Sipas dy akteve të ekspertizës balistike është arritur në konkluzionin se arma kallashnikov e modelit 56 dhe kalibër 7.62mm, e sekuestruar në vendngjarje, nuk ka pësuar dëmtime dhe është në gjendje të mirë teknike për të kryer qitje. Në njërin prej akteve balistike citohet se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një gëzhojë, e cila sipas analizave është qitur nga një armë me kalibër 7.62 mm dhe model 56. Pra kjo është arma që kishte në përdorim Flamur Gashi, e vërtetuar edhe në regjistrin e policisë.
Përse e akuzoni Arjan Muçën për vrasjen e dy policëve? Keni prova?
Lidhur me vrasjen e dy policëve në Tropojë, kur Arjan Muça punonte si shef krimesh, unë do i bëj publike në seancë, para Gjykatës dhe Prokurorit. Në Policinë e Shtetit ka banditë që përdorin funksionet shtetërore në favor të aktivitetit të tyre kriminal.
Lidhur me ngjarjen Durrësit, keni për të shtuar gjë për Arjan Muçën?
Arjan Muça ishte drejtuesi më i lartë i Policisë së Shtetit, që drejtonte operacionin atë ditë dhe përgjegjësia më e madhe i përket Arjan Muçës. Nuk bëhet fjalë vetëm për dyshime. Unë mund t’iu jap prova. Akti i ekspertimit balistik me Nr.7436, i datës 02.10.2009 tregon qartë se unë jam plagosur me armë pa leje. Kjo provë është vetëm maja e ajsbergut. Mua më erdhën për të më vrarë me armë pa leje dhe për pak mund t’ia kishin arritur qëllimit. Më grabitën lekët që kisha në makinë. Dhe më e dhimb-shmja, më vranë shokun.
Pse akuzoheni për vrasjen e katër policëve?
Dritan Dajti akuzohet për vrasjen e policëve sepse duhet të dalin të pafajshëm vrasësit e vërtetë.
E vërteta e tre policëve të tjerë të vrarë?
Përsa i përket vrasjes së Fatos Xhanit, asnjë nga 11 policët dëshmitarë të ngjarjes nuk e ka parë se kush e ka vrarë Fatos Xhanin, që ishte shefi i tyre. Madje bëhen edhe qesharakë me dëshmitë e tyre në gjykatë. Flamur Gashi, i pyetur në datë 29.04.2011 përpara gjykatës(shiko p.v 29.04.2011, fq 12- 13 p.v) dëshmon se ka parë Fatos Xhanin të rrëzohej nga ana e majtë e Tuaregut me xhama të zinj, në kohën kur Flamur Gashi ndodhej në anën e djathtë të Tuaregut. “Nuk e kam parë se kush e qëlloi. Nuk mund të shikoja dy dyert e anës së majtë të Tuaregut meqë Tuaregu ishte me xhama të zinj, por Fatos Xhanin e kam parë duke u rrëzuar mbas këtyre dy dyerve”. Dëshmitari tjetër okular, edhe ky punonjës policie deklaron: “Kam qenë gjysmë metri larg Fatosit, kur u rrëzua Fatos Xhani. Kam parë tym dhe flakë brenda Tuaregut, por nuk kam parë se kush e vrau Fatos Xhanin”. (Shiko p.v. datë 25.05.2011). Përsa i përket vrasjes së Altin Dizdarit, asnjëri prej policëve që ishin dëshmitarë okularë të ngjarjes, nuk ka parë se kush e ka vrarë Altin Dizdarin. Askush nuk e di se kur është vrarë Altin Dizdari.
Askush nuk e di se me çfarë arme është vrarë Altin Dizdari. Askush nuk e di se në çfarë distance është qëlluar Altin Dizdari. Përsa i përket vrasjes së Kastriot Feskajt, është haptazi dhe mëse i qartë manipulimi nga ana e Prokurorisë. Nga ana e Prokurorisë pretendohet se Kastriot Feskaj është vrarë kur po prangoste shokun e Dritan Dajtit, i cili u largua pas vrasjes së Kastriot Feskajt. Ndërsa në kërkesën për gjykim prokurorët kanë vendosur që çështjen në ngarkim të bashkëpunëtorit të Dritan Dajtit ta çojnë në Durrës dhe bashkëpunëtorin e Dritan Dajtit ta akuzojnë vetëm për armëmbajtje pa leje. Nuk besoj që këta lloj Prokurorësh janë vetëm të paaftë.
Si e provoni që Flamur Gashi ka qëlluar me armë në vendin e ngjarjes?
Edhe pse Flamur Gashi në datën 29.04.2011 ka dëshmuar se nuk ka qëlluar me armë zjarri në vendngjarje dhe ky fakt i pasqyruar në p.v datë 29.04.2011, faqe 17, unë po iu vë në dispozicion aktin e ekspertimit balistik me Nr.6023 datë 09.08.2009 dhe akt nr.6060 datë 11.08.2009 që tregojnë se arma automatike e tipit kallashnikov me numër serie 2001048, ka kryer qitje në vendngjarje dhe kjo armë është në gjendje të rregullt teknike për të kryer qitje. Po iu vë në dispozicion edhe p.v. e sekuestrimit të automatikut nga Prokuroria dhe librin e armatimit që kjo armë i përket Flamur Gashit. Nuk besoj se do të duhen prova të tjera për të provuar se Flamur Gashi gënjen kur thotë se nuk ka qëlluar me armë.
Pse thoni që Saimir Duçkollari nuk është vrarë te dera e Tuargeut?
Po iu vë në dispozicion aktin e ekspertimit kimik me Nr.6312, datë 21.08.2009 dhe skicën e vendit të ngjarjes. E shënuar me Tabelën me Nr.24 është gjetur i vetmi gjak i Saimir Duçkollarit në vendngjarje. Siç shikohet në skicën e bërë nga ekspertët kriminalistë tek Tabela 24 që është gjetur gjaku i Saimir Duçkollarit, ndodhet mbrapa Tuaregut. Ka pamje filmike, por unë mund t’iu vë në dispozicion foto, ku tregohet qartë se Saimir Duçkollari ndodhet i rrëzuar pas Tuaregut dhe tërhiqet zvarrë nga Flamur Gashi, në momentin që ai është qëlluar. Në seancat në vijim, besoj nga shtatori, unë do të bëj publike tre prova të tjera që provojnë se Saimir Duçkollari, jo vetëm është vrarë mbrapa Turegut, por ai nuk është qëlluar nga brenda mjetit Tuareg.
Prokuroria dhe Gjykata lejuan Flamur Gashin të gënjejë. A mund të na tregoni se për çfarë arsye kërkuat që ta vazhdoni procesin pa avokat, nëse vjen Flamur Gashi për tu ballafaquar?
Trupi gjykues i kryesuar nga Nertina Kosova, por edhe prokurorët kanë përfituar që procesi zhvillohej me dyer të mbyllura dhe nuk regjistrohej dhe kanë lejuar Flamur Gashin jo vetëm të refuzojë të dëshmojë, por edhe të gënjejë haptazi, ndërsa gjykata falsifikonte procesverbalet para dhe pas seancës gjyqësore. Në datë 29.04.2011 mua si të pandehur më është hequr e drejta për t’i bërë pyetje Flamur Gashit. Edhe pse Flamur Gashi më shumë se 80 pyetjeve lidhur me vrasjen e Saimir Duçkollarit i është përgjigjur: Nuk di të përgjigjem. Po iu vë në dispozicion disa pyetje dhe përgjigjen idiote: Nuk di. “Sa herë u qëllua Saimir Duçkollari? Nuk e di. Sa ka qenë distanca që u qëllua Saimir Duçkollari? Nuk e di. Sa plagë kishte në kokë Saimir Duçkollari? Nuk e di. A e ke parë ti personin në sediljen e pasme të Tuaregut që të qëllonte me armë? Nuk e di. Në çfarë pozicioni ndodhej Saimir Duçkollari në raport me ty në çastin që u qëllua? Nuk e di. Sa larg teje ndodhej Saimir Duçkollari në kohën që u qëllua? Nuk e di. Sa krisma ke dëgjuar? Nuk e di. A ke dëgjuar ti krisma me breshëri në vendngjarje? Nuk e di. A mund ta identifikosh nëse e sheh armën që u qëllua Saimir Duçkollari? Nuk e di, nuk mundem. Në çfarë pozicioni ndodhej personi në sediljen e pasme të Tuaregut, kur u qëllua Saimir Duçkollari? Nuk e di. Çfarë veprimesh po kryenin policët, kur u qëllua Saimir Duçkollari? Nuk e di”. Jam i gatshëm t’iu vë në dispozicion të gjitha p.v. e seancave gjyqësore, kur ka dëshmuar Flamur Gashi, i cili edhe pse me arsim të mesëm, cilësohet në gjyq nga prokurorët dhe Nertina Kosova si oficer i policisë gjyqësore. Ju premtoj se nëse ballafaqohem me Flamur Gashin para medieve, në seancë do të bëj këtë të fundit që të pranojë duke qarë se ai ka gënjyer lidhur me vrasjen e Saimir Duçkollarit.
Misteri i pistoletës së paregjistruar. Dyshimet, kalibri i plumbit përputhet me armën Makarov, prezent në operacione policie.
Në masakrën e Durrësit, ku mbetën të vrarë katër efektive policie, u plagos rëndë edhe vetë i pandehuri Dritan Dajti. Sipas analizës shkencore lloji i armës që ka qëlluar në drejtim të Dajtit mund të jetë Makarov. Sipas ekspertizës balistike me numër.7436 dhe datë 02.10.2009 thuhet se arma që ka goditur të pandehurin nuk është në grupin e armëve të zjarrit të sekuestruara në vendngjarje. Nga konkluzionet e analizës shkencore rezulton se predha është në kategorinë e fishekëve 9mm, të armëve Makarov. Këto lloj municionesh janë përdorur shpesh herë në operacionet e policisë. “Predha, objekt ekspertimi, e sekuestruar në cilësinë e provës materiale, në spitalin ushtarak, pas operacionit në trupin e të dëmtuarit Dritan Dajti, i përket pjesëve përbërëse të fishekëve standardë luftarakë të kalibrit 9mm, që përdoren si municione nga pistoletat e kalibrit 9 mm, siç janë pistoletat Makarov”, thuhet në analizën balistike.
Por, një fakt tjetër interesant është se nga kjo armë janë gjetur edhe 6 gëzhoja fishekësh, të sekuestruara në vendngjarje. Është e habitshme sesi këto fakte janë mbajtur të fshehta dhe asnjëherë nga policia nuk ka pasur interes për të zbuluar se kujt i përkiste arma që plagosi Dritan Dajtin. “Predha objekt ekspertimi, i përket të njëjtit lloj e modeli fisheku, siç janë 6 gëzhojat fishekësh të standardit luftarak të fabrikuara të kalibrit 9mm të sekuestruara në ngjarjen e datës 07.08.2009, që i janë nënshtruar ekspertimit nr.6023, datë 09.08.2009”, vijon pika 4 e aktit balistik. Dyshime krijohen kur ekspertiza thotë se kjo predhë është e kalibrit të armës pistoletë Makarov, e cila është ndër armët e zjarrit që përdoren më shpesh në aksionet e policisë. Heshtja e treguar për identifikimin e 6 predhave krijon dyshime se kjo armë mund të jetë përdorur nga efektivët e policisë, dhe ka qenë pa leje. “Predha, objekt ekspertimi nuk është qitur nga dy armët e sekuestruara shtetasit Dritan Dajti. Predha, objekt ekspertimi, nuk është qitur nga njëra prej armëve që i janë sekuestruar efektivëve të policisë, që kanë marrë pjesë në operacion në ngjarjen e datës 07.08.2009, armë që i janë nënshtruar ekspertimit nr.6060, datë 11.08.2009, pasi këto lloj armësh përdorin municion të llojit e modelit të ndryshëm nga ai i predhës në fjalë”, përfundon akti balistik.
Është e habitshme sesi nga policia dhe nga prokuroria është lënë në heshtje identiteti i personi që ka plagosur Dajti. Në kërkesën për gjykim thuhet vetëm se Dajti ishte plagosur, por në asnjë shkresë të hetimeve nuk zbardhen rrethanat, personi apo arma. Ndonëse fshehjes së këtyre fakteve është ekspertiza që pohon se arma që qëlloi Dajtin mund të jetë Makarov. Kjo lloj arme përdoret shpesh herë nga policia në operacione të ndryshme.
Marrë nga Shekulli
(v.gj/shqiptarja.com)