Intervista e plotë/ Ministrja Denaj për Report Tv: Karantina e dytë do ndikonte për disa vite në ekonomi! Shpërblimi për pensionistët do shpërndahet dhe në janar

Do të flasim se çfarë po ndodh me ekonominë shqiptare. Sot kemi paur një lajm të mirë për pensionistët, të cilët kanë filluar të marrin shpërblimin prej 50 000 lekë të vjetër për festat e fundvitit. Do të flasim edhe për akuzat e politikës ndaj buxhetit, për rolin e presidentit të republikës, për akuzat që vijnë nga PD-ja. Për të na sqaruar për të gjitha këto, në studio ka ardhur ministrja e Financave dhe e Ekonomisë, Anila Denaj. Zonja Denaj është kënaqësi që ju kam në studio. Mirë se erdhët!

Faleminderit! Mirë se ju gjeta!

Jo pa qëllim e nisëm me një lajm të mirë, për shpërblimin ndaj pensionistët. Nuk e prisnim sepse diskutimet ishin për 20,000 ose 30,000 lekë të vjetër. Si u mor ky vendim dhe sa na kushtoi?

Në fakt, vendimi ka qenë i diskutuar që prej muajit nëntor. Nevoja për më shumë gjithmonë do të ishte e mirëpritur, por në një vit të vështirë si ky menduam që t’i kthehemi shumës që ka qenë çdo vit dhe jo të jepnim një reduktim mbi 5,000 lekët sepse edhe kjo shumë besoj që ka limitimet e veta sot. Është 3,4 miliardë lekë fondi, i cili ka filluar të shpërndahet ndërkohë që ne flasim. Dua të jap një detaj. Gjithmonë ka një presion në fund të vitit nëse në janar mund të shpërndahet apo jo. Sigurisht që do të vazhdojë të shpërndahet edhe gjatë janarit për të gjithë ata persona që, për arsye teknike, nuk kanë mundur ta tërheqin deri në fund të dhjetorit. Kështu ka qenë çdo vit. Edhe këtë vit do të jetë njëlloj. Për një pjesë shkon në shtëpi, për një pjesë në zyrat e Postës, ndërsa pjesa tjetër në bankë. Është një vit i vështirë edhe për pensionistët. E them edhe njëherë që, nëse do të kishim mundësi do të jepnim më shumë, por është një vit i vështirë edhe për buxhetin e shtetit. Rëndësi ka që ne nuk i lamë jashtë vëmendjes dhe këtë vit, njëkohësisht edhe me urimin për një vit të mbarë e të shëndetshëm, shpresoj që edhe kjo të ndihmojë sadopak.

Rishikimi i buxhetit 2020 solli edhe kritika. Cilat janë pikat më të forta të tij? A keni ndonjë përgjigje, ndoshta edhe politike, për të gjithë ata që e cilësojnë si një buxhet elektoral?

Buxheti mund të shikohet çdo vit si një buxhet i cili rritet dhe fondet, këtë vit që flasim, 2020 dhe 2021, kanë pasur një rritje të konsiderueshme në dy sektorë kyç. Së pari në shëndetësi dhe kjo e diktuar nga pandemia këtë vit, por njëkohësisht edhe vitin tjetër nuk mund të jetë më pak ndikimi për të rritur buxhetin sepse kemi pjesën e shumës për vaksinën, kemi ndihmën ekonomike të shtuar. Dhe vitin që vjen përsëri shëndetësia merr një rol të rëndësishëm. Në qoftë se e krahasojmë me vitin 2019, jemi në 10,7 miliardë lekë më shumë më 2021, krahasuar me vitin 2019. Pra shëndetësia është në fokus dhe kjo nuk ka të bëjë me zgjedhjet, por ka të bëjë me situatën e pandemisë që, sikurse të gjitha vendet e tjera të prekura, edhe neve nuk mund të na kursente. Së dyti, lidhet me rindërtimin. Edhe situata me rindërtimin këtë vit ka pasur një fokus shumë të madh. Janë 31 miliardë lekë të alokuara në vitin 2020 dhe 28 miliarë lekë për vitin tjetër sepse është një angazhim i qeverisë Rama për të sjellë jo vetëm kthimin e të gjithë banorëve në shtëpitë e tyre, por edhe në kohë rekord. Kështu që të gjitha procedurat janë duke u ndjekur, përtej disbursimeve dhe debateve për disbursime. Dhe së fundi, është infrastruktura, e cila ka në fokus prej dy vitesh, por edhe më parë, përfundimin e punëve publike të nisura që do të sjellin një zhvillim ekonomik afatmesëm sepse lidhja e qyteteve apo e qyteteve me zonat urbane do të ndihmojë ekonominë në përgjithësi. Këto janë tre elementet. Asnjëri nga këta, në gjykimin e ekonomistëve përtej politikanëve, nuk është elektoral. Nevoja për rrugë, nevoja për rindërtime, nevoja për të përballuar pandeminë do të na shtynte që ta bënim këtë, në një vit si ai 2021, përtej zgjedhjeve.

Megjithatë ministrja Balluku pati pakënaqësi për ato çfarë ajo pati kërkuar dhe çfarë iu dha, ndoshta për specifikat që ata kanë.

Natyrisht. Nëqoftë se Ministria e Energjitikës dhe e Infrastrukturës do të ketë më shumë fonde, shumë nga punët publike do të mbarojnë edhe më përpara afateve të projektuara në këndin e buxhetit afatmesëm, por edhe lidhja e të gjitha qyteteve do të jetë më e mirë. Por ne kemi disa prioritete, siç e thashë edhe pak më parë, shëndetësia dhe arsimi me rritjen e pagave sepse të mos harrojmë që janë rreth 8 miliardë lekë rritje pagash për mjekët dhe arsimtarët. Edhe bujqësia. Kemi një fond jo pak të rëndësishëm për fermerët. Është një premtim i mbajtur i kryeministrit Rama për kthimin e fermerëve në fokus në atë që është elementi bazë, ulja e kostos së karburantit, e sjellë në një skemë e cila pretendojmë që do të dyfishojë sipërfaqjet e mbjella sepse gjysma e karburantit është e subvencionuar nga shteti.

Në fakt ka shumë vite që thuhet se bujqësia është një hallkë kryesore jashtëzakonisht e rëndësishme për atë se çfarë jep në të ardhura, por duket sikur kjo ka mbetur vetëm në kuadrin e deklaratave. Cilat janë pritshmëritë konkrete me këtë vendim që është marrë edhe pse, sipas ministrisë përkatëse, ka probleme sidomos për sa i përket pajisjes me NIPT të fermerëve, por duhet parë se çfarë do të ndodhë deri në fund të vitit.

Së pari, ka pasur një progres me regjistrimin sepse është një sektor i cili do kohën e vet për t’u formalizuar. Edhe kjo skemë nxit formalizimin, por në fokus kjo skemë nuk ka pasur nxitjen e formalizimit. Skema ka pasur fokus nxitjen drejt zgjerimit të sipërfaqes së punuar duke përdorur formalizimin si element bazë për rimbursimin, që është edhe një element logjik kur vjen çështja për të analizuar letrat. Ne pretendojmë që bujqësia, vitin tjetër, të ketë jo vetëm peshën siç e pati këtë vit në rritjen ekonomike sepse bujqësia pati peshën kryesore në rritjen ekonomike në ata tregues pozitivë sepse në tregues deri në fund të vitit është negativ, rritja ekonomike do të jetë negative. Bujqësia ka një peshë rreth 20% të produktit të brendshëm bruto dhe në qoftë se stimuli në bujqësi rritet nëpërmjet kësaj skeme, nëpërmjet formave të financimeve siç janë IPARD apo skemave të garancive që qeveria dhe kryeministri Rama i ka angazhuar që në vitin 2016 këto skema garancish, atëherë ne pretendojmë që të kemi një sipërfaqe më të mbjellë, në nivel hapësire; të ketë një punë për një shkallë më të gjerë; të kemi stimuluar cilësinë për të kapur tregje ndërkombëtare. Dhe sot, akoma më tepër pandemia na tregoi se sa e rëndësishme është cilësia në këtë sektor. Mendoj që skema me këtë shumë 1 miliardë lekë si fond, është dysheme. Unë do të doja vërtet që të bëja një akt normativ në korrik, ku ta rrisja këtë vlerë nëse kërkesat do të rrinin për më shumë. Prandaj është një nxitje për të gjithë edhe për formalizim edhe për ta përdorur siç duhet.

Gjatë gjithë këtyre ditëve ne po trajtojmë rolin që kanë mjeekët e familjes. A janë ata një kategori që ndoshta duhet parë?

Rritja me 40% mbi pagën për funksion shkoi për të gjithë mjekët, pavarësisht nëse ishin në qendra shëndetësore apo shërbimi parësor siç quhet ndryshe, apo në spitale dhe mjekët më të specializuar. Pra, rritja nuk u diferencua dhe duhet që ta theksojmë këtë. Së dyti, prej vitesh është punuar edhe për të rritur cilësinë e infrastrukturës, se janë rreth 300 qendra shëndetësore që kanë marrë një vëmendje edhe në raport me mjetet e pajisjet dhe jo vetëm me infrastrukturën fizike. Ndërkohë kemi hapur më shumë qendra shëndetësore sesa kanë qenë më përpara 4-5 viteve sepse duam që të jemi më afër njerëzve dhe shërbimi parësor këtë nënkupton. Besimi te mjekët e shërbimit parësor është një element bazë që unë besoj se gjatë kësaj periudhe ka reflektuar edhe marrëdhënien në ndjekjen e pandemisë. Unë vetë, edhe në procesin që kalova me mjekun e familjes e ndoqa dhe e kuptoj rolin dhe rëndësinë e tij që është kyç. Sigurisht që ka nevojë për specializime të mëtejshme. Nuk duhet parë gjithmonë rritja e profilit të tyre me rrogën pasi, siç e thashë, paga është rritur njëlloj. Mund të rritet nevoja për specializime dhe për trajnime të mëtejshme, por kjo është pjesë e procesit që ministria e linjës e ka programuar. Në vitin që vjen besoj se kemi bërë një hap të rëndësishëm me pagat dhe me infrastrukturën. Nëse në vijim do të rritet presioni sigurisht që do t’i japim vëmendje.

Po flitet se Covid-19 ka pësuar një mutacion, si pasojë kemi ndalim të fluturimeve nga Londra. Jemi në një situatë delikate që sigurisht sjell pasoja, por te ne nuk ka një vendimmarrje për të pezulluar fluturimet, megjithatë ne e dimë se çfarë ka ndodhur deri tani. Nëse ekonomia do të stopojë sërish, çfarë do të ndodhë me ekonominë shqiptare, duke iu referuar edhe këtyre lajmeve të ditëve të fundit. Gjithçka është e panjohur, megjithatë duhet të ketë një plan. Çfarë thonë ekspertët? Çfarë kapaciteti ka ekonomia shqiptare për të përballuar pasojat?

Lajmet e ditëve të fundit mbeten ende për t’u analizuar. Unë nuk dua të bëj asnjë deklaratë mbi bazën e lajmeve të ndalimeve të fluturimeve nga disa vende të Evropës Perëndimore. Situata mund të agravojë, por sinqerisht mendoj se ende jemi herët. Ne në analizat tona nuk do të donim të materalizonim asnjë format ku ekonomia të mbyllej sërish sepse kjo do të ishte shumë e vështirë, në mos e pamundur, për t’ia dalë për pak vite për t’u ringritur. Dhe nëse kjo do të ndodhte, sigurisht që do të isshim të detyruar sepse edhe vendet e tjera me të cilat kemi një marrëdhënie të drejtpërdrejtë, siç është Italia dhe Greqia do të mbylleshin, do të ishte rrjedhojë por nuk do të ishte prioritare mbyllja në vendin tonë vetëm për arsyet që thamë pak më parë. Besoj që vaksina është një element shumë i rëndësishëm për të gjitha ekonomitë, sikurse edhe për njerëzit, të cilët në ritmet e caktuara sipas planeve që ka çdo vend, po ndikon pozitivisht edhe në kthimin e besimit. Do të na duhet të presim deri në muajt prill-maj se si e gjitha kjo do të evoluojë. Shpresojmë pozitivisht. Mbyllja e plotë për ekonominë shqiptare nuk është e mirëpritur. Të gjithë treguesit pozitivë dhe optimizmi do të përktheheshin për një negativizëm më aftmesëm dhe jo thjesht të një viti. Ne këtë vit përballuam me shumë sukses dhe do të doja ta thosha këtë, jo vetëm situatën e shokut të pandemisë ose të elementit të një situate të jashtëzakonshme, që erdhi fill pas një situate tjetër të jashtëzakonshme, asaj të tërmetit. Ne sa ishim ringritur me një element pozitiv, me atë të konferencës së donatorëve, pra ne u goditëm me dy situata të vështira e megjithatë jemi deri në fund të vitit, ku përtej vështirësive dhe përtej diskutimeve të mbështetjes jo të plotë që mund të diskutohet, besoj se kemi mbështetur mjaftueshëm individë në nevojë, rreth 300 000 persona, rreth 80 000 biznese dhe kemi një plan afatmesëm se si t’i ndihmojmë me politika dhe jo thjesht me pagesa. Ky plan duhet të shkojë drejt progresivitetit dhe jo drejt recesionit. Prandaj ky skenar negativ do të doja që të mos materializohej. Gjithsesi një hapësirë gjithmonë ekziston për të menduar më të keqen dhe nëse kjo ndodh, do t’i kthehemi formatit që ndodhi në fillim të këtij viti, do të stopojmë dia nga projektet, do të ngrijmë disa nga shpenzimet, përfshirë edhe ato koncesionare, të cilat ngrijnë, ulen dhe shtyhen në kohë, por që janë të domosdoshme në mënyrë që të alokojmë fonde aty ku është më e nevojshme, qoftë edhe te bizneset nëse do të duhet. Por, thashë që kjo është një përqindje shumë e ulët mundësie, për të mos ezauruar edhe pamundësinë e një situate të tillë. Por le të shpresojmë që të gjithë treguesit, edhe të ekonomive të tjera, edhe Greqia e Italia vërtet janë mbyllur, por janë mbyllur për periudhën e festave të Vitit të Ri që të mos lejojnë përhapjen e virusit, por nuk është një periudhë e cila nënkupton mbyllje afatgjatë të ekonomisë. Është thjesht një mënyrë për të treguar që ne duhet të ruhemi, duhet të kemi kujdes sepse në situata ku ekspozimi është më i madh edhe treguesit e infektimeve dhe të vdekshmërisë rriten dhe kjo na çon në vendimmarrje të cilat nuk janë të nevojshme. Është një përkujdesje për të mos arritur në atë vendim.

Fakti që ne nuk kemi kufizime drastike, na ndihmon në këtë situatë dhe a ndikohen vendimmarrjet për të mbajtur stabël edhe ekonominë, meqë folët edhe për vendet e rajonit?

Ne po flasim për vende të rajonit të cilat kanë një respekt ndaj masave që vendosin qeveritë e atyre vendeve, më shumë sesa ne. Dhe për këtë besoj që të gjithë jemi të vetëdijshëm. Kur qeveria gjermane vendos një masë, ajo respektohet nga vetë individët, e para dhe pastaj nga forcat të cilat e kontrollojnë. Pra ne vijmë me një sjellje jo të plotë të respektit të asaj mase që vendoset. Kjo është një thirrje për të gjithë individët në fakt, për t’u kujdesur për ekonominë dhe për vetë vijueshërinë e punëve në përditshmërinë e tyre. Fakti që disa aktivitete janë pezulluar në një orar të caktuar, edhe qarkullimi në një orar të caktuar, është një mesazh për të thënë që ky orar duhet të na bëjë të ndërgjegjshëm edhe në festat e fundvitit, përtej faktit që ne të gjithë kemi nevojë dhe dëshirë, ndoshta kemi edhe nevojë psikologjike për t’u takuar me njerëzit sepse është bërë një periudhë e gjatë. Por ama, duhet të kuptojmë që është më mirë të durojmë pak dhe këto festa t’i kalojmë me pak kufizime, që të kemi mundësi për një pranverë të mirë dhe për vijueshmërinë, për të mos shkuar drejt mbylljes. Ne e pamë mbylljen. Ajo nuk ndihmon asnjë, as individin, as shëndetësinë, as ekonominë. Prandaj le ta kalojmë, e kemi kaluar pjesën më të madhe me sukses. Nuk duhet që tani, në këtë moment të fundit ta tejkalojmë dhe kjo është një thirrje për të gjithë, përtej rregullave që vendos qeveria apo grupi teknik.

Rritja e pagës minimale ka bërë që fasonët të kenë ankesa, madje kërkojnë mbështetje. Po ashtu ka edhe biznese të tjera, të cilat kanë shprehur shqetësime dhe kërkojnë mbështetje. Ajo çfarë u është ofruar deri tani cilësohet prej tyre si më e ulëta në të gjithë rajonin dhe shpesh merret si shembull Maqedonia e Veriut. Çfarë po ndodh?

Do të filloj me pagën minimale sepse janë disa komponentë në atë që ju thatë. Paga minimale, e cila fillon që prej 1 janarit në nivelin e 30 000 lekëve të rinj, ndihmon në radhë të parë individin. Ndihmon edhe konsumin sepse do të ketë një pagë më shumë, sado e vogël në vlerë absolute, por do të ketë mundësi që të shpenzojë më shumë. Dhe le të biem dakord që paga në këto nivele, 26 000 lekë, të gjithë ne e besojmë që nuk ekzistojnë. Ka një element formalizimi të ekonomisë që ndikohet edhe me rritjen e pagës minimale, pasi një pjesë e kësaj page paguhet nën dorë. Nuk po e them për të gjitha bizneset, por ato biznese që jepnin një pagë minimale kaq të ulët, besoj që vlera e asnjë punëtori nuk duhet menduar kaq e ulët dhe në qoftë se ua jepnin një pjesë kesh, atëherë të japin llogari dhe t’i japin mundësi edhe individit që të rrisë kontributet për të ardhmen, qoftë për pension apo kontributet shëndetësore. Pra, për individin është një hap i mirë. Për biznesin sigurisht që ka një kosto shtesë, se janë vlerat e kontributeve, por çdo biznes besoj se kur vendos në biznesplanin e tij projeksionet dhe përtej situatës së pandemisë që është një situatë e vështirë, nuk ka menduar që do të qëndrojë pa rritur pagat për punonjësit e tij pa fund. Një punonjës i kënaqur sigurisht që i sjell një të mirë biznesit dhe jo të gjitha bizneset, pavarësisht nga vështirësitë që kanë, e kanë shfrytëzuar këtë si argument. Fasonët kanë një specifikë të veçantë dhe një element të vështirësisë në sektor që lind para pandemisë dhe në qoftë se ne i kthehemi situatës se kur fasoni ka treguar vështirësitë e tij të para, të paktën daton 3 vite para. Pra, jo çdo gjë të vështirësive të një sektori do të duhet t’i atribuohet situatës së pandemisë apo pamundësisë së shtetit për të ndihmuar. Të gjithë fasonët, të cilët kanë qenë në nivelin e qarkullimit për atë që ishte biznesi i vogël, kanë marrë pagesën sikurse çdo biznes tjetër. Për biznesin më të madh, sigurisht garancia sovrane ka qenë aty një ndihmë e drejtpërdrejtë me zero kosto dhe me zero garanci, për të treguar që ato biznese kanë nevojë për të riformatuar edhe vetveten përtej nevojës për të marrë pagesë të drejtpërdrejtë. Fasoni që ka kaluar në prodhim nuk ka vështirësi. Unë kam takuar shumë prej tyre, prandaj është një mundësi për të parë nëse mund të ridimensionohet në elemente të caktuara të tij për një zhvillim tjetër, sepse edhe nëse japim pagesë më shumë, në qoftë se krahasohemi me Maqedoninë e Veriut, duhet të kemi të ardhura më shumë dhe Maqedonia e Veriut ka të ardhura më shumë mbi produktin e brendshëm bruto, të paktën 4% më shumë se ne dhe shuma është e konsiderueshme. Po të kishim edhe ne të njëjtën përqindje, do ta jepnim. Nga ana tjetër, ne flasim për informalitet, i cili është shumë herë më i lartë sesa Maqedonia e Veriut. Pra, biznesi kërkon, por të dyja palët duhet ta realizojmë kërkesën, të zvogëlojmë informalitetin, marrim më shumë të ardhura në buxhet, kontribuojmë edhe më shumë. Por në rastin konkret të paketave, unë do të thosha që ndihma u fokusua te biznesi i vogël, tek individët në nevojë dhe nëse zgjerimi i saj do të ndodhë në të ardhmen, do të jetë vetëm në kushte emergjence, por nuk jemi në kushte të tilla.

Sa biznese u mbyllën gjatë këtij viti dhe sa persona kanë humbur vendin e punës? Vërtet që biznesi vogël është asistuar për një afat kohor, por ka nga ata që kanë rishikuar dhe u është dashur që të bëjnë edhe shkurtime.

Ne mund të flasim me statistika, sikurse mund të flasim edhe jashtë tyre, pasi me statistika numra i të punësuarve në tregun e punës, nga shtatori 2019 ku totali ishte 699 991, është sot në shtator 688 112, por ndërkohë po ta krahasojmë me marsin, është 681 726. Ka një trend ulës, por pastaj është rritës që tregon se tregu i punës ka filluar ta marrë veten dhe ka një numër, i cili shkon pothuajse i barabartë me atë të shkurtit sepse ka pasur një ulje me rreth 10 000 punonjës nga biznesi i madh, por të vetëpunësuarit në biznesin e vogël kanë pasur një zgjerim. Këto janë statistika. Kjo nuk do të thotë që realiteti është i ndritshëm dhe në fakt nuk ka nevojë për të adresuar persona të cilët dalin nga tregu i punës dhe nuk akomodohen në tregun e punës ku fuqitë e tyre punëtore dhe aftësitë nuk përputhen. Pra gjithmonë do të kemi punëkërkues, të cilët në Zyrën e Agjencisë Kombëtare të Punësimit kemi të paktën 24 000 të regjistruar më shumë se sa në fillim të këtij viti. Dhe agjencia, e cila ka për funksion të gjejë punë për 24 000 persona që kërkojnë më shumë gjatë këtij viti, është duke u përpjekur që ato biznese, të cilat kanë hapësira pune, të punësojnë nga ky numër. A e realizojmë dot brenda këtij viti? E vështirë sepse ka shumë biznese të cilat do të donin të hapnin vende të reja pune, por pa parë se si do të shkojë viti tjetër. Pra ka edhe një frenim të investimeve. Mundet ta shikojmë edhe si diçka të përkohshme, sepse mund të kesh para, flas për biznes, mund të jetë edhe individë të cilët kanë rritur depozitat, por në këtë moment janë duke parë se si do të shkojë trendi i vitit që vjen, të paktën pas muajit maj, ku edhe në raport me atë që folëm pak më parë, ekonominë, ndoshta disa edhe për hir të zgjedhjeve, mos ta mohojmë, janë duke parë se çfarë investimesh do të ndodhin. Pra ka një frenim përtej mungesës së likuiditetit. Prandaj edhe ky treg i punës besoj që do të ketë më tepër hov nëse situatat janë pozitive siç do të donim apo siç po i përmendim, pas muajit maj. Këtë periudhë kohe sigurisht që të gjithë të papunët do të adresohen nëpërmjet skemave të ndihmës, të cilat përsëri Agjencia Kombëtare e Punës i adreson dhe i ka të adresuara edhe përpara situatës Covid-19. Por kjo kërkon që të adresohen, të formalizohen në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Si e shihni rolin e Presidentit të Republikës për sa i përket çështjes së buxhetit? A do të ishte mirë që në këtë situatë krize të gjendej një e mesme dhe të merreshin në konsideratë edhe akuzat e presidentit që kanë ardhur në formë propozimesh?

Që ligji i buxhetit të kthehej nga presidenti, duhej të kishte argumente të cilat vërtet, si në aspektin juridik, siç ishin përmendur aty, të ishin më mirë të argumentuara. Që ne kemi qenë në Komisionin e Ekonomisë dhe anëtarët e komisionit sigurisht që e kanë argumentuar edhe aspektin juridik shumë mirë, për të thënë që nëse nevoja për të shtuar mbështetje për personat me ndihmë ekonomike duhej të ishte më e lartë dhe sa, të ishte më konkrete sesa thjesht nuk ka hapësirë për personat në nevojë, kur hapësira për personat në nevojë është aty me fonde konkrete; ku shëndetësia nuk ka fonde, kur shëndetësia i ka fondet. Pra, çdo element i cili vjen si një nevojë për të adresuar shtesat, ishte më konkret sesa thjesht nuk ekziston. Kjo është në qasje të parë. Së dyti, do të thosha që ekonomia shqiptare në vitin 2021 ka nevojë për frymëmarrje. Dhe nevoja për frymëmarrje nënkupton alokim fondesh në të gjithë sektorët siç folëm pak më parë, në bujqësi, në rindërtim, në infrastrukturë, në shëndetësi dhe në arsim. Dhe të gjithë e kanë pasur vëmendjen në këtë buxhet të vitit 2021, pra nuk u fokusua vetëm te shëndetësia. Nëse ulja e PPP-ve është i vetmi element që mbeti pa u mbështetur nga buxheti 2021, më lejoni të theksoj një element kyç. Në vitin 2020 ne kemi ulur me 4,5 miliardë lekë fonde nga e gjithë shuma prej 14,3 miliardë lekësh, të cilat janë fonde vjetore sipas kontratave të lidhura dhe janë obliguese për çdo autoritet konktraktor dhe për qeverinë. Vitin që vjen është 14,7 miliardë sepse janë pjesë e të gjithë formulës që është një marrëdhënie e lidhur kontraktore. Ne nuk jemi në kushtet e emergjencës dhe unë e theksoj, nëse ne do të bëjmë një buxhet në kushte emergjence, ne do ta kishim të ulur edhe projektin për PPP-të, por ne nuk jemi aty. Nëse jemi në atë 1% e mundshëm që do të donim të mos materializohej, sigurisht që jo 4,5 miliardë por i ulim edhe më shumë sepse do të negocionim me të gjitha PPP-të, por do të shtynim në kohë. Në një buxhet i cili shkon në parlament dhe diskutohet për një vit ringritjeje, rimëkëmbjeje, ne nuk po flasim për emergjencë, nuk po flasim për skenar negativ, ne po flasim për një vit i cili për të gjithë duhet të ketë pozitivitet, duhet të ketë fonde shtesë të cilat nga pjesa e publikes po jepen, sepse janë 7,2% e produktit të brendshëm bruto, është fondi më i lartë për investime dhe besoj që edhe kur besimi i konsumit dhe i investimeve private të kthehet pas muajit maj, aty e shikoj unë pjesën më kryesore të kthimit, të materializohet në një rritje ekonomike që gjithmonë në tremujorin e dytë dhe të tretë ka pasur bumin më të fortë.        

E.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI