Intervista/ Lefter Maliqi: Pse pranova mandatin, telefonatat nga PD

Intervista/ Lefter Maliqi: Pse pranova mandatin, telefonatat nga PD

Kandidati i Partisë Demokratike në listën e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, në Qarkun e Beratit, Lefter Maliqi, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, ka konfirmuar se do të marrë mandati i deputetit, pas aktit ekstrem të partisë më të madhe në opozitë, për të djegur mandatet e përfaqësimin në Parlament. Maliqi, i renditur i treti në listën e PD për Beratin, do të marrë mandatin e dorëzuar nga Astrit Veliaj, i cili hyri në Parlament pas dorëheqjes misterioze të Eduard Halimit.

Maliqi thekson se pas një dileme njëjavore vendosi të pranonte mandatin e deputetit pas apelit të ndërkombëtarëve, por edhe për shkak të kontributit të tij në mbështetje të PD që nga viti 2009. Kandidati i PD, i cili u largua nga kjo parti në fund të vitit 2016, ndërsa aktualisht mban poston e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, pohon se Lulzim Basha ia kishte borxh mandatin e deputetit. Sipas Maliqit, Basha e ka gënjyer se do ta vendoste në krye të listës në Berat në zgjedhjet e 2017 dhe se do ta kandidonte për kryetar të Bashkisë së Beratit. Lefter Maliqi pohon se ka pasur shumë telefonata nga PD për të mos marrë mandatin e deputetit, ndërsa sqaron se në Kuvend do të jetë opozitar.

-Z. Maliqi, keni hedhur një hap konkret drejt marrjes së mandatit të deputetit, duke dorëzuar në KQZ formularin e dekriminalizimit. Pse po hiqni dorë nga posti i zv/drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, për të hyrë në Kuvend, në një kohë kur ju jeni larguar nga PD?

Po, sot (dje) kam marrë vendimin për të marrë mandatin e deputetit, në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit. Partia Demokratike me kishte borxh mandatin për shkak të mbështetjes së madhe që i kam dhënë që nga viti 2009, kur i dhunuara mandatin e tretë në Berat dhe vazhdimësinë e qeverisjes. I dhurova PD mandatin e dytë në zgjedhjet parlamentare të 2013, duke u bërë shembull për rezultatin në rritje në zonat ku mbuloja, pasi ktheva tre komuna të PS me PD. Për katër vjet punova fort në opozitë, por Lulzim Basha nuk mbajti asnjë premtim, ndërsa më hoqi emrin nga lista e kandidimit për kryetarin e degës së PD në Berat. Më hoqi emrin nga lista e kandidimit për drejtimin e Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD. Më gënjeu se do të isha kandidat për kryetar të Bashkisë Berat me justifikimin se ja kishte dhënë Partisë Republikane. Më gënjeu se do të më caktonte si kandidat, të parin në listën e Beratit, kur më caktoi të tretin. Pas debateve më të, nuk e mbështeta në fushatë. Në zgjedhjet parlamentare të 2017, PD pësoi disfatën më të thellë në historinë e saj në Berat, duke marrë vetëm një mandat, ku u duk qartë pesha ime në atë zonë.

-Ju jeni larguar nga PD që në fund të vitit 2016. Cilin elektorat do të përfaqësoni në Kuvend dhe a do ta bashkoni votën me shumicën parlamentare?

Unë vazhdoj kontaktet e përjavshme me banorët e zonës, duke i mbështetur për problemet. Do përfaqësoj votuesit e majtë dhe të djathtë. Në parlament do të jem opozitar, por do të bashkoj votat me Partinë Socialiste vetëm ligjet që i shërbejnë vendit dhe interesave të shqiptarëve.

-Gjatë kësaj kohe, pra që nga vendimi politik i PD-LSI për djegien e mandateve dhe deri kur dorëzuar formularin e dekriminalizimit, a keni pasur ndërhyrje dhe presione për të mos pranuar mandatin dhe nga kush?

Kam pasur telefonata nga përfaqësues të Partisë Demokratike, për të mos pranuar mandatin e deputetit, por nuk u jam përgjigjur. Nga PS nuk kam pasur asnjë kontakt. Për më shumë se një javë kam qëndruar në heshtje. Kam parë reagimin e ndërkombëtarëve, Kushtetutën dhe ligjet, por edhe të drejtën morale dhe borxhin që më kishte Lulzim Basha ndaj votuesve të mi.

-Opozita pretendon se kryeministri Rama po sajon një opozitë në Kuvend, përmes kandidatësh të cilën nuk po i binden urdhrit të PD-LSI për të mos marrë mandatet e deputetëve. Cila është përgjigja juaj për këtë akuzë?

Për mua kjo është një shpifje, pasi i njoh mirë kandidatët e PD dhe LSI. Njoh e burrërinë e Myslim Murrizit. Lulzim Basha nuk e di se ku është vetë. Është në drejtim të paditur. Më vjen shumë keq për demokratët, të cilët i kam miq dhe i vlerësoj, por nuk kanë lider. Lulzim Basha nuk ngjall shpresë, nuk frymëzon, nuk di të drejtojë dhe ka përçarë Partinë Demokratike. Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Astrit Patozi, Majlinda Bregu etj., janë vlera të Partisë Demokratike. Por, Lulzim Basha zgjodhi pazaret me OFO-t dhe Kuqot, nuk zgjodhi kontributet.

-Si e vlerësoni ju aktin ekstrem të djegies së mandateve dhe protestave të dhunshme? Çfarë fshihet pas? A qëndron pretendimi i blerjes së votave?  

Sigurisht që jam kundër aktit ekstrem të djegies së mandateve dhe protestave të dhunshme. Sa për blerjen e votave, ky është një fenomen që e kanë përdorur të tria partitë, PD-PS-LSI dhe parti të tjera. Jam për marrëveshje politike si dhe për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ku të aplikohet sistemi maxhoritar i pastër.

-Mendoni se do kemi zgjedhje të parakohshme në horizont?

Edhe po të ketë zgjedhje të parakohshme, Parti Demokratike nuk i fiton zgjedhje, për shkak të Lulzim Bashës, i cili nuk ngjall shpresë dhe nuk frymëzon. Nuk është një drejtues i aftë dhe bashkues.

Ndërhyrjet

“Kam pasur telefonata nga përfaqësues të Partisë Demokratike, për të mos pranuar mandatin e deputetit, por nuk u jam përgjigjur. Kam parë reagimin e ndërkombëtarëve, Kushtetutën dhe ligjet, por edhe të drejtën morale dhe borxhin që më kishte Lulzim Basha ndaj votuesve të mi”.

Qëndrimi

“Do përfaqësoj votuesit e majtë dhe të djathtë. Në parlament do të jem opozitar, por do të bashkoj votat me Partinë Socialiste vetëm ligjet që i shërbejnë vendit dhe interesave të shqiptarëve”.

Lefter Maliqi dorëzon formularin e vetëdeklarimit në KQZ

Kandidati i Partisë Demokratike në listën e zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës, Lefter Maliqi, ka dorëzuar dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e vetëdeklarimit, duke konfirmuar vendimin për marrjen e mandatit të deputetit. Pas verifikimit nga ana e KQZ, Lefter Maliqi pritet të marrë mandatin e deputetit të PD-së në Qarkun e Beratit. Që në fillim të vitit 2018, Maliqi mban pozicionin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Në zgjedhjet parlamentare të 2017, Lulzim Basha e vendosi Malqin të tretin në listën e Beratit, pas Eduard Halimit dhe Astrit Veliajt. Partia Demokratike arriti të merrte vetëm një mandat në Qarkun e Beratit, duke pësuar humbjen më të thellë që nga themelimi i saj. Më vonë, Eduard Halimi hoqi dorë nga mandati i deputetit, mandat të cilin e mori Astrit Veliaj, i renditur i dyti.

Ndërkaq, Veliaj iu bashkua vendimit politik të Partisë Demokratike për djegien e mandatit të përfaqësimit në Parlament, si akt ekstrem dhe mjet presioni, për të detyruar kryeministrin Edi Rama që të pranojë qeveri kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme. Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama ka dhënë disa sinjale të qarta se do ta çojë mandatin deri në fund, ndërsa ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale. Faktori ndërkombëtar ka dënuar në unison aktin e djegies së mandateve dhe protestat e dhunshme, ndërsa ka theksuar se Parlamenti është legjitim si dhe zgjedhjet janë pranuar nga të gjitha palët. Megjithatë, kjo situatë politike mund të ndikojë negativisht në ekonomikë si dhe mund të shtyjë në kohë çeljen e negociatave.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Liliana: 12/03/2019 12:41

    Z.Lefter e bere Mire qe pranove mamndatin e deputetit je nje djal i shkelqyer ti do ti sherbesh me shume elektoriatit Sepse je i pregatitur,ke zemer te madhe dhe je i drejt te uroj suksese ne detyren e re per te mire e Shqiperi. Luli Basha te pergjigje per 4 vrasjet ne mes te sheshit ,i takon te jet ne burg e jo ne parlament

    Përgjigju
  • Konjak: 05/03/2019 10:04

    Cdokush ne jeten private eshte ne te drejten e tij, te mendoje dhe te veproje ne menyre te pa varur ,por pa dale nga rregullat dhe disiplina e grupit shoqeror brenda te cilit jeton.C'do njeri qe ben jeten e shoqerizuar ne cilindo grup politik , social ,artistik etj ,eshte i detyruar te zbatoje , te gjitha rregullat ,normat ,sjellien ,morale e shpirterore te grupit ne te cilin merr piese .Mirpo keto zhvillime keto qendrime keto siellie, kane vlera vetem per ate shoqeri njerezore qe ka moralin e ndergjegjes ,shpirt te lartesoar ne mendim te paster, arsyetym te kulluar ,aftesine e nje gjikimi te drejte e te pa tundur .Pra c'do njeri qe ka vlera ,eshte i mire per vete dhe per shoqerine njerezore ,ku ben pjese .Mir po shoqeria njerezore nuk ka arritur persosmerine ne zhvillim ,prandaje do ket edhe njerez qe ecin, shikojne e mendojne ,paramera (shtrember).Vertet kio piesee shoqerise eshte shume e demshme per gjith shoqerine ,pamvaresisht momenteve .Civilizimi i gjithe shoqerise eshte teper i domosdoshem ,qe vendi te ec drejt perparimit .Megjith ate do te thosha :te kemi respektin minimal per te gjithe shoqerin njerezore ,pamvaresisht demeve qe na sjellin ,me veprimtarine e tyre negative .

    Përgjigju
    • Ghh: 05/03/2019 12:24

      Lefter Maliqi tradhton baben e vet per interesa jo me Lulin e PD.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja