TIRANE- Nga 1 prilli nis zyrtarisht aplikimi i sistemit të pikëzimit të lejeve të drejtimit të automjeteve. Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, Ylli Spahiu shpjegon mënyrën si do funksionojë sistemi i ri dhe si do të ulen apo do të rikuperohen pikët e patentave për drejtuesit e mjeteve.

Sipas Spahiut, çdo qytetar do të jetë në gjendje të konsultojë në faqen e DPSHTRR gjendjen e pikëve të lejes së tij, ndërkohë që duhet të kalojnë dy vjet pas asnjë shkelje në mënyrë që në patentë të shtohen apo të rikuperohen dy pikë. Sa për drejtuesit të cilëve u bëhet gjendja e pikëve zero, janë të detyruar t’i nënshtrohen një testimi të ri për të mundur të fitojnë përsëri të drejtën e drejtimit të mjeteve.