Qeveria e re tashmë është shpallur. Si e vlerësoni atë, duke parë edhe sulmet e PD-së për emrat e kabinetit?
Përbërja e qeverisë së re të shpallur nga Rama më duket simpatike, e hijshme, me potenciale kulturore dhe intelektuale, me doza të larta ndershmërie dhe përkushtimi, e thënë shkurt, tepër premtuese. Mbi të gjitha nuk shoh në këtë qeveri një kryeministër mediokër, sikundër e kishim për këto 8 vjetët e fundit. Nuk shoh as ministra mediokër, sikundër i kishim shumicën e tyre në qeverinë Berisha. Mediokri Berisha dhe ministrat e tij para se të vinin në atë pozitë ishin të mbushur me brengën për të zënë ato vende në qeveri, pastaj u bënë plot me breng për të mos i humbur ato poste, dhe pastaj nuk lanë gjë pa bërë për t’i ruajtur ato poste për 8 vjet me radhë.
Si ju është dukur artikulimi i Ramës si kryeministër i zgjedhur?
Kam ndjekur me vëmëndje kreun e kësaj qeverie Edi Rama pas fitores historike të 23 qershorit. Fjalori i tij politik, deklaratat e tij, këndvështrimet e tij për qeverisjen, emërtimi përmbajtësor që u bëri ministrive, përzgjedhja që i bëri ekipit qeverisës, prioritetet që ka shpalosur në 300 ditët e para të qeverisjes etj, bëjnë të besojmë se prej kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij do presim reforma të mëdha e të thella demokratike, do presim një rilindje të vërtetë të Shqipërisë.
Kam bindjen më në fund se me kulturën që ka Edi Rama, me qytetarinë e tij, me ndërtimin dhe strukturimin që do të dij t’i bëjë rrethit të gjerë të këshilltarëve mëndjendritur të botës akademike dhe të potencialeve të tjera intelektuale bashkëkohore, do të jetë në gjendje domosdo të bëjë atë që i madhi Xheferson thoshte: “Qeveria më e mirë është ajo qeveri e cila më së paku qeverisë”!
Opozita ka filluar t’a kritikoj ashpër Ramën për mos mbajtjen e premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale, ka denoncuar shumë anëtarë të qeverisë së re si të korruptuar...
Kjo është një shenjë e keqe. Opozita e pas 23 qershorit po prezantohet shumë keq para shqiptarëve. Ajo po e nxjerrë veten jashtë loje, pa filluar ende loja. Qeverisja e mirë do jo vetëm qeveri të mirë, por edhe opozitë të mirë. Një opozitë që fillon të kritikoj, të fyej, të anatemoj një qeveri dhe një qeverisje e cila ende nuk është dekretuar dhe ende nuk është futur në ambjentet e punës ku do të kryej funksionet e saj qeverisëse, është mesazhi më i keq që jepet. Kjo do të thotë se vendit do t’i mungoj opozita konstruktive, opozita e mënçur, me një shkallë të lartë përgjegjëgjshmërie si pozita për fatet e vendit. Nuk ka gjë më të rëndë për një demokraci të suksesëshme, të vërtetë e funksionale, se sa kur opozita pengon dhe kundërshton kryerjen e reformave të thella dobiprurëse që i duhen domosdoshmërisht vendit, thjeshtë dhe vetëm se “opozitës kështu i takon, të jetë kundër”!
Opozita nuk duhet të katandiset në atë fare feje, sa qeveria dhe kreu i saj t’a “mbysi” atë me mospërfillje, siç po veprohet gjatë këtij muaj. Asnjë përgjigje nuk po i kthen Edi Rama dhe anetarët e qeverisë ende në letër deklarimeve të papërgjegjëshme të opozitës, me gjithë se këto janë të përditshme. Nëse opozita do t’a katandisi veten në atë shkallë, sa qeveria t’i thotë me heshtjen e saj “bjeri, bjeri, se i bje mirë”, ky është oguri më i keq për vendin, pasi tregon se do të mbesim pa opozitë reale.
A keni patur kontakte me Ramën, po e mban ai fjalën për premtimet që u ka bërë partive të vogla të koalicionit para zgjedhjeve të 23 qershorit?
Rama i mblodhi të gjitha partitë e koalicionit. I falenderoi ato së bashku dhe gjithësecilën për kontributin që dhanë në arritjen e fitores së madhe të 23 qershorit. Madje sqaroi se bashkëpunimi në kuadrin e këtij koalicioni prej 36 partish politike është afatgjatë. Rama i kishte tepër të qarta konceptet e këtij bashkëpunimi si dhe mënyrën e shpërblimit të kontributeve që ka dhënë secila parti dhe individ në kuadrin e funksionimit të këtij koalicioni. Problemi është që të gjithë aleatët e PS të kenë të qartë faktin se kjo Qeveri ka njëherazi edhe fatin e madh që do i qeverisë gjatë këtyre katër vjetëve shqiptarët, por dhe përgjegjësinë e madhe. Ka fatin e madh sepse ka ardhur në momentin historik kur o sot, o kurrë shqiptarët duhet t’a prekin realisht, dhe jo virtualisht Rilindjen e Shqipërisë.
Ka përgjegjësinë e madhe sepse pritshmëria e shqiptarëve prej saj është aq e madhe, sa nuk ka masë t’a masë. Shqiptarët në 23 qershor 2013 bënë provën e tyre të fundit. Ata kërkojnë nga Rama dhe Meta atë që thoshte Gëte, “Shteti është i krijuar për njëriun, e jo njëriu për shtetin”. Shqiptarët i dhanë opozitës shumicën absolute të organit ligjëvënës dhe e sollën atë në mënyrë bindëse dhe me votë plebishitare në pushtet, të ndërgjegjshëm se nesër kjo qeveri nuk ka asnjë të drejtë të thotë “më penguan numurat në parlament”, apo “ më pengojë opozita destruktive”!
Domethënë do e mbështesni këtë qeveri në katër vite?
Detyra jonë është që t’a mbështesim këtë qeveri me të gjitha forcat dhe mundësitë tona. Qeverinë dhe qeverisjen ne nuk i konsiderojmë si një “parcelë” që duhet të ndahet sipas “pjesëve takuese” mes “bashkëpronarëve”! Aq më shumë që qeverisja nuk ka vetëm ministra. Qeverisja është një piramidë e madhe, e cila duhet të mbushet nga maja, deri në bazën e gjerë të saj me njerëz vizionar, të mënçur, profesionistë të zot, të ndershëm, atdhetarë, të besës dhe të sakrificës, e mbi të gjitha të përgjegjshëm për të administruar në të mirë të popullit fitoren e 23 qershorit.
Ministrat hoqën dorë nga mandati i deputetit, a është ky një veprim i drejtë dhe përse vet Edi Rama nuk hoqi dorë nga mandati i deputetit? Të gjitha dashuritë, me kalimin e kohës veniten; vetëm dashuria për pushtet, me kalimin e kohës, sa vjen e shtohet.
Ministri nuk ka papajtueshmëri me funksionin e deputetit. Madje kjo është e ligjëruar në Kushtetutën e Shqipërisë që këto dy funksione pajtohen. Ky veprim i Edi Ramës më duket i mënçur dhe dobiprurës. Ministrat janë pjesë e pushtetit ekzekutiv. Ata nuk kanë kohë të rreken me ditë dhe orë të tëra në Kuvendin e Shqipërisë për të diskutuar e miratuar ligje, apo për të dëgjuar në shumë raste “pallavrat” e disa deputetëve, të cilët rastësia apo interesat e kryetarëve të partive i prunë në Kuvend. Ministri duhet të jetë në krye të punëve të dikasterit orë e çast dhe të punojë atje me përkushtim maksimal.
Nga ana tjetër, kjo mënyrë të zgjedhuri e Edi Ramës zgjeron më shumë rrethin e njerëzve përgjegjës për punët e shtetit. Janë plotë 18 deputet që i shtohen forcës së mazhorancës të cilët bëjnë punën e tyre në pushtetin legjislativ, duke i lënë të lirë 18 ministrat që të bëjnë me kohën maksimale punën e tyre në ekzekutiv. Ndërsa Kryeministri i vendit duhet t’a ketë domosdo mandatin e deputetit. Në radhë të parë ai është lidhja kryesore e pushtetit ekzekutiv me pushtetin legjislativ. Në radhë të dytë kryeministri është edhe kryetari i mazhorancës parlamentare. Ai është “de fakto” edhe kryetar i grupit parlamentar të mazhorancës. Prania e tij në Parlament duhet të jetë tërësore, domethënë me mandatin e plotë të deputetit, për të kryer me përgjegjësi të lartë detyrimet ligjore që ka si kreu i qeverisë shqiptare.
Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.04.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)