Intervista/ Sopranoja Dëshira Ahmeti Kërliu: Nga Amerika në Tiranë për festat e nëntorit

Intervista/ Sopranoja Dëshira Ahmeti Kërliu: Nga Amerika në Tiranë për festat e nëntorit

Dëshira Ahmeti Kërliu

Sopranoja e njohur shqiptare, e lindur në Shkup, Dëshira Ahmeti Kërliu, ka kapërcyer oqeanin nga SHBA për të qenë e pranishme në koncertet festive të 28-29 nëntorit.

Ajo performon për koncertet e orkestrës së re të Albanian Excellence. Ndërsa sot do të jetë në skenë në koncertin solemn “Jehonat e lutjes”, që do të mbahet më 25 nëntor në Mak Albania Hotel (ish Sheraton), dje Dëshira Ahmeti këndoi në provat e mbajtura në Aeroportin e Tiranës. Ishte një organizim i veçantë promovues me orkestrën e re të Albanian Excellence.

Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Dëshira Ahmeti rrëfen misionin e ardhjes së saj në Tiranë, rrugëtimin në karrierën e saj ndërkombëtare dhe disa nga projektet e së ardhmes.

Dëshira Ahmeti ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura, sot Universiteti i Arteve në klasën e pedagoges së Nina Mula.  Pasi falë kërtij bashkëpunimi shijoi skenën në Teatrin Kombëtar të Operës në TIranë, u vedos në Teatrin e Maqedonisë, në Shkup si zë i parë dhe i rëndësishëm.

Pas një historie suksesi të realizuar në këtë opera, me rolin e Mikaeles nga Opera “Karmen”,  Pamina-s nga “Flauti Magjik”, Santuca-s nga “Kavalieria Rustikana”,  Neda-s tek “Paljaci”, Liu-t, “Turandot”, Leonora “Forca e Fatit”, Antonia në “Rrëfimet e Hofmanit”, por edhe me operën shqiptare , në rolin e Donikës nga Opera”Skënderbeu”, Dëshira Ahmeti është kthyer tashmë në një “shqiponjë fluturuese” që ikën e rikthehet në folenë e saj, në vendlindje, në Shkup, dhe ajo është shqiptaraja e parë që punon në operën e Maqedonisë. Kontributet e saj në këtë opera kanë vijuar  me koncerte të ndryshme Gala me Orkesterën simfonike të Operas dhe Baletit të Maqedonisë të Tiranës dhe të Prishtinës  dhe  Filarmoninë së Shkupit, por edhe Radio Televizionit Shqiptar në Tiranë e të tjera.

Në Nju Jork, Dëshira Ahmeti shkëlqeu me vokalin e saj, duke ndjekur klasa në audicione të ndryshme dhe duke realizuar koncerte me emra të njohur të skenës botërore. Ajo ka interpretuar në skena prestigjioze, që nga Manhatani deri në Evropë, dhe në ngjarje të mëdha të Atdheut të saj, si për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në Tiranë e në Shkup, në bashkëpunim me Inva Mulën. Dëshira Ahemeti është e martuar me këngëtarin e njohur Arjan Kërliu. Ajo  sot njihet për zërin e saj të veçantë në muzikën klasike, për interpretime në  në veprat e Puçinit, si: “La Bohem”, “Toska”, “Madama Butterfy”, “Turandot”  e kështu me radhë.

Intervista

Si e sheh këtë rikthim nga Amerika në Tiranë, veçanërisht për festat e nëntorit?

-Ne shqipëtarët përtej kufirit i kemi sytë këtej, e kam fjalën për shqiptarët nga të gjitha trojet. Tirana është vendi që unë u edukova si artiste, nën drejtimin e sopranos së madhe Nina Mula. Në Tiranë, mora të gjitha mësimet e mia, e që arrita të dalë në skenë e të jem sot e ftuar si artiste profesioniste.

Cili është misioni juaj në këtë koncert?

-Unë jam e privilegjuar që të jem pjesë e kësaj orkestre. Jam shumë e nderuar që jam një soprano e ftuar nga përtej oqeanit që të jem në këtë mbrëmje kaq të bukur me kaq profesionalizëm, me artistë të mëdhenj kudo në botë, që na kanë nderuar me emrin e tyre. Unë përgëzoj presidenten e Albanian Excellence, Flora Nikollën, për këtë orkestër që do të promovohet në një një mbrëmje të madhe, me një titull të përmbledhur “Jehonat e lutjes”, sepse ne do bëjmë një koncert që do t’ia kushtojmë heroit të madh Skënderbeut. Dhe ky do të jetë një koncert që do të shënojë historinë, duke qenë pjesë e tij edhe artistët shqiptarë që vijnë nga trojet e ndryshme, kudo që jetojnë ata  nëpër botë, dhe që na kanë nderuar me emrin e tyre. Këtë herë jemi bashkë dhe kënaqësia është se këtë herë do të bëjmë vepra premierë, siç është kënga e kompozuar nga Simon Gjoni, e artistit të mrekullueshëmn që njihet si kompozoitor i këngës “Luleborë” dhe i shumë këngëve të tjera. Unë do të sjellë premierën e të madhit, Simon Gjoni “Erdh pranevra” me një orkestër të re dhe të përshtatur për këtë orkestër. Unë falënderoj djalin e Simon Gjonit, Andisin për bashkëpunimet që kemi patur atje në Amerikë me koncertin e zonjave shqiptare që jetojnë në Nju Jork, organizuar nga Albanian Excellence. Kjo na bënë të lumtur, sepse ne shikojmë se dikush kujtohet për ne në atdhe.

Si u përballët me Universitetin e Arteve, ku shkuat të bënin provat e koncertit të 25 nëntorit, të organizuara me rastin e festave nga Albanian Excellence?

-Gjithmonë është emocion, dhe mendoj se duhet të bëhet më e mirë ajo godinë që ka nxjerrë emra të mëdhenj, zëra të bukur. Ajo ndërtesë nuk ka ndryshuar dhe mua më pëlqen kur jam atje. Më pëlqen, sepse jam rikthyer në po ato klasa, që, edhe pse kanë qenë të ftohta, unë kam ndjerë një ngrohtësi, kur kam perfomuar dhe në këtë vend kanë dalë artistë me emër në botë, ndaj unë shpresoj se do të bëhet më e mira për ta bërë Univesitetin e Arteve me një nivel shumë më të lartë, dhe që do të na japë satisfaksion për të punuar edhe më tepër. Kam kujtime shumë të bukura nga bashkëpunimet me kolegë dhe dirigjentë gjatë këtyre viteve. Ajo që do mbetet më mbresëlënëse dhe kujtim më i bukur në karrierën time do jetë koncerti që realizuam në Nju Jork për herë të parë me të madhen artisten tonë, divën Inva Mula. Ne kemi pasur bashkëpunim dhe gjatë koncertit që e realizuam në Shkup me sopranon Inva Mula, e cila ju dhuroi shqiptarëve të Maqedonisë prezantimin e albumit të saj “Për Ty Atdhe”, për 100-vjetorin e Pavarësisë. Gjithashtu, ajo shuroi edhe një spektakël të vërtetë, një koncert historik për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në SHBA, por dhe për publikun amerikan që ishte në sallë dhe na dëgjoi të gjithë artistët pjesëmarrës në krah të Inva Mulës. Ishte një mbrëmje e paharrueshme.

Në Akademinë e Arteve, sot Universieti i Arteve ju keni punuar me sopranon e njohur Nina Mula, nëna e sopranos me famë botërore Inva Mula, sa ka ndikuar pedagogia juaj e ndjerë në karrierën tuaj artistike?

-Kur isha fëmijë kisha nisur të imitoja këngëtarët e mëdhenj lirik të skenës operistike, dhe dëshiroja që në të ardhmen të isha një artiste, si këngëtaret e skenës shqiptare, që ne në Maqedoni i shikonim dhe i dëgjonim nëpërmjet televizionit dhe radios. Udhëtimi im drejt Shqipërisë ishte fillimi i një ëndrre që u bë realitet me studimet e mia në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, dhe sidomos kur fati më ra që të punoja me artisten e madhe, Nina Mula. Unë e dija që ajo kishte nxjerrë disa gjenerata këngëtarësh të rinj, që fillimisht u ngjitën në skenën e Teatrit të Operës dhe më pas në në skenat e mëdha botërore. Pas studimeve u punësova në Teatrin e Operës së Maqedonisë, ku kam realizuar një numër të madh të roleve në atë skenë dhe vazhdoj të jem pjesë e asaj opere. Unë sot këndoj në disa skena botërore, por gjith­m­o­në e veçoj publikun tim shqiptar, kudo që të prezantohem. Atë e ndjej dhe kam më shumë përgjegjësi për të.

Cilat janë planet dhe ambiciet e tua për të ardhmen në Nju Jork?

-Planet e mia janë që, kudo që jam, të jem gjithmonë pranë komunitetit shqiptar. Këtë mision unë e kam çuar edhe në Maqedoni, duke sjellë artistë shqiptarë për koncerte, duke bërë opera të mëdha dhe veçanërisht operën “Skënderbeu” dhe vazhdoj të punoj me kommunitetin shqiptar si artiste, veçanërisht me  atë dibran, kur bëmë 28 Nëntorin dhe kam kënduar këngën “Për ty Atdhe”. Kur jam në vendlindje frymëzohem dhe kur takoj shoqërinë e vjetër, e cila mbetet gjatë gjithë jetës më e bukura dhe më e shëndosha si shoqëri, kam shumë mall, kur i takoj dua të jem sa më gjatë dhe të rikujtojmë kohërat e rinisë dhe të shkollës që ishim bashkë. Shpirtërisht jam shumë e lidhur me qytetin tim të bukur, Dibrën. Unë vazhdoj të jem soliste në Teatrin e Shkupit. Këtë vit po përgatis operën “Toska”. E kam shumë në zemër dhe ka rol shumë të vështirë, ndërsa në Neë Jork do të ketë koncerte të tjera.kam në dorë edhe operën “La boheme”. Këto janë planet, gjithmonë duke mos lënë pas dore vendin tim. 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë