Intervistë me Blushin: Shqiptarët
në rrezik serioz nga islami politik

Intervistë me Blushin: Shqiptarët<br />në rrezik serioz nga islami politik
Ben Blushi, deputet i PS-së në Parlamentin e Shqipërisë, flet për Express. Do të jetë shumë keq për ne nëse prekemi nga fenomeni i Turqisë së Erdoganit. Rreziku i krijimit të një lëvizje islamike, në Shqipëri dhe Kosovë, është shumë i madh. Islami radikal po gjen mbështetje tek njerëzit e varfër dhe të pashpresë. Me kalimin e kohës, shqiptarët e Shqipërisë do të jenë më të interesuar për Bashkimin Kombëtar, kurse shqiptarët e Kosovës do të jenë kundër. Sot kultura kosovare është shndërruar në tendencë për gjithë shqiptarët.

Ben Blushi, deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin e Shqipërisë, ka qëndruar në Prishtinë dy ditët e fundit, bashkë me disa deputetë tjerë në kuadër të një vizite të Komisionit për Politikë të Jashtme. Ai të martën ka pranuar të jap një intervistë për Gazetën Express rreth librit të tij të fundit, “Hëna e Shqipërisë”. Gjatë kësaj interviste ai shpjegon disa prej çështjeve kryesore të librit, flet për islamin politik, Turqinë e sotshme, Perandorinë e dikurshme Osmane, marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe kosovarëve...

Pse u përcaktuat të parashikoni të ardhmen e shqiptarëve në librin tuaj më të ri "Hëna e Shqipërisë"?

B. Blushi: Nuk ka pasur ndonjë qëllim të veçantë, por edhe unë si gjithë të tjerët mendoj më shumë për të nesërmen sesa për të djeshmen. Besoj se kjo është në gjenet e njeriut; pra që të mendojë më shumë për të nesërmen. Duke parë Shqipërinë e sotshme, Kosovën e sotshme, duke parë zhvillimet e brendshme, raportet me Europën apo raportin me religjionet, kam krijuar disa mendime të cilat kam dashur t’i ndajë me lexuesit.

Një libër i këtij lloji, pak a shumë, është edhe ai i George Friedman, politologut amerikan, "The Next 100 Years", u inspiruat nga kjo?

B. Blushi: Më tha dikush sot se në Shqipëri kanë bërë një shkrim përmes të cilit më akuzojnë se kam bërë plagjiaturë nga "The Next 100 Years". Në fakt, ky është një libër të cilin unë s’e kam lexuar, vetëm kam dëgjuar për të.

Nuk e kam lexuar këtë tekst as unë...

B. Blushi: Nuk e kam lexuar librin, as shkrimin... Madje, po e them për herë të parë, librin "The Next 100 Years" ma ka bërë dhuratë një miku im një apo dy javë pasi që doli në shitje libri im “Hëna e Shqipërisë”. Sigurisht, edhe ai duke i lidhur të dyja. Nëse ka një lidhje, ajo është vetëm për një arsye: para disa muajsh kam parë në internet një raport të Kombeve të Bashkuara që bënte një parashikim demografik për gjithë botën. Dhe, sipas OKB’së (e kam në libër këtë statistikë), pas 100 vjetësh popullsia e Shqipërisë nga 2.8 milionë banorë që është sot, do të jetë 1.8 milionë banorë. Kjo është një referencë që e kam pasur parasysh vazhdimisht vetëm për hir të saktësisë.

Ju përmendni qeverisjen e keqe në Shqipëri, e cila është determinuese për ndryshimet e së ardhmes, që do të ndodhin në Shqipëri, por hezitoni t'i përmendni me emër qeveritë shqiptare. S'keni dashur të konfrontoheni apo...?

ben blushiB. Blushi: Unë, sidomos kur shkruaj, nuk kam frikë. Besoj se kam pasur rast ta dëshmoj këtë. Nuk jam marrë ekskluzivisht me qeveritë, jam marrë më shumë me fenomenet. Është e vërtet se një prej arsyeve, siç edhe dëshmon historia, që ka ndikuar në problemet që kanë pasur shqiptarët apo fakti se kemi mbetur popull i vogël, nuk është klima, nuk është mungesa e ujit, nuk është mungesa e burimeve natyrore, por ka qenë mënyra se si kemi qeverisur apo si na kanë qeverisur të tjerët gjatë historisë. Edhe në këtë rast kam shfrytëzuar një statistikë, e kam diku në pjesën e parë të librit, se si duke u qeverisur më mirë disa popuj që vite më parë kanë pasur numër të ngjashëm me ne të banorëve, sot janë bërë më të mëdhenj. Ne jemi qeverisur keq gjatë këtyre 100 vjetëve, madje jemi qeverisur shumë keq. Jemi qeverisur shumë keq prej atyre që na kanë sunduar për 400-500 vjet, kemi ngelur popull i vogël, kemi humbur territore, u ndamë, patëm komunizmin, tash kemi tranzicionin më të keq.Jo gjithmonë ka arsye për të besuar se të tjetër na kanë bërë dëm më shumë sesa i kemi bërë dëme ne vetës. Sigurisht duhet thënë se Perandoria Osmane nuk është sjellë askund më keq sesa tek ne. Kur ka ikur Perandoria Osmane, nuk ka lënë një shkollë në Shqipëri, nuk ka pasur një shkollë shqipe për 500 vjet, e ka vonuar shkrimin e shqipes për 3-4 shekuj, nuk ka lënë një port, një hekurudhë. Kudo në Ballkan ka lënë hekurudha, vetëm tek ne nuk ka lënë asnjë. Dhe, natyrisht pyetja shtrohet se pse? Pse, si mund të ndodhi kjo? Ne kemi pasur 2-3 portet më të mira në Mesdhe gjatë venedikasve, pra para se të vinin turqit. Megjithëkëtë, turqit i kalonin mallrat tjetërkah, jo kah Shqipëria.

Rreth bashkimit kombëtar ju "fajësoni" kosovarët që nuk kanë dëshirë për ta bërë këtë. Ta parafrazojmë atë që keni shkruar, pra thoni se kur politikanët kosovarë flasin për Shqipërinë këtë e bëjnë aq ftohtë sa po të mos flisnin shqip do dukeshin si finlandezë... Jeni i sigurt se është e saktë kjo?

B. Blushi: Jam përpjekur të kuptoj çfarë qasje do të kenë shqiptarët, në të dyja anët e kufirit, për proceset e Bashkimit Kombëtar. Nuk e di nëse historia do të më jap të drejtë, por këto ditë sa jam në Kosovë kam krijuar përshtypjen se kam të drejtë se në të ardhmen shqiptarët e Shqipërisë do të jenë më të interesuar për Bashkimin Kombëtar, do ta shohin këtë si projekt zhvillimi, si projekt i zmadhimit të Shqipërisë. Ndërsa në Kosovë do të ketë më shumë hezitim, pasi që duke qenë shtet i ri do të mundohet ta ruaj pavarësinë e vetë, qoftë edhe nga Shqipëria. Ky është një sentiment i kuptueshëm dhe i justifikueshëm. Ndërsa unë e kam fjalën për klasën politike të Kosovës kur them se duken si finlandezë kur flasin për temën e bashkimit. Pra, bëjnë shumë farmaci politike.

Në Kosovë ka një përshtypje tjetër, pasi në shumë raste konstatohet se në Shqipëri, nuk ka dëshirë për bashkim. Shpesh përmendet edhe një sondazh i Gallup, ku shqiptarët e Kosovës favorizojnë më shumë bashkimin.

B. Blushi: Besoj se kështu është sot, por unë në libër flas për të ardhmen. Në të ardhmen besoj se kjo tendencë do të vijë duke u zbehur në Kosovë. Shpresoj se koha do të më jap të drejtë.

Po ashtu keni shkruar për ndikimin që tash e ka Kosova në Shqipëri, keni përmendur se kosovarët tash janë ata që po i përcaktojnë trendet duke i nxitur këngëtarët nga Shqipëria të fusin dialekt kosovar në tekstet e tyre. Në Kosovë është konstatuar e kundërta, është folur gjatë për supremacinë e Shqipërisë ndaj Kosovës,është përmendur gjuha standarde, dominimi i Shqipërisë në fushën e medias elektronike, në letërsi...?

B. Blushi: Është e vërtetë se Shqipëria ka dominuar mendimin kulturor të shqiptarëve për të paktën 100 vjetët e fundit, prej që është bërë shtet. Duke qenë shteti amë, duke qenë shtet i pavarur, pavarësisht se ishim shtet komunist, ne kishim institucione, bënim kulturë, nuk na pengonte kush të flisnim shqip... Sigurisht kjo ka ndikuar tek të gjithë shqiptarët, veçanërisht tek shqiptarët e Kosovës. Pra, ne kemi qenë dhe jemi qendra rreth së cilës sillen gjithë diaspora shqiptare, përfshirë dhe Kosovën. Por në vitet e fundit kam konstatuar dhe besoj se produkti artistik i Kosovës po bëhet gjithnjë e më influent. Futbolli e Shqipërisë po e bëjnë monopol futbollistët nga Kosova; ata dominojnë edhe kombëtaren tonë. Në anën tjetër, ka talente më të mëdha, ka trende, tendencë, fantazi dhe shije më të mirë muzika e Kosovës. Muzika e Kosovës dominon. Por nuk është puna këtu. Puna është se kultura kosovare po kthehet në një tendencë dhe kjo është shumë mirë pasi që e ekuilibron një popull. Pra, në qoftë se shqiptarët e Shqipërisë kanë pasur një letërsi diçka më të spikatur, shqiptarët e Kosovës kanë pasur mendim kritik të mirë në të shkuarën. Nëse sot shqiptarët e Shqipërisë kinematografi jo të keqe, shqiptarët e Kosovës janë shumë mirë në muzikë.

Ju thoni se kosovarët janë të dhënë shumë pas forcimit të identitetit shtetëror, si mund të ndodhë kjo kur në politikën kosovare ka kryesisht improvizime, politikanë të korruptuar etj. dhe shpesh krijohet përshtypja se me shtetin e Kosovës jemi duke jetuar diçka të përkohshme?

ben blushiB. Blushi: Këtë gjë ja kam thënë Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit. Po bisedonim për zhvillimin e Prishtinës dhe unë i thash se ju përgëzoj për punën që po bëni, por ke vetëm një problem. Çfarë? tha ai. I tash se ti po projekton ndërtimin apo modernizimin e një kryeqyteti të përkohshëm. Meqenëse partia e tij, Vetëvendosje, proklamon bashkimin me Shqipërinë, Prishtina do të jetë një kryeqytet i përkohshëm, sipas tyre. Për të ardhur tek pyetja juaj. Sigurisht, Kosova dhe Shqipëria kanë shumë ngjashmëri, një model politik, kanë modele të përafërta zhvillimi, të dyja kanë korrupsion, kanë probleme me zbatimin e ligjit... Sot janë vendet më të varfra në Europë. Por ndryshimi është se shoqëria kosovare është një shoqëri optimiste akoma, ndërsa Shqipëria është pesimiste. Kam disa arsye për ta besuar këtë gjë, dhe besoj se optimizmi i popullit të Kosovës do të vazhdojë edhe për disa vite, në radhë të parë për shkak se populli i Kosovës ende nuk e ka konsumuar një proces historik siç është pavarësia sepse akoma s’e ka marrë pavarësinë e plotë dhe nuk ka marrë të drejtën e vetëvendosjes. Në Shqipëri nuk është kështu. Shqipëria aktualisht pret vetëm dy data: hyrjen në Europë dhe bashkimin me Kosovën, këto janë dy ngjarje historike të cilat mund të priten nga gjenerata ime apo gjeneratat më të reja se mund të arritën. Ndërkohë që problemet tjera me të cilat përballet vendi, nuk kanë besim se do të arrihen shpejt dhe kjo i bënë ata pesimistë.

Keni shkruar po ashtu për ndikimin Turqisë tek shqiptarët... A janë Edi Rama dhe Hashim Thaçi fajtorët që sollën Erdoganin me privatizimet...

B. Blushi: Nuk merrem me këtë rast, jam marrë me atë që përfaqëson Turqia sot në Europë, Ballkan, si fenomen.

Pikërisht kjo po shprehet edhe tek ne...

B. Blushi: Nëse ky fenomen na prek dhe ne, do të jetë shumë keq. Çfarë është Turqia sot? Është një vend me demokraci të cenuar, pasi që nëse Kryeministri ndalon Twitterin dhe Youtube'in, nëse ndryshon Kushtetutën për t’i emëruar vetë gjyqtarët, për ta marrë drejtësinë në dorë, ndërkohë që ka rritur tendencën për islamizimin radikal të shoqërisë së vetë, kjo nuk është demokraci si ajo që ne presim, pra demokraci europiane. Nëse Shqipëria dhe Kosova preket nga këto në të ardhmen, gjë që nuk e përjashtoj, atëherë besoj se Shqipëria do të turqizohet më shpejt sesa do të evropianizohet.

A s’është ky problemi i turqizmit më shumë problem i Kosovës sesa i Shqipërisë?

B. Blushi: Nuk i ndaj dot të dyja. Ka shumë njerëz që më kanë kritikuar për këtë shkak, më kanë thënë se ke parë Kosovën më me simpati sesa Shqipërinë. Kjo është subjektive. Unë jam njeri që jetoj në Shqipëri dhe ndoshta nuk e kam njohjen e duhur për Kosovën. Por jam përpjekur t’i shoh në distancë të dy vendet dhe kam ardhur në këto përfundime. Shpresoj se e ardhmja nuk do më japi të drejtë.

Në Kosovë ka pasur tendenca të islamit politik, tash për herë të parë kemi në skenë edhe një parti islamike... Megjithatë, deri më tash, këto lëvizje nuk kanë arritur të marrin terren të konsiderueshëm politik. Në anën tjetër, Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare, është shumë afër integrimit në BE. Në këtë kontekst, çfarë mund të ndikojë, përveç Erdoganit dhe Turqisë, në fuqizimin e islamit politik në Kosovë dhe Shqipëri?

B. Blushi: Ky libër është shkruar në janar-shkurt, unë kisha një kohë që nuk kisha ardhur në Kosovë. Këto dy ditë që jam në Kosovë, jam bindur se kam pasur të drejtë në disa gjëra. Veçanërisht për një çështje: rrezikun e islamit politik. Me gjithë politikanët që kam biseduar, thonë se e kanë këtë shqetësim. E kanë shqetësim se islami mund të kthehet në një lëvizje, pasi që financim ka, organizim ka filluar të ketë, ka shumë influencë dhe ka një faktor të madh; konkurrencën më klasën politike e cila çdo ditë e më shumë po humb terren dhe influencë. Klasa politike, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, nuk janë më të besueshme për shkak të cilësisë së qeverisjes dhe reformave që s’po i bëjmë dot. Në këtë situatë, mobilizimi fetar mund të krijojë shumë terren. Shumë njerëz të varfër, njerëz të pambështetur, sidomos të rinj pa shpresë mund t’iu bashkohen lëvizjeve të tilla. Në shumë vende të varfra, edhe në Shqipëri, kjo ka zëvendësuar si organizim, si frymëzim, si shpresë – jo vetëm partitë politike, por më shumë se kaq. T’ju jap vetëm një shembull, partia e Menduh Thaçit në Maqedoni kërkoi vota në emër të 300 mijë myslimanëve. Ai është lider politik, pse detyrohet të kërkojë vota në emër të fesë? Unë besoj se ai e ka kaluar limit. Mirëpo këtë po e bëjnë edhe liderët e Shqipërisë. Në dy zgjedhjet e fundit në Kryeqytet, qoftë kandidati jonë qoftë i kundërshtarit, konkurruan se kush do ta bënte projektin më të bukur për xhaminë e Tiranës. A është kjo normale? S’ka sens të dalësh në zgjedhje me premtime për xhami, të dalësh në zgjedhje për ndërtim urash, shkollash normalisht se po. Xhaminë e bëjnë vetë besimtarët, jo shteti të bëj projekte.

Jeni prej njerëzve të vetëm tek socialistët, që kohë pas kohe, keni pasur mospajtime me Edi Ramën, si po ju duket qeverisja e tij, gati ka një vit që socialistët janë në pushtet, a shihni dallime në mënyrën e qeverisjes së vendit?

B. Blushi: Edi Rama nuk është pjesë e librit tim dhe unë kufizohem të flas për këtë temë. Nuk mendoj se duhet ta bëj këtë gjë në Kosovë, nuk është vendi. Unë mund të flas në Shqipëri për Shqipërinë.

Çështja më e diskutueshme në Kosovë, këtyre ditëve është Gjykata Speciale, ose në gjuhën e mediave një Tribunal, që do të merret me krimet e supozuara të UÇK'së. Madje edhe Kryeministri i Kosovës është nën hetime. Ka një huti, këto ditë, njerëzit pyesin pse po na ndodh kjo? Pse, sipas jush, po ndodhë kjo?

B. Blushi: Duhet të pranojmë që Europa dhe SHBA’të, pra Perëndimi në përgjithësi, e kanë ndërtuar demokracinë e vetë mbi një sens të fort drejtësie. Sigurisht, edhe në Kosovë ata e kërkojnë këtë përmes këtij Tribunali. E dyta, mendoj se për arsye gjeostrategjike, shqiptarët kanë përfituar shumë nga Europa vitet e fundit, duket se ata mendojnë se ka ardhur koha për një balancë mes shqiptarëve dhe kombeve tjera,. Në radhë të parë me serbët. Mendoj se është koha për kompensim, këtë përshtypje kam.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)
Marrë nga Gazeta Ekspress

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta

Kompleksi i 29 Nëntorit është më i madh tek e majta