Intervista/ Shkëlzen Doli: Si e
çova muzikën popullore në Vjenë

Intervista/ Shkëlzen Doli: Si e<br />çova muzikën popullore në Vjenë
“Baresha”, “Valle e veriut”, melodi të këngëve arbëreshe; janë një varg i madh i perlave të muzikës shqiptare që lidhen aq fort me ëndrrat fëmijërore të violinistit Shkëlzen Doli. Ndërsa koncerti do të mbahet të shtunën në mbrëmje më 4 qershor ora 20.00, artisti Shkëlzen Doli po zhvillon provat me artistë të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Për Shkëlzen Dolin muzika popullore, arti i popullit të tij, mbetet një burim frymëzimi e pasioni. Nga zemra e artistit, tek telat e violinës, tingëllon natyrshëm muzika e të gjitha trevave shqiptare. Janë po këta tinguj, me të cilët violinisti i shquar shqiptar Shkëlzen Doli ka mahnitur publikun vjenez më 1 janar 2015 me interpretimin e muzikës shqiptare me orkestrën e Filamonisë së Vjenës. 

Në koncertin me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, Shkëlzen Doli do të interpretojë “Perlat e muzikës popullore”, premierë absolute në TKOBAP, përpunuar për violinë dhe orkestër nga Gerti Druga.

Shkëlzen Doli në një intervistë për emisionin Rreze Dielli rrëfen dëshirën e tij të jashtëzakonshme për të qenë pranë publikut shqiptar dhe pikërisht me Ansamblin Popullor në Teatrin e Operës dhe Baletit. 

INTERVISTA E PLOTË

Ishte si e dalë nga shpirti ajo thënia jote e postuar në Facebook, kur lajmëroje për koncertin,. “Mezi pres të jap koncertin, realizohet ëndrra ime e fëmijërisë”. Çfarë ju bëri të bëni këtë lloj prezantimi, të jepni këtë lloj mesazhi, edhe për miqtë tuaj në lidhje me koncertin?

-Kjo me të vërtetë është ëndrra e fëmijërisë sime, sepse jemi rritur më këtë muzikë, me këtë taban të muzikës popullore, dhe unë që i vogël kam ëndërruar gjithmonë që një ditë të kem mundësi të arrijë një nivel si instrumentist ose muzikant që të jem kush e di edhe jo solist, por të jem edhe pjesë e Ansamblit Popullor. 

Ansambli Popullor dikur ka pasur më shumë rëndësi, ka qenë edhe më evident edhe në skenat botërore, disa vite ka pasur rënie dhe tani me sa duket po shkon drejt ringjitjes, ç’mund të thoni sesi e gjetët nivelin e Ansamblit në Shqipëri?

-Shumë nivel i mirë. Ka ardhur një frynë e re, sepse ka ardhur edhe miku im Gerti Druga që është edhe drejtori i Ansamblit. Ka bashkëpunime dhe me sa di unë kanë qenë me koncerte edhe në Azi, në Kinë, do ketë edhe bashkëpunime të tjera të Ansamblit me vende të tjera të botës. Nuk e di sesi ka qenë ndërkohë ansambli, se nuk kam pasur kontakt, por pak a shumë e gjeta siç e prisja. 

Ju vlerësoni edhe instrumente të veçanta të këtij ansambli. Disa mund edhe të na i spikatni, sepse keni pasur edhe marrëdhënie me ta në koncertin në Vjenës?

-Instrumente shumë karakteristike për muzikën shqiptare janë klarineta, është lahuta, ne do kemi edhe nga veriu pjesë me çifteli, disa pjesë me lodër, që do të sillen ashtu siç janë autoktone pjesët shqiptare. 

Koncerti i juaj i Vjenës, natyrisht që ka bërë bujë, na bëri të famshëm si popull për muzikën, natyrisht të bëri edhe ty të famshëm. Si guxove të provoje për të dhënë këtë vlerë të artit shqiptar, në një skenë që janë shumë shijehollë për muzikën klasike?

-Unë e kam prezantuar atë si një pjesë multikulturale, se në Vjenë bashkohen kultura muzikore të ndryshme. Janë shumë të hapur për kultura të tjera dhe unë bëra prezantimin që në këtë pjesë të prezantohej kultura shqiptare. Insistova unë patjetër dhe natyrisht ngaqë ishte kualiteti i mirë, niveli i pjesës i pëlqeu shumë edhe Filarmonisë dhe televizionit shtetëror austriak, aq shumë sa e lanë edhe si pjesë të parë të programit në Koncertin e Vjenës. 

Cilat nga këto perla të muzikës shqiptare, që shërbyen si frymëzim, si një gjë nga ato që ti i kishe tërë jetën në mendje, që të dhanë një siguri të madhe për t’ia falur edhe publikut vjenez? 

-Nuk e di, unë mendoj që një artist vjen duke u pjekur patjetër, dhe këto kanë qenë duke u memorizuar, këto kanë qenë në memorien time si pjesë në muzikë, si pjesë që jam rritur me to, dhe duke ardhur dhe duke u pjekur unë në anën klasike edhe si instrumentist edhe si muzikant, kam arritur që edhe muzikën popullore ta shihja nga një perspektivë krejt tjetër, të jetë shumë avanguardë të jetë komplet tjetër, por duke mos i ikur kurrë origjinalitetit të tabanit autokton. 

Ju jeni artist dhe natyrisht bota juaj është shumë emocionale. Keni një botë e një jetë interesante. Ka ardhur familja jote nga Gjakova dhe ju keni lindur në Elbasan dhe pastaj ju sërish keni shkuar në Gjakovë dhe u rritët atje. Çfarë është për ty ky udhëtim, është një arritje e bashkimit të larmisë së kulturave shqiptare? 


-Po në një mënyrë po, domethënë ne ishim të ndarë nga ana politike, por unë nuk i ndaj dot si Shqipërinë e Jugut si Shqipërinë e mesme, por edhe Kosovën. Un kisha fat që isha djalë i një bashkimi, domethënë nënën e kisha nga jugu i Shqipërisë dhe babanë e kam nga Kosova dhe kam pasur fat të jem biri i tyre. Kam pasur fat që të jenë të dyja......

Më fal, ju doni të thoni që ju jeni një bir i bashkimit të kombit shqiptar?

-Patjetër, ..sepse nuk do të luaja dot një muzikë të jugut që duhet t’i jepet aksenti i jugut ose të veriut, sepse nuk ka si të bëj muzikë të jugut një që është nga Llapi apo Veriu i Kosovës dhe ka të bëjë edhe me gjuhën pak. 

Përmeti ku ka lindur nëna juaj dhe Gjakova ku lindi babai juaj, kanë disa elementë të përbashkëta të trashëgimisë, jo vetëm muzikën, por edhe kuzhinën që shërben si “një lloj afrodiziaku”, e shumë të tjera. Ti nuk ke qenë asnjëherë në Përmet? 

-Jo. Tani do të shkoj patjetër. Kam vendosur që do të shkojë atje. Po e vërtetë është kjo përbashkësi. Edhe ushqimi ashtu është, si thatë ju si një lloj afroziadku. Është e vërtetë. Kjo më pëlqen. 

E thashë pak se me shaka, për të kujtuar se shija është e përpunuar e ndjerë edhe në muzikë edhe në gatim në këto dy vende? 

-Po. Ka të bëjë edhe mënyra sesi gatuhet, sa kripë duhet t’i hedhësh, apo si duhet bërë një gjë, çfarë kënaqësie të jep, ashtu është dhe muzika, keni të drejtë, ashtu duhet të jetë. 

Tani do kthehemi te muzika gjakovare, ajo është një element, që ju e keni trashëguar apo jo, si ka ndodhur më tregoni?

-Po muzika është e veçantë. Ka shumë orientalizma, patjetër, por me një ritëm që ka ndodhur ndoshta sepse s’kanë pasur shumë aftësi për të mbajtur ritmin dhe ka dalë një përzierje shumë interesante nga ana e ritmit, origjinale, kurse meloditë janë të njëjta si të Shqipërisë së Mesme. 

“Baresha” ka një muzikë të peizazhit, të natyrës të ujërave, të burimeve, një peizazh shqiptar, por edhe një peizazh që zakonisht kompozitorët e muzikës klasike japin në repertor. Me kë të afron “Baresha” me klasikët e mëdhenj botëror që kanë bërë muzikë të peizazhit?

-Baresha më kujton Rugovën që më del përpara si peizazh, si natyrë. Çudi muzikë të ngjashme kanë bërë edhe bërë edhe Brahms, Mozart, Schubert. Të gjithë këta janë inspiruar si nga natyra dhe muzika popullore e vendeve të ndryshme. 

Ka edhe elementë të romanit dhe ndjenja të dashurisë te “Baresha”?

Po sigurisht, është dashuria për natyrën, është emocioni për perosnin që dashuron. Është emocion në përgjithësi. 

Të kthehemi tek “Perlat e muzikës popullore”. Cilat janë pjesët e tua, ato që ke ti për zemër, që do t’i luash në këtë koncert?

-Ishte e vështirë të bëja përzgjedhje, sepse kemi muzikë të mrekullueshme nga të gjitha trevat. Do të jetë “Baresha” patjetër, do të jenë këngët arbëreshe, disa preferoj që të mbeten surprizë. 

Do të jetë edhe orkestra simfonike, por do jetë e vogël, por është shumë bukur dhe shumë origjinale, siç është ansambli, por që është taman ajo muzikë që dua unë të tingëllojë. 

Shkëlzen, edhe një pyetje të fundit, sepse ne nuk mund të rrinë pa pyetur se cili është koncerti yt i radhës, gjithmonë për një artist si ju duan të dimë se çfarë surprizash na presin?

-Do jetë një koncert ku janë përfshirë të gjithë filmat shqiptarë. Ai do jetë një synim dhe unë do përpiqem ta realizojë.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Milani 'pa frena', mund Barcelonën në miqësoren me katër gola

VIDEO/ Milani 'pa frena', mund Barcelonën në miqësoren me katër gola