INTERVISTA/ Robert Aliaj:
Bëjeni fundjavën një film!

INTERVISTA/ Robert Aliaj:<br />Bëjeni fundjavën një film!
Artisti sjell në tetor edicionin e tretë "TIRANA 48 Hour Film Project", një "paradhomë" drejt Kanës. Kthimet në Shqipëri dhe trishtimi për kulturën
"TIRANA 48 Hour Film Project" do të jetë sërish në kryeqytet. I hapur për të gjithë. Robert Aliaj Dragot që vjen për të tretën herë bashkë me këtë event, i fton të gjithë që të marrin pjesë, duke theksuar se projekti është hapi i parë për në Festivalin e Kanës,. Sigurisht ata që marrin vesh nga kjo punë dhe që mund ta bëjnë fundjavën një film, me pasion dhe dëshirë. I njohur fillimisht përmes këngës lirike, pastaj pikturës dhe "arbitrimet" e rrepta te "Gjeniu i vogël", Aliaj rrëfen për "Fundjava" gëzimin që i sjell projekti filmik, por edhe trishtimi për kulturën të ngërthyer nga realiteti i vështirë frenues dhe destruktiv. Duke mos harruar të theksojë se sa të rëndësishme janë për të rikthimet në atdhe, pavarësisht problemeve, ku ia vlen të inkurajosh artistët e rinj ambiciozë, të pushosh apo të hash mirë.

Prej disa javësh keni shpallur fillimin e aplikimeve të Festivalit "Tirana 48 Hour Film Project" 2012. Si po shkon procesi i aplikimit në këtë edicion të tretë? Do të jetë edhe ky aktivitet i sigluar nga 100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë, ashtu si shume aktivitete të tjera?

Eshtë herët të flasim për ecurinë e procesit të aplikimit, kur dihet që ne shqipëtarët gjithshka e lëmë për minuten e fundit. Po, tashmë është iniciuar regjistrimi on-line i- edicionit të 3-të të fundjavës konkurruese të "Tirana 48 Hour Film Project 2012". Këtët vit do të jetë një edicion special me rastin e 100 vjetorit te Shpalljes së Pavarësisë.
"TIRANA 48 Hour Film Project" do të prezantohet në Tiranë për herë të tretë këtë vit. Krijues të filmave nga i gjithë vendi dhe nga të gjitha vendet ku jetojnë shqipëtarët do të konkurrojnë për realizimin e një filmi të shkurtër brenda 48 orëve. Filmi fitues do të konkurrojë me filmat fitues nga e gjithë bota për titullin "Best 48 hour Film of the Year 2012". .

Robert fundjavat janë një kohë e lirë për t'u kaluar sipas mënyrës së gjithesecilit. Por nuk besoj se dikujt mund t'i ketë shkuar ndërmend te realizoje një film gjatë një fundjave sikundër propozon projekti juaj… Mundet?

Gjithçka mundet, mjafton dëshira dhe pasioni. Për një kineast ambicioz të talentuar dhe me pretendime për të avancuar në jetën e tij profesionale, kjo është fundjava e ëndërruar.

Si mendohet të jetë edicioni i këtij viti? Çfarë mund të dimë deri tani?

"TIRANA 48 Hour Film Project" është një festival që zbulohet në proçesin e kryerjes, pra me datë 12 Tetor në orën 19.00 fiks.

Duke iu referuar edicioneve te kaluara çfarë mund të themi per artistët shqiptarë? Si janë pritur filmat fitues në festivalet e huaja?

"TIRANA 48 Hour Film Project" i jep mundësinë kujtdo të ballafaqohet me vetëveten, të guxojë të sfidojë, të tejkalojë mundësitë e tij etj. Të realizosh një film te metrazhit të shkurtër vetëm për 48 orë, kjo kërkon profesionalizëm padyshim, dhe në dy edicionet e kaluara kineastët tanë janë treguar tepër premtues.

Një aktivitet kulture nuk është aspak i lehtë për nga pikëpamja financiare e për më tepër në kohë krize… Eshtë reflektuar kjo gjë në edicionin e këtij viti?

"TIRANA 48 Hour Film Project" përveçse një platformë e fuqishme e prodhimit dhe promovimit të filmave dhe vetë kineastëve ekskluzivisht shqiptarë, ai kontribuon fuqishëm dhe në promovimin e imazhit të qytetit të Tiranës dhe të turizmit shqiptar. Nuk është vetem kriza ajo që e vështirëson realizimin e këtij eventi shumë të rendësishëm kombëtar, që tashmë e ka krijuar fizionominë e vet. Eshtë fakti që Shqipëria është e mbërthyer në kthetrat e korrupsionit dhe militantizmit, s'mbetet gjë për të tjerët. Shteti nuk mbështet promovimin e artit. Kultura ne Shqipëri ka qenë përjetësisht në krizë dhe mesa duket do të mbetet e tillë. Por kjo nuk përbën asnjë arsye që një krijues të abandonojë të ekzistuarit nëpërmjet kreativitetit, nevojën për të endërruar dhe për t'i shpëtuar realitetit të vështirë shqiptar.

Përse kineastë të rinj duhet të marrin pjesë në një konkurrim të tillë ku të bëjnë një film për 48 orë?

Ata do të marrin pjesë në "TIRANA 48 Hour Film Project" vetëm në qoftë se janë ambiciozë dhe duan të realizohen profesionalisht dhe të afirmohen si kineastë.
" Tirana 48 Hour Film Project" ju hap prespektivën për të realizuar ambicien e tyre profesionale dhe u jep shansin që të ballafaqohen me realitetin në arenën ndërkombëtare. Mos harroni që fituesi i edicionit të "TIRANA 48 Hour Film Project" përfaqëson Shqipërinë në një konkurrim, ku 20 nga 100 filmat fitues të vendeve respektive përfaqesohen ne Festivalin e Kanës. Ka arsye më të madhe se kaq?

Le të flasim pak më shumë për ju. Që nga balada e ëmbël në festivalin e këngës në RTSH, kanë kaluar shumë kohë. Ju kemi parë si piktor, si artist i lirë, si anëtar jurie në spektakle për fëmijë, si gazetar në emision televiziv, e padyshim edhe si pop star. Në gjithë ndryshimin tuaj, duket sikur rebelimi, është filli që lidh të gjitha kohët tuaja deri më sot..
Eshtë një përshtypje e gabuar?

Në qoftë se rebelimi është një ndjenjë indinjate dhe zemërimi dhe pakenaqesie në raport me një realitet si ky që përjetojmë, ose një forme refuzimi i një autoriteti që t'i e konsideron të padenjë dhe reagon me forma sjelljeje jo të dhunshme, atëhere kjo korrespondon me mosbindjen civile ose me rezistencën qytetare. Edhe me përshtypjen tuaj, pse jo.

Edhe pamja juaj e jashtme "dikton" një stil të rebeluar… apo jo?

Në qoftë se i shohim gjërat nga perspektiva e një shoqërie të formatuar për një sistem të vjetëruar, atëherë po.

Mbas emisionit "3 për një strehë", keni në plan per ndonjë projekt të ri ne televizion ose ne pikture apo muzike?

Sapo mbarova nje sezon emisionesh me Vizion Plus që, e quaj të mjaftueshëm. Nuk mendoj se do të doja ta testoja më tej mikpritjen shqiptare, e cila nuk mungoi kudo që shkova. Edhe një here tjetër u rikonfirmua miti i vjetër i mikpritjes shqiptare, gjë që do ta quaja repetitive dhe jo me ndonjë vlerë të veçantë zbuluese, nëse do të shkoja më tej me testimin e saj. Tani unë mendoj për një format më të evoluar, ku njerëzit e thjeshtë të kenë më tepër hapësirë mediatike, me ngjarje, dhe njerëz që nuk mund të gjejnë hapësirë në faqet e para të gazetave, dhe që u lejon shikuesve një vizion të realitetit të padhunuar, ideal për të përcjellë mesazhe sociale dhe njerëzore në çdo episod.
Si ndahet koha juaj mes Shqipërisë dhe vendbanimit tuaj të përhershëm? Për ju ardhja në Shqipëri është më shumë një udhëtim pune apo edhe relaksi?

Ardhjen në Shqipëri e kam parë gjithnjë si një dëshirë dhe dashuri te pambaruar, që nuk do të më braktisë kurrë, pavarësisht nga realiteti i vështirë frenues dhe destruktiv për realizimin e projekteve apo ëndërrave, qoftë si qytetar i thjeshtë, qoftë dhe si artist.
Nuk dua të dukem si romantik i përvëluar e sentimentalist, por lidhja me vendin tënd është diçka shumë e thellë dhe intriguese dhe si e tillë mbetet e patjetërsueshme. Më duket shumë e thënë bukur në një këngë të Edith Piaf, "Tu Me Fais Tourner La Tête" ("Ti më bën të kthej kokën pas" sh.g.). Dua t'jua citoj disa nga vargjet e saj: Ti më bën kokën të kthej./ Ti je orientim për mua/ Unë me ty gjithnjë dëfrej/ Kur më ngroh në gjinjtë e tua/

Kohe e pushimeve thuajse mbaroi. Si dhe ku i kaluat këtë vit pushimet tuaja? Sa ju pëlqen të udhëtoni?

Më pëlqen të udhëtoj. Udhëtimi të mban të ri, të bën të dish dhe ta shohësh jetën ndryshe, sepse udhëtim do të thotë zhvillim e pasurim, të shkosh drejt të panjohurës, të njohësh të tjerë dhe të rigjesh vetëveten. Sot, pavarësisht nga trishtimi, vuajtjet dhe zhgënjimi ...ideja e udhëtimit të bën të harrosh dhe t'i shpëtosh realitetit përkohësisht, sepse në fund të fundit do t'i kthehesh ritmit tënd, shqetësimeve dhe problemeve te tua. Vitet e fundit pushimet e mia behen në funksion të dëshirave të vajzës sime, ajo zgjedh.

Familja dhe arti, si pasqyrohen tek ju?

Arti nuk ka asgjë të përbashkët me familjen, me marrëdhëniet, me respektin, as me shijet bile. Eshtë një gjendje shpirtërore. Por arti ka një impakt të fuqishëm në jetën e familjes. Familja nuk mund të pasqyrohet aspak direkt në artin tim, unë as nuk mund të ushtroj art në marrëdhëniet e mia familjare. Në artin tim, familja pasqyrohet vetëm nëpërmjet lirisë time për t'u shprehur në formën dhe mënyrën time origjinale, dhe kjo nuk është pak. Arti ka forcën të na çlirojë nga çdo lloj skllavërimi nga bota aktuale individualiste. Kemi artin për të mos rrezikuar nga realiteti.
Kaloni kohën duke lexuar? Çfarë preferoni më së shumti?

Nuk mendoj se lexoj për të kaluar kohën, lexoj sepse e ndjej si nevojë. Leximi të mundëson të ëndërrosh dhe të ofron mjetet për të gjetur zgjidhje. Ti identifikohesh në një liber si në një këngë, pra ndjehesh i përafërt, zbulon vetëveten, gjen shpjegim për ide të cilat e ke të vështirë ti shpjegosh ose t'i kuptosh. Pastaj gjithçka varet nga çfarë lexon. Aktualisht jam i tërhequr nga Stieg Larsson, një shkrimtar suedez I romanit policeck, që kur ja fillon, nuk ndalon dot. Më pëlqen këtë periudhë edhe Murakami, i cili më ngjall një ndjenjë thrilleri me filozofimet e tij dhe metafizikën psikologjike mbi realitetin sipërfaqësor të jetës materialiste dhe tmerret e një imagjinate hipersensitive.

Keni qenë një gjykues shumë i rreptë gjatë edicioneve te "Gjeniu i Vogël". Kaq i rreptë jeni edhe si baba?

Ashpërsia me të cilën unë reagoja kundër përqasjeve të ndonjë anëtari jurie me një mentalitet tejet të shpërvjelur dhe të prapambetur, aq më tepër aspak kompetent, u perceptua ndoshta gabim. Unë nuk mund të isha i ashpër me fëmijët. Mu desh të isha i drejtë, i pakompromentueshëm, i fortë mjaftueshëm për të përballuar paragjykimet. "Gjeniu" nuk ishte vetëm një konkurrim për mua, ishte shumë më tepër se kaq. Unë e kisha të qartë qe kontributi im atje nuk konsistonte vetëm në vendosjen e pikëve me saktësi. Unë e pashë "Gjeniun" si një platformë edukuese dhe gjithçka rrodhi në vartësi të kësaj, pavarësisht nga sentimentalizmi im i thelle dhe dobësia ime për fëmijët. Shpesh më duhet të jem po aq i ashpër edhe me Kristin dhe Galën time
(Shkrimi u publikua ne suplementin FUNDJAVA, 13 shtator 2012)

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga