TIRANE- Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ish-zv.ministri i Drejtësisë dhe ish deputet dhe kryesues i komisionit të ligjeve në disa legjilatura, Sokol Hazizaj thotë se jo vetëm që duhen dënuar zyrtarët që janë përfshirë në korrupsion, sipas modelit kroat të “sanaderizimit” por duhet të konfiskohen pasuritë e tyre. Pasi qytetarët dëmtohen dy herë, dhe janë abuzuar me paratë e tyre por dhe duhet të mbajnë në burg abuzuesit. Njëherësh Hazizaj kërkon ndryshimin e Kushtetutës dhe të ligjit, pasi për dënimin e një deputeti apo ministri, pavarësisht se është hequr dorë nga imuniteti i deputetit, me vendim Kuvendi, duhet që të abrogohet neni 141/1 i Kushtetutës që të marrë dhe epërsi juridike një vendim i tillë.
 
Shqipëria humbi statusin e kandidati për në BE dhe këtë vit. Një ndër elementët bazë që shërbeu për shtyrjen ishte korrupsioni, krimi i organizuar dhe pandëshkueshmëria ndaj zyrtarëve të korruptuar. Mendoni se Shqipëria i ka kapacitetet e duhura për ta bërë këtë luftë?
Në këtë botë ekzistojnë dy gjëra që janë diametralisht të kundërta në esencë dhe shfaqje gjithashtu, të cilat janë drejtësia dhe padrejtësia, dhe si të tilla, mospranimi formal dhe juridik i vendit tonë në këtë strukturë paraeleminatore e ka emrin padrejtësi. Arsyet janë dhe mund të jenë të shumta, pse jo midis tyre edhe mungesa e ndëshkueshmërisë së fenomenit të korrupsionit dhe zyrtarëve si mbartës dhe stimulues të tyre. Çka duhet të kuptojmë dhe që duhet që strukturat europiane ta thonë në mënyrë të drejtpërdrejtë, janë rrugët ligjore që duhen ndjekur dhe ndaj cilëve duhet vepruar.

E theksoj këtë mënyrë, sepse folur kështu në mënyrë shumëdimensionale të duket si një tymnajë që nuk dihet ku fillon dhe ku duhet të mbarojë. Ne kemi qenë dhe jemi ende nën monitorimin e gjithanshëm të tyre, dhe sa të qartë e kanë faktorët ndërkombëtarë këtë situatë nuk mund dhe nuk ka se si ta kemi ne, kur fenomeni i korrupsionit ka infektuar çdo ind të shoqërisë tonë. Megjithatë ajo çka konstatohet lehtësisht në këtë betejë vullnetare të qeverisë shqiptare është fryma pozitive me të cilën është duke u shfaqur, frymë e cila i ka gjasat të ngelet në rrugë pa krye nëse nuk shoqërohet me bashkësinë e vullnetit ligjor. Vetëm duke ndryshuar apo abroguar pengesat ligjore që janë krijuar artificialisht ose për shkak të padijenisë, mund dhe duhet të fitohet kjo betejë.
 
Më konkretisht nga ana ligjore, cilat janë pengesat...?
Do ishte e pathemeltë gjithë kjo retorikë nëse nuk do të prekja disa momente ligjore dhe kushtetuese, të cilat tregojnë jo vetëm vullnet por për mua rrugën e drejtë të dënimit të korrupsionit si vepër penale, në cilësinë e bashkëpunimit jo vetëm të nëpunësave të vegjël, por të drejtuar dhe instrumentalizuar nga drejtuesit kryesorë të shtetit. Pengesat si, neni 141/1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku citohet se “Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.

Abrogimi i këtij neni do të shoqërohet qartazi me shtesa dhe ndryshime të neneve siç mund të jetë neni 333 e 333/1 dhe 334 i Kodit Penal, ku bëhet fjalë për veprimtari të grupit të strukturuar kriminal, duke përfshirë figurën e korrupsionit. Përvojat pozitive të ndryshimeve e amendimeve me pasojë frenimin dhe të ngjarjeve e fenomeneve që e lënë qytetarin shqiptar ose vëndin tonë jashtë strukturave normale dhe natyrore në të cilat ndodhen ata realisht përpara kujtdo shtetari që merr vesh ndopak nga ligji dhe veprimtaria për shkak të tij.
 
Pra ekzistojnë kapacitetet...?
Pas 20 viteve demokraci është mëkat të mendosh që s’ekzistojnë kapacitetet, në të kundërt vullneti nuk ka ekzistuar e me rezerva nënvizoj që mund të ekzistojë. Pohoj këtë të fundit sepse e di mirë që krimi i korrupsionit nuk është si çdo krim apo figurë penale tjetër, është krim në vazhdim, dhe si i tillë lufta ndaj tij kërkon dhe përcaktimin qartë se ku, kur dhe ndaj kujt duhet të fillojë, për të ndryshuar përfundimisht qëndrimin moral, politik dhe ligjor midis palëve politike në të ardhmen, duke arritur të bëhemi një vend kur tabela e parë që të bie në sy kur hyn në kufirin tonë të mos jetë “Mirësevini në Shqipëri o ju dhi dhe ju majmunë”.
 
Deputetët tashmë kanë dorëzuar imunitetin, është bërë me vendim Kuvendi. Mendoni se mund të merren nën përgjegjësi penale të gjithë ata deputetë që kanë një dosje korrupsioni në prokurori?.
Pa qenë nihilist, lëvizja vullnetare e Kuvendit të Shqipërisë për vetëheqjen e imunitetit të deputetit, parë në mentalitetin popullor shqiptar përbën akt shumë të rëndësishëm, por i lënë përgjysëm. Mjafton të arsyetosh në të anasjelltë të aktit dhe konstaton lehtë se kjo lëvizje politike s’ka sjellë asnjë pasojë juridike e ligjore sa i përket përgjegjësisë së të korruptuarve.

Ritheksoj se ligji është një organizëm i gjallë i cili nuk mund të funksionojë duke prerë ndonjë pjesë të tij, nëse nuk siguron rrjedhjen e qelbit në mënyrë të shpejtë dhe pa pengesa. Trupi ngelet i sëmurë dhe vdekja vonon, por është e sigurt. Në këtë kuptim unë nuk mund të s’jam dakord me ndonjë deklarim të rastit që ligjet i kemi, por ajo çka duhet bërë është zbatimi tyre. I nderuar njëri kushdo qofsh ti, krimi ritheksoj duke qenë figurë në vazhdim, i përsos elementët e tij, arsye e cila duhet të na motivojë për prodhimin e akteve ligjore në favor të bashkëqytetarëve tanë.
 
Disa nga ministrat kanë dorëzuar mandatin e deputetit, dhe janë të ekspozuar para drejtësisë, për çdo shkelje që mund të bëjnë..?
Parë në vështrimin ligjor, pra kur nga ana e deputetëve është abroguar me vendim imuniteti, si dhe në respekt të plotë me mbajtjen e premtimit parazgjedhor për dorëzimin e mandatit të deputetit nga ana e ministrave, në kuptim të nenit 103/3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku thuhet se “Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit”, këta të fundit janë tërësishtë të ekspozuar para organeve të drejtësisë në rast se konsumojnë veprën penale të korrupsionit ose ndonjë tjetër të barasvlefshme më atë. Por duhet të shtoj edhe njëherë që në këtë betejë të madhe e vullnetare të nisur nga Kryeministri është nevoja immediate e përdorimit të një standardi ndaj të gjithëve dhe mbi të gjithë, duke hequr dorë nga zhargoni i deritanishëm ku historia kundër korrupsionit fillon tani dhe me mua, duke e hetuar dhe bazuar këtë betejë në hapësirë dhe kohë, pra në historinë e vetë fenomenit.
 
Kryeministri Rama teksa foli për shtyrjen e statusit në qershor tha se po vuajnë dhe korrupsionin e qeverisjes së kaluar...?
Kryeministri Rama mund të ketë të drejtë, por gishti duhet drejtuar saktë, se ndryshe ligji nuk është një dimension si puna e çarkut që vepron vetiu dhe me të zgjedhur. Analizuar siç është deklaruar prej tij, koncepti është gjithpërfshirës mbi qeverisjen e djeshme, arsye kjo që nuk më bind shumë në kuptimin formalo-juridik dhe për më tepër politik gjithashtu.
 
Më konkretisht Vuljanniç raporteri i Parlamentit Evropian për Shqipërinë ka deklaruar se duhet të shkojë në burg një ministër, një Prokuror i Përgjithshëm apo një kryeministër që Shqipëria të marrë statusin, duke sugjeruar si kroat që është shembullin e Kroacisë që e mori statusin vetëm pasi dënoi për korrupsion ish-kryeministrin Sanader. Mendoni se mund të aplikohet në Shqipëri?
E kam dëgjuar këtë deklaratë, e ‘Sanaderizmin’ juridik gjithashtu dhe mund të them se, në vendin tonë ekzistojnë gjithë kapacitetet e duhura materiale e fizike për të realizuar atë çfarë kërkohet, nëse kërkohet. Por ligjërisht e procedurialisht kjo s’realizohet nga vullneti qytetar, por nga vullneti politik, i cili i ka dhënë shenjat që mund ta kryejë. Ritheksoj se nuk është i gatshëm vullneti ligjor për arsyet e sipërpërmendura.

Ndëshkimi i një funksionari politik nuk është i barabartë me mbylljen për disa ditë të kazinove apo me dënimin e shtetasve të tu se kanë shkeluar rregullat e qarkullimit rrugor. Ndryshe përveç vullnetit kërkon hetim dhe gjykim bazuar në standarde të së drejtës, pra thënë ndryshe kërkon mjetet ligjore materiale dhe procedurale të duhura. Kur them instrumenta ligjore s’përjashtoj e bashkëpunimin e institucioneve ndërkombëtare sa i përket fshehjes së parave dhe produkteve të krimit ekonomik të funksionarëve të lartë të shtetit, siç ndodhi dhe me ish kryeministrin kroat. Drejtësia është vizore që duhet të ndërshkojë të gjithë me bashkëpunimin e të gjithëve.
 
Deri më tani pavarësisht akuzave më parë, ndaj Berishës, Bashës e të tjerëve, kallzim penal ka vetëm për Arben Imamin, ish ministër i Mbrojtjes, sa mundësi ka gjyqësori shqiptar të japë dejtësi?
Më duhet të jem profesional në përgjigjen time, duke pohuar se kallzimi nuk është fajësi, por jam i bindur se duhet hequr dorë njëherë dhe përgjithmonë nga distanca morale e krijuar tashmë se politikani dënohet politikisht dhe qytetari me burgim. Ajo që më shqetëson në mënyrë të vazhdueshme është se, shtetasit e vendit tim paguajnë dyfish shumë herë, midis të cilave më të rëndat pagesa janë papërgjeshmërinë e politikës që është mësuar të mos shpaguajë asnjëherë financiarisht dhe kusurin financiar të mbajtjes në burg të personave të cilët kanë abuzuar në mënyrë korruptive duke përfituar në mënyrë të padrejtë financiarisht.

Pra ne paguajmë dy herë dhe dëmin e shkaktuar nga veprimtaria jo ligjore e qeveritarve tanë dhe për mbajtjen e tyre në kushte burgimi, sipas kritereve të komunitetit europian. Në këtë kuptim duke besuar te mjeti ligjor i drejtësisë, kërkoj që e drejta e rrëmbyer duhet të kthehet në duartë e të rëmbyerve. Për këtë duhet që nga ligjbërësi të ndryshojnë disa dispozita penale në lidhje më përgjegjësinë individuale dhe rikuperimin e dëmit të shkatuar financiar nga personat e fajshëm penalisht.
 
Amerikanët kanë hedhur idenë se vetë gjyqtarë të huaj mund të dënojnë zyrtarët shqiptarë të korruptuar në nivelet e larta. Mendoni se kanë të drejtë?
Në historinë e të drejtës dhe drejtësisë në vendin tonë kjo ide nuk është e para herë, madje ka raste të mëparshme të aplikimit të saj, por në anën tjetër kjo është shprehje e një disfatizmi të shëmtuar e besimi të humbur në sensin e pamundësisë së shqiptarëve për të bërë shtet. Më takon të hedh poshtë këtë sjellje, duke u mjaftuar që do të ishte në të mirë të dhënies së drejtësisë rritja e bashkëpunimit juridiksional dhe ligjor midis palëve.
 
Çfarë duhet bërë për drejtësinë shqiptare që të jetë në lartësinë e misionit?
Në mënyrë të përmbledhur do të vlerësoja: 1.Angazhimi i instrumenteve të drejtësisë në rritjen e transparencës së vendimit gjyqësor, 2.Ndryshime ligjore urgjente në mënyrën e menaxhimit dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor, duke rritur efektivitetin dhe pavarësinë e tij. 3.Mbështetje financiare dhe logjistike ndaj pushtetit të drejtësisë.
 
Deri më tani ka pasur akuza për abuzime të mëdha, deri me TVSH, firmat fantazmë, kromin por dhe me paratë e shtetit. Cila duhet të jetë sjellja e qeverisë ndaj biznesit të familjeve në pushtet?
Disa sjellje joligjore dhe korruptive të shfaqura kohët e fundit duken sikur janë shumë të stërholluara dhe inteligjente, por në të vërtetë janë totalisht ndryshe. Janë të thjeshta, të kuptueshme dhe të identifikueshme. Thënë më saktë dhe shkurt të gjitha çka keni përmendur më sipër ndodhin sepse si Kodi i Procedurës Civile dhe Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit përmbarimor”, nuk parashikojnë të drejtën e organeve të parashikuara në këto ligje që përgjegjësia e veprimit financiar abuzues të kalojë nga përgjegjësia e subjektit juridik te përgjegjësia individuale e shtetasit që ngre dhe shuan subjekte juridike sipas qejfit, duke mos mbajtur përgjegjësi ligjore ndaj shtetit dhe kreditorëve të tjerë.

Sa i përket bizneseve që kanë në themel pasuritë publike, pra timen, tënden dhe të çdo qytetari të këtij vendi përgjegjësia dhe drejtësia penale duhet në mënyrë të domosdoshme të shtrihet jo vetëm mbi abuzuesin por dhe mbi iniciatorin e aktit ligjor, kushdo qoftë ai. Në këtë vend përfundimisht duhet që përgjegjësia duhet të marrë emër, pra përgjegjësia duhet të jetë domosdoshmërisht individuale, duke hequr dorë përfundimisht nga 3 tezat burboniane feste, farina, forte.

Shkrimi u publikua sot (22.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)