Intervista/ Dragusha: Arkitektura 
 profesioni që zgjoi ëndrrën time

Intervista/ Dragusha: Arkitektura <br /> profesioni që zgjoi ëndrrën time
TIRANE- Interior Desinger(mobilues i brendshëm) është një nga profesionet më të reja që po merr jetë edhe në Shqipëri. por, për të pasur një shtëpi të këndshme, duhet të orientohesh te profesionistët e arredimit. Para se të kalojm tek profesionistët, shqiptarët vazhdojnë akoma të ngelet tek disa pyetje?

A vazhdon të jetë një luks arredimi i shtëpisë? A mungojnë shijet apo projektet e arreduesve i japin tjetër kuptim kërkesave të tregut? Këto dhe shumë përgjigje të tjera na i jep arkitektja Frida Dragusha, e cila hap pas hapi na tregon eksperiencën e saj 13 vjeçare në treg, sfidat, por edhe benefitet që i ka dhënë ky profesion i cili gjatë dekadës së fundit ka marrë tjerë kuptim. Ajo ndalet edhe tek kalimi i shijeve, luksi që kërkojnë shqiptarët, por edhe tek transformimi që arreduesit profesionist kanë sjellë në Tiranë.
 
Profesione të reja, larmi shijesh, por edhe kërkesat e mëdha kanë sjellë në Shqipëri një tjetër dimension të arkitektit. Sa kohë ka që punoni si interior designer?
Kam thuajse 13 vite që punoj në fushën e arredimit dhe të arkitekturës. Pasi u diplomova në profilin e Arkitekturës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, nisa ta pëlqej çdo ditë dhe më tepër këtë profesion. Pavarësisht problematikave dhe vështirësive që ndeshim çdo ditë në këtë profesion, them me bindje që pasioni është një pjesë e  pandashme e tij.
 
Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 13 viteve, si i kujtoni fillimet tuaja?
Në fakt, fillimet kanë qenë të vështira duke provuar veten në projekte të ndryshme që kam marrë përsipër për të realizuar. Ka qenë një karrierë normale, por gjithmonë kërkuese ndaj profesionit, duke u përpjekur për të sjellë risi në treg, duke u plotësuar më tej si profesioniste.
 
Shijet e shqiptarëve kanë ndryshuar ndër vite, tashmë çdo ditë dhe më shumë po i kushtohet vëmendje arredimit të shtëpisë...?
Tregu shqiptar vinte nga një histori ku “interior desinger” ishte i panjohur, pasi para viteve ’90 të gjithë jetonim në banesa të njëjta, nuk kishte kërkesa për të përmirësuar qoftë funksionalisht, qoftë estetikisht ambientet në të cilat njerëzit jetonin apo punonin. Ndërkohë, pas viteve ‘90 ndryshimet që ndodhën u reflektuan në të gjitha fushat e jetës, vlerat e të jetuarit mirë morën tjetër rëndësi. Në kohën kur unë u diplomova në fillim të vitit 2002 tregu i “interior desinger” ishte i vakët, pasi shkollat tona nuk nxirrnin specialistë të mirëfilltë të kësaj fushe.

Hyrja në këtë treg ishte një sfidë për të gjithë të rinjtë që u orientuan tek “interior desinger”. Në këtë sfidë bashkë me ne u rritën dhe u perfeksionuan dhe kërkesat e qytetarëve ndaj punës sonë, në këtë mënyrë filloi të zhvillohej dhe të rritej konkurrenca në treg. Dua të theksoj se në këtë fushë të Arkitekturës në ato vite ishin 4-5 profesionistë, që punonin, të cilët vinin nga arkitektura apo dhe nga degë të tjera të artit figurativ si skenografia etj., pra praktikisht tregu ishte thuajse bosh.
 
Të jesh një “interior desinger” sot të krijohet një mundësi në treg. Një degë që të krijon hapësirë edhe pse konkurrenca është shtuar?
Sigurisht që kjo është një degë e re, por që gjen punë. Këtë e tregoj nga eksperienca ime 13-vjeçare, ku nuk kam qëndruar asnjë ditë pa punë, pa mbaruar akoma një projekt më sillnin një tjetër projekt. Ky është një tregues që tregu ka kërkesa, madje duhet të rrëfej se shpesh herë nuk kam qenë në gjendje t’i përgjigjem kërkesave të tregut. Duhet t’i kushtohet shumë rëndësi profesionistëve të rinj dhe sipërmarrësit të krijojnë studio që tu jepet hapësirë edhe të rinjve që kërkojnë të jenë konkurrentë në treg.
 
Cilat janë bazat ku fokusohen të gjithë bashkëpunëtorët për të rezultuar një projekt i suksesshëm?
Marrëdhënia me klientin fillimisht bazohet në faktin, që është vetë klienti ai që përzgjedh një interior designer, pra puna fillohet me një besim paraprak të klientit në vlerën e asaj që do të ofroj unë si profesionist. Njohja e kërkesave të klientit dhe programit të projektit përbën më pas bazën mbi të cilën zhvillohet i tërë projekti. Shpesh unë i ndihmoj klientët e mi të gjejnë vetveten në atë që ato duan të realizojnë. Përsa i takon më pas realizimit konkret të kërkesave dhe ideve, mund të themi që është një profesion, në të cilin bashkëpunimi është baza.

Puna jonë është e dështuar nëse nuk kemi bashkëpunëtorët e duhur. Vetë procesi nga fillimi i projektimit deri në fund kur mund të fillohet ekzekutimi në objekt, përfshin disa hallka të cilat nuk mund të përballohen në mënyrë të suksesshme vetëm nga një profesionist. Që këtu fillon nevoja e bashkëpunimit të disa profesionistëve bashkë. Po kaq të rëndësishëm sa grupi i projektimit janë dhe grupet e punës që zbatojnë një projekt të interior desinger, pa të cilët në fakt idetë dhe projektet tona do të ngelnin vetëm nëpër letra.
 
Cilët janë vështirësitë e këtij orientimi profesional?
Në dukje duket një profesion i lehtë, ku shijet se si të mobilojmë apo të realizojmë një projekt bëhen të thjeshta. Por, jo! Është një profesion sa i bukur aq dhe i vështirë në të njëjtën kohë. Këtu lindin dhe ato sfidat profesionale pasi fillimisht jemi të prirur tek ideja për të realizuar diçka të bukur, por e gjithë pjesa tjetër e cila në fakt nuk bie në sy në momentet e para vendos nëse është një projekt i realizuar apo i dështuar.  
 
Cilët janë kualifikimet që i duhen një interior desinger duke ndjekur edhe zhvillimet dhe risitë e këtij profesioni në botë?
Një klient i zgjuar të vendos para përgjegjësisë. Duke qene se tregu ka marrë zhvillim, rritja e konkurrencës jo vetëm ndërmjet profesionistëve të tillë, por dhe ndërmjet tregtarëve që operojnë në fushën e materialeve ndërtimore apo të mobilierisë, ka sjellë me vete dhe një ndërgjegjësim të qytetarëve drejt përzgjedhjes së cilësisë. Gjithashtu në ditët e sotme me mundësitë që ofron interneti, bota është bërë pothuaj një. Në çdo moment çdo qytetar mund të marrë informacion mbi arkitekturën më bashkëkohore në botë.

Ndaj për ne profesionistët që duam të operojmë në këtë treg, është i domosdoshëm përditësimi me të rejat më të fundit në këtë fushë, shkolla dhe specializimet janë vetëm fillimi i një rruge të gjatë e të pafund studimi, kërkimi dhe eksperimentimi. Pjesëmarrja në konferenca, ku përballemi me profesionistët e tjerë të ngjashëm, apo në panaire të ndryshme ku ekspozohen të rejat më të fundit në fushën e dizajnit dhe të prodhimit janë disa nga mënyrat që i kam shfrytëzuar për të pasuruar dijet dhe aftësitë e mia si interior designer.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Vuani nga rënia e flokëve? Ushqimet që duhet të konsumoni

Vuani nga rënia e flokëve? Ushqimet që duhet të konsumoni