Intervista/Spiro Hamzai, si hyra
në biznes i vetëm në treg në Greqi

Intervista/Spiro Hamzai, si hyra<br />në biznes i vetëm në treg në Greqi
Rruga që ka ndjekur skulptori Spiro Hamzai drejt punësimit është një histori e veçantë, jo vetëm suksesi, por edhe një histori sfidash, me shumë rënie e ngritje, por siç shprehet vetë ai “vepra dhe puna e mirë mbeten”.

Dhe Spiro beson se “njeriu i mirë në mos një ditë një ditë tjetër vlerësohet”. Në këtë kohë krize, jo çdokush e gjen urtësinë të mendoj si ai, por karakteri i Spiros i tillë është.
I duruar, këmbëngulës dhe zemërgjerë ai ka bërë një udhëtim të vështirë dhe interesant në jetën e tij. Në moshën 44-vjeçare i martuar herët dhe baba i katër fëmijëve ai ka arritur të ketë në pronësi një kompani prestigjioze “ASA Decoration”. Kompania e tij ka 16 vjet përvojë në fushën e ndërtimeve.

Ajo mundëson realizime të projekteve në krijimin e punimeve dekorative në ambiente të ndryshme bare, restorante, hotele, furra buke & pastiçeri, kopshte, çerdhe, dhe qendra argëtimi për fëmijë e më gjerë. Duke ia lënë lexuesit të ndjek këtë histori e rrugë të ashpër suksesi do të kuptojmë se një fund i lumtur vjen pas shumë përpjekjeve dhe qëndrimeve humane në jetë.  
 
 Spiro, ju keni ardhur nga Greqia në Shqipëri para katër vitesh dhe keni gati 22 vjet emigracion. Si e mundësua ngritja e biznesit “ASA Decoration” në Shqipëri?
 -Në kohën kur u hapën kufijtë dhe u rrëzua komunizmi në Shqipëri, unë sapo kisha mbaruar Liceun artistik në Gjirokastër për skulpturë. Ishte viti 1991. Ishte kohë e rrëmujshme atëherë pas rënies së diktaturës dhe burokracia e kohës nuk iu përgjigj kërkesës sime për të konkurruar për në Akademinë e lartë të Arteve. Isha shumë i ri në atë kohë, vetëm 18 vjeç. Ndërsa ëndrra për në shkollën e lartë po më shuhej, nuk pata durim të aplikoja sërish, por u nisa në Greqi pa lejen e familjes dhe në kushte shumë të vështira, duke kapërcyer male dhe duke ngelur edhe pa ngrënë dhe pa strehë. Më ndihmoi një përkujdesje paraprake e babait tim në këtë rast. Kur unë i thosha që doja të emigroja, ai nuk ishte dakord që të ikja në rrugë ilegale dhe më këshillonte që të nxirja vize. Dhe më thoshte që meqë ti pikturon mirë, mëso më parë alfabetin grek, që të nisësh të bësh punë me reklamat kur të shkosh në Greqi. Unë nuk besoja se mund të më nxirrnin një vizë, sepse kishin të gjithë të rinjtë dëshirë të iknin nga vendi tyre dhe u largova në drejtim të Greqisë duke sakrifikuar udhëtimin i vetëm dhe maleve.
 
Pasi mbërrite në Greqi në një moshë kaq të re, cili ishte hapi i dytë që hodhe?
-Hapi i dytë ishte që unë nisa vërtetë një punë që mund të konsiderohej diçka më e mirë se e emigrantëve të tjerë, në një kompani që më punësoi si dizenjator dhe për montim reklamash. Në këtë repart reklamash unë nisa të montoja tabelat dhe këtë punë e bëra pothuajse në të gjithë Greqinë, ne qytete të ndryshme, vende të ndryshme dhe kompani të ndryshme. Megjithëse qe një punë e zgjatur dhe pa orar, unë i nxitur nga nevoja për më shumë të ardhura nis të mësoja zanate të tjera për elektricistët dhe për saldatorët.

Pas kësaj u punësova tek një firmë që mbulonte karnavalet dhe festat e Krishtlindjeve apo Pashkëve me zbukurime, dhe aty kam bërë vepra e zbukurime që janë vendosur në parqe nga Athina deri në Patra të Greqisë. Përgjithësisht unë punoj duke bërë dekore ambientesh të skulpturuar me rezin, që është një material me përbërje plastike, siç e kanë motoskafët dhe varkat. Puna mori drejtim tjetër dhe nisëm të veshim fasadat në Greqi. Mirëpo në kohën që bëhej një punë e madhe dhe e lodhshme, pronari grek nuk qe korrekt me pagesat dhe e lashë punën.

Pasi u larguam, një koleg që punonte me mua në atë kompani më tha që të hapnin një biznes tonin. Dhe në vitin 2001 ishte ai që më nxiti të hapnim biznesin. Fillimi ishte i vështirë, sepse edhe puna artistike mbulohej kryesisht nga unë dhe personi që kishte afruar bashkëpunim, në fakt kishte menduar që të më shfrytëzonte e jo të më ndihmonte. Kështu nga ky bashkëpunim unë humba një shumë të madhe parash. Unë mendova të nisja të ngrija një biznes më vete, dhe pas një bashkëpunimi të shkurtër me një tjetër koleg unë vazhdoja ta përballoja vetë këtë sfidë për t’u futur në treg i vetëm me biznesin tim.
Mu desh dy vjet të futesha në treg bëhet fjalë për vietet 2001-2003.
 
Dhe me punën e duarve të tua nisi suksesi juaj në Greqi apo jo?
-Suksesi erdhi falë cilësisë së punës sonë, falë korrektësisë dhe edukatës, sepse ne jo vetëm punonim shumë dhe me korrektesë, por nuk krijonin probleme në shoqërinë greke. Kështu nuk vonoi dhe arritëm të ishim një monopol në Greqi me këtë stil pune. Tregu dhe statusi i emigrantit apo shpesh racizmi i grekeve për shqiptarët na e vështirësonin tregun, por punët nisën të flisin më shumë.

Arritëm të bënin punë në të gjitha qytetet greke. Tashëm firma jonë ka realizuar punë edhe në Gjermani, Rumani e më gjerë. Në Greqi pavarësisht se puna ecte me sukses, pagesat bëheshin me këste, nuk na paguanin direkt me para në dorë. Ne sigurisht bënin edhe pak lëshime në pagesë, se na duheshin të ardhurat për materialet, qiratë dhe taksat, sidomos materialet duhet t’i blinin me lekë në dorë dhe kushtonin. Por ç’ndodhi më rënien e krizës në Greqi. Lekët që kishim për t’i marrë me këste nuk i morën kurrë, dhe kështu humbën 120 mijë euro dhe ende jemi në proces gjyqësor për to. Në vitin 2012 Greqia mori tatëpjetën ekonomikisht, lekët s’na vinin ndërsa projektet bëheshin pa pushim. Por si do ja dilnin kur qiraja e zyrave të biznesit ishte 2000 euro dhe lista e tatimeve dhe sigurimeve vijonte në mënyrë të pandërprerë. Atëherë erdhëm në Shqipëri. Kisha hallin e katër fëmijëve, sepse edhe ata po harronin gjuhën dhe duhej të ndiqnin shkollat. Kështu nëse do të vijonte rënia ekonomike në Greqi do të ishte vonë ta mendonim dy herë. Atëherë mblodhën plaçkat dhe erdhën në Shqipëri në vitin 2012. Kontratuesit grekë i ruajtëm dhe vijuam të furnizohemi me material ende prej tyre. Kur edhe një vit isha pa punë duke parë terrenin për të ngritur biznesin këtu, se nuk kisha shumë siguri, kështu pas 22 vjetësh emigracion në Greqi, unë u ktheva në Shqipëri dhe ngrita këtu biznesin ASA Decoration. Sigurisht ishte një rënie e madhe nga gjithë ngjarjet e fundit dhe familja ime më mbështeti që ta nisja, nuk mund ta harroj këtë mbështetje.
 
Tani ju punoni dhe administroni një kompani që siç po shoh ka vepra kudo. Madje dhe në parqet apo baret publike, sa punëtorë keni?
-Kompania ime ka vetëm dy punëtorë stabël, ku njëri jam unë, ndërsa pjesa tjetër që janë një numër më i madh punëtorësh janë sezonalë, sepse e tillë është specifika e punës. Mund të them se janë me dhjetëra punëtorë por këta asnjëherë nuk janë të njëjtët, varet nga projekti që munden të realizojnë. ASA Dekor ka një staf me një interes të madh për punën të krijuar nga piktorë, skulptorë dhe specialistë në fushën e ndërtimit. Këto janë edhe grupe biznesi me vete por që bashkëpunojmë që të finalizojmë arritjen e rezultateve të mira. Falë përvojës sonë kemi arritur të realizojmë me qindra punë në vende të ndryshme si Gjermani, Qipro, Rumani, Greqi, Shqipëri.

Çfarë punësh realizon kryesisht “ASA Decoration”?
-“Asa Dekoration” realizon projekte dhe modele të ndryshme për tabelat apo reklamat që e bëjnë, jo vetëm të lehtë por edhe tërheqës identifikimin e një biznesi. Përgatit projektet dhe klientët zgjedhin më të preferuarin  si për veshje fasadash, për ambiente të brendshme, për skulptura, për piktura murale, reklama të veçanta për baret, konstruksionet të ndryshme që bëhen me materiale të realizueshme me erzin, polisterol, me dru, hekur, gips. Ngaqë binte më shumë më sy duket sikur ne bëjmë vetëm qendra argëtimi për fëmijë, por puna jonë shtrihet më gjerë. Ajo që përpiqem të bëj unë si individ në aspektin krijues, është që të bashkëpunojë sa më ngushtë me klientin që këto vepra të mbeten, sepse mund të ndodh që klienti vetë të mos ta ketë shumë të zhvilluar perspektivën e jetëgjatësisë së një objekti që prezantohet në vende publike. Perspektiva ime si artist është që veprat të mbeten dhe te jenë të bukura dhe elegante.

punimet e spiro hamzait
punimet e spiro hamzait
punimet e spiro hamzait
punimet e spiro hamzait


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja