Intervistë/ Si të edukojmë nxënësit përmes teknologjisë

"Njihni më mirë veten dhe përcaktoni qartë objektivat e jetës suaj" , kjo është mënyra më e mirë për të siguruar dhe suksesin në arsim dhe për të shmangur çdo problematikë, për psikologen  Sonila Prroni Mulgeci në shkollën 9-vjeçare "Hasan Vogli" dhe gjimnazin "Sinan Tafaj", në Tiranë.
Gjatë një interviste për ATSH-në, psikologia thekson forcimin e lidhjes prindër-mësues dhe nxënësve, pasi kjo do të mund të sjellë sukses  dhe komunikim mes palëve.
1. Cilat janë problematikat me të cilat hasen nxënësit e shkollës së mesme dhe 9-vjeçare?
Në fakt, shkollat 9-vjeçare hasen me një specifikë të veçantë që ka të bëjë me disiplinën. Disiplina është parësorë për t'u realizuar nga ana e shkollave, përveç punës edukative që lidhet ngushtësisht me programin shkollor.
Në ditët që jetojmë nuk është e thjeshtë për të pasur një seriozitet gjatë orës së mësimit. Përgjithësisht, do të ketë tipa të veçantë në një klasë, tipa që sipas këndvështrimit psikologjik, konsiderohen ndryshe edhe si tipa të veprimit, kanë energji fizike mbi normalen, duan të jenë gjatë gjithë kohës në lëvizje dhe për më tepër janë të prirur që gjatë gjithë kohës të jenë në qëndër të vëmëndjes.
Një tjetër problem që preken shkollat 9-vjeçarë është bollingu. Bollingu e thënë ndryshe, krijimi i bandave të vogla, kanë një lloj statusi dhe krijojnë një lloj frike brënda shkollës dhe mund të lindin abuzime të tilla ndaj personave që janë më të tërhequr, duke filluar me tallje, përqeshje etj.
Ndërsa përsa i përket gjimnazistëve, zakonisht problematikat e tyre kanë lidhje me konfliktet e ndryshme që mund të lindin , duke degraduar edhe në konflikte fizike, në disa raste duke i përfshirë edhe anëtarët e familjes në konflikt. Si dhe abuzimi me substanca narkotike si hashashi si dhe mungesa e interesit për shkollën.
2. Si ka ndryshuar mentaliteti/psikologjia e nxënësit krahasuar me brezat e kaluara?
Në lidhje me ndryshimet unë dua të theksoj se janë të shumta, dhe sigurisht kjo më shumë në mentalitetin e tyre dhe në qasjen e aktorëve mësues-nxënës që ata kanë . Dikur sikurse e dimë, figura e mësuesit ka qënë një ndër figurat më të larta dhe më të respektuara dhe nxënësi bindej lehtë.
Ndërsa sot, në shohim që nxënësit e shohin vetën me prioritet, ndjehen të parën në raport me mësuesit si dhe i japin vetes më shumë të drejta për të shprehur atë që mendojnë duke kaluar dhe në sferën e mosbindjes. Kjo bën që shpeshherë nxënsit të kenë konfrontime me mësuesit, madje dhe vetë mësuesit nuk pranojnë faktin se nxënësi duhet parë në një raport më të afërt. Pra, ka nga ata mësues që lidhjen mësues-nxënës-prind nuk e shohin si partneritet por si një marrëdhënie asimetrike, që shkakton më pas mungesën e komunikimit me nxënësit. Pra, është çështje qëndrimi, pasi edhe vetë mësuesit duhet të tregohen komunikues dhe të trajnohen sa më shumë profesionalisht.
Ndërkaq, një pikë e fortë e edukimit është zbulimi i talenteve të reja, pra heqja dorë nga standardizimi. Ç'ka do të thotë se nuk është e thënë që një nxënës të jetë i mirë në të gjitha lendet. Por nxënësi duhet parë si unik dhe prej tij duhet marrë më e mira.
Pavarsisht se janë bërë shumë trajnime për mësuesit, nuk ka ndryshuar shumë mentaliteti i tyre pasi për të krijuar një realitet tjetër, ndryshimi duhet të vijë nga secili mësues, jo duke e pritur jashtë tyre. Sigurisht që ka mësues që kanë arritur një nivel komunikimi me nxënsit reciprok pa pasur asnjë problem me njëri-tjetrin. Tema e seksualitetit dhe fjalori banal për vajzat e djemtë e shkollave te mesme dhe 9-vjeçare është për të ardhur keq dhe kjo është një tjetër problematikë e adoleshentëve të sotëm.
 
3. Si funksionon një psikolog në shkollat 9-vjeçare apo në gjimnaz?
Ky është një shërbim që ka 10 vjet eksperiencë dhe akoma nuk mund të themi që është stabilizuar pasi vetë shërbimi nuk është cilësor pasi numri që një psikolog mbulon është i madh, pavarsisht se ka shumë kërkesa për psikologë. Për të funksionuar më së miri duhet që një shkollë e caktuar të ketë psikologun e vet dhe në këtë mënyrë realizohet një plan vjetor i punës.
Ndërkohë që çdo nxënës ka një dosje personale konfindenciale , ku bëhet vlerësimi, problematikat, ecuria e nxënësit të evidentuar ose nga psikologu apo mësuesi ose i drejtuar drejt psikologut me dëshirë. Detyra kryesore e psikologut është vlerësim i nxënies së nxënësve në procesin edukativ.
4. Sa e lehtë apo e vështirë është të merresh çdo ditë me "nxënësit e 2015 -ës"?
Unë mendoj se nuk është as e lehtë as e vështirë. Një nxënës në rradhë të parë është një marrëdhënie besimi dhe durimi. Pra, çdo rast është i mundur për tu ndryshuar dhe çelësi padyshim është komunikimi. Një rol të veçantë luajnë edhe prindërit, pasi janë ata që duhet të japin ndihmesën e tyre qoftë në problematikat e fëmijëve qoftë edhe në zgjidhje, duke krijuar një raport bashkëpunimi me mësuesit dhe fëmijët e tyre, edhe me psikologun.
5. Çfarë mendimi keni për teknologjinë? A ka ndikuar pozitivisht apo negativisht tek nxënësit?
Teknologjia është një nevojë sociale dhe e paevitueshme ndërkohë që problemi qëndron tek abuzimi. Në momentin që një nxënës krijon një raport normal me teknologjinë dhe e përdor për shkollën apo për dije, çdo gjë shkon shumë mirë. Por në fakt, ajo që ndodh është që interesi i nxënësve për mësimin ka rënë dhe kjo për shkak të tabletave, celularëve që u jepen fëmijëve që në moshë të vogël. Ndaj së pari, mendoj se duhet ndërhyrja e menjëhershme e prindërve që të vendosin disiplinë me fëmijët e tyre dhe të kalojnë sa më shumë kohë cilësore me ta. Por shqetësimi im si psikologë nuk është teknologjia, por edukimi, pasi shumë pak nxënës dinë se çfarë duan për veten e tyre dhe shumë pak e shohin veten të përfshirë me projekte apo objektiva konkrete për jetët e tyre.
6. Sa të përfshirë janë fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian në shkollën 9-vjeçare "Hasan Vogli"
Shkolla jonë me 600 nxënës ka një përfaqësim të komunitetit rom dhe egjiptian . Përkatësisht, janë rreth 9% të komunitetit rom dhe egjiptian që janë pjesë e shkollës sonë. Ndërkohë që , këtë vit janë larguar shumë nxënës romë dhe egjiptianë nga shkolla pasi kanë emigruar në shtetin Francez. Zakonisht, fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptianë janë më të integruarit dhe më të socializuarit me të tjerët. Ka shumë fëmijë romë dhe egjiptianë që janë nxënës të rregullt por shumica kanë vështirësi në të nxënë.7 . Si ju duket projekti i qeverisë në lidhje me 60 shkollat , të cilat do të jenë të pajisura me klasa inteligjente, dmth ora e mësimit do të funksionojë mbi bazën e tabletave dhe laptopëve?
Jam shumë dakort me projektin dhe më pelqen idea por duhet marrë me shumë seriozitet nga të gjithë aktorët që do të jenë pjesë e këtij sistemi. Kjo është një mënyrë për të shfrrytëzuar më mirë teknologjinë.
8. Ju si psikologe, çfarë u sugjeroni të rinjve të sotëm?
Sugjerimi im është që të rinjtë të njohin më mirë veten, të bëjnë një projekt personal kjo me ndihmën e prindërve. Ndërsa, prindërve u sugjeroj të kalojnë më shumë kohë cilësore me fëmijët e tyre, të vendosin komunikim dhe një sistem rregullash dhe shpërblimesh për fëmijët e tyre./atsh/

  • Sondazhi i ditës:

    Minimumi jetik në vend 184 euro për person, a është i mjaftueshëm?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Athinë, Foto e Roan Brahimit i vrarë në makinë