar vijën bregdetar si një aset i jashtëzakonshëm kombëtar, vitin e kaluar patëm një sistem jashtëzakonisht shumë pozitiv i cili garantoi që të kishim një ndarje shumë transparente të plazheve. Përsëri e kemi hapur këtë sistem, përfituesit fundor janë bashkitë ato do mbledhin të ardhurat që vijnë nga menaxhimi i vijës bregdetare.

Ka pasur aplikime deri tani?

Aplikimet që do vijnë janë të gjitha transparente unë ju kërkoj të gjithë operatorëve të nxitojnë për të aplikuar janë rreth 1800 aplikime të bëra aktualisht për të gjitha parcelat, por do të gjykojmë që këto aplikime tu shkojnë vetëm poseduesve të hotelerisë dhe atyre që garantojnë higjienë, pastërtinë, ruajtjen e plazhit dhe sigurinë e pushuesve. Duhet të ruajmë standardin e fituar dhe ta çojmë atë përpara.

Pyetja e fundit është për protokollet anti-COVID që do të zbatohen këtë vit. Operatorët nuk e kanë pritur shumë pozitivisht vendimin e Komitetit të Ekspertëve për të ndaluar muzikën në orën 22.00 dhe për të çuar orën policore në 23.00. Si do të vijohet më tej  në terren për të shmangur abuzimet që mund të bëhen apo për të garantuar shëndetin e pushuesve?

Vendimmarrja e grupit të ekspertëve është e panegociueshme dhe duhet ta pranojmë që edhe pse jemi në kushte të vështirë, komiteti i ekspertëve ka marrë vendime shumë më liberale se vendet e tjera dhe prapë jemi avangardë porsa i përket lirisë së bërjes së turizmit në Shqipëri, por kjo nuk mjafton pasi na duhet të kuptojmë që pandemia nuk ka mbaruar dhe duhet të jemi shumë strikt. Po ashtu do doja të kujtoja që oraret e muzikës janë po të njëjtat me vitet e tjera pra kemi kufizim orari për muzikën, pasi Shqipëria është destinacion jo vetëm për festat por edhe për shumë pushues që duan qetësi dhe këtë do të duhet tua garantojmë.

K.T./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë