Në shtator PD-ja futet në një fazë tjetër të reformës së brendshme, çfarë duhet të bëjë kryetari Basha që të kthejë harmoninë në strukturat e bazës?
Në të gjitha strukturat tona ka realisht harmoni e dëshirë për të punuar së bashku, ka një vullnet të plotë për të qenë sa më aktive në këtë fazë të re të përgatitjes e të luftës politike të PD, që do të fillojë në shtatori. Unë jam i bindur se Basha, ashtu si ka deklaruar do të procedojë me një analizë të shkaqeve të humbjes, me një diskutim transparent e gjithpërfshirës të përgatitjes së strategjisë së nesërme. Po kështu do të ecet dhe në procesin organizativ të partisë, zgjedhjet në nivelet e ndryshme e deri në atë të Kongresi. Kjo është rruga që une jam i bindur që do të ndiqet, për të arritur në disa konkluzione dhe për të ndërtuar vizionin e luftës opozitare e implentuar atë me tej konkretisht.
A gëzon Basha pjekurinë e nevojshme politike për moslejimin e fragmentarizmit të PD-së?
Së pari unë nuk shoh ndonjë rrezik për fragmentizim të PD-së. Së dyti pa dyshim Basha i ka të gjitha kapacitetet e eksperiencën e nevojeshme për të qenë në lartësinë që kërkohet nga sfidat tona. PD nuk është një parti e re, e sapo krijuar, ajo tashmë ka një eksperiencë kolosale pune në qeverisje e opozitë, ka potenciale të medha njerëzore e mendimi. Të jeni të bindur se të gjitha këto do të jenë pjesë e zhvillimeve të ardhshme, hapësira ka e do të ketë për të gjithë.
Cilado të jetë linja parlametare e opozitës ?
PD-ja është një parti demokratike, pjesë e familjes së PPE. Pra të gjitha veprimet e opsionet e saj do jenë thellësisht demokratike. Një nga këto dhe puna në parlament. Unë jam i bindur se ne do të dimë të paraqesim alternativat tona, të mbrojmë me argumenta atë që i shërben realisht vendit, pikërisht për të mos lejuar të majtën të ecë në rrugën e aventurizmit e nihilizmit. Për ne është e qartë, që rruga e pjesëmarrjes aktive është rruga më dobi prurëse. Bojkotet, dhuna janë forma jo demokratike, që fatkeqesisht PS i përdori duke dëmtuar shumë vendin tonë e rrugën e tij drejt integrimit. Ne jemi një forcë politike e përgjegjshme, e emancipuar dhe që nuk mund të biem pre e lëvizjeve revolucionare si bëri PS. Unë mendoj se këto janë format me të mira të luftës politike, edhe për të kontribuar realisht në ndryshimet e shpejta të balancave politike në vend.
Do kemi opozitë të fort në këto katër vite?
Do të jetë një opozitë pluridimensionale, e gjerë, shume aktive, me ide e opsione konkrete. Do të jetë një opozitë alternative për të bindur elektoratin kryesisht në dy gjëra, në fallcitetin e spekullimeve premtuese të PS gjatë fushatës dhe efektivitetin e dobinë reale të ideve tona. E para realisht nuk do të jetë shumë e vështirë për tu realizuar. Që tashti PS po braktis premtimet e saj e njerëzit po e kuptojne qartë këtë. E dyta kërkon një punë të struktuaruar mirë, të gjerë, afat gjatë. Këtu kërkohet pa dyshim një përfshirje e gjerë e kapaciteteve tona.
Nga nga tjetër unë do te theksoja dhe domosdoshmërinë e një vepritarie të gjere me komunitetin ndërkombëtar. Ne jemi pjesë e PPE, kemi mbështetjen e një harku të gjerë politik ne Europë. Duhet të jemi shumë më aktive në këtë drejtim, pikërisht për të shpjeguar realitetin, problemet dhe për të marrë sa më shumë nga eksperienca e tyre. Realisht duhet një kontakt i gjerë e aktiv me të gjithë faktorin ndërkombëtar diplomatik ose jo, në periudhën që vjen.
Do të mbani qëndrime bllokuse, ashtu siç keni pretenduar se ka bërë edhe opozita për çështje të rendësishme?
Unë e theksova se opozita jonë do të jetë pjesëmarrëse, alternative, në dobi të interesave të vendit. Pa dyshim që ne do të pengojmë, ato tentativa e opsione politike të së majtës që do të bien ndesh me interesat e vendit apo të sektorëve të veçantë. Nëse e majta do të përpiqet të shkatërrojë atë çfarë është bërë, në shumë vite, në sistemin shëndetësor shqiptar ne do ta kundërshtojme me të gjitha kapacitet tona. Nëse e majta do të tentojë të ndryshojë prioritete e politikës sonë të jashtme, të konsoliduara nga të gjithë, pa dyshim që do ta kundërshtojmë fortë. Kjo është opozita, por gjithmonë brenda kuadrit demokratik.
Si e shikoni qeverinë e re të kabinetit Rama? A janë zgjedhur njerëzit e duhur, apo jo?
Në realitet shenjat e deri tanishme nuk janë premtuese. Është një kabinet i fryrë artificialisht për aresye subjektive, me shpenzime më të mëdha në kurriz të atyre që paguajnë taksat.Është e kundërta e asaj që duhej e pritej, duke rënë ndesh dhe me vetë rekomandimet e FMN-së. Së dyti mënyra e emërtimit të ministrive e funksionet e tyre nuk janë, për mendimin tim, të tilla që mund të japin eficiencë të mirë. Nga ana tjetër dhe këtu janë lënë jashtë premtime. P.sh nuk ka ministri për emigracionin, si ishte premtuar emigrantëve tanë me shumë bujë, gjë që me të drejtë ka ngjallur reagime të forta midis tyre. Pra, për mua nuk të jep mesazhe premtuese.
Rama do e ketë përballjen më shumë me Bashën, si kryetar partie, apo me Berishën, ish- kryetarin që është në Parlament?
Rama pa dyshim do të përballet me Bashën si kryetar i PD-së. Është një përballje normale midis dy kryetarëve, të maxhorancës e opozitës. Po kështu ai dhe stafi i tij do të përballet me të gjitha kapacitet e PD-së. Berisha është një personalitet thelbesor në PD e në politikën shqiptare si dhe më tej, prandaj unë jam i bindur se dhe në të ardhmen roli i tij do të jetë më shumë peshë për zhvillimet shqiptare e pse jo dhe ato rajonale, për të cilat ai ka dhënë një kontribut të madh në shumë vite.
Ju e keni perkufizur politiken e jashtme të z. Rama si amatoreske?
Realisht une i uroj Z.Rama suksese në politikën e tij të jashtme, se kjo është e rëndësishme për vendin në tërësi. Por ai duhet të kuptojë diçka, që veçanërisht në politkën e jashtme, në partneritetet tona ndërkombëtare, duhet të ketë një vazhdimësi të qartë, ashtu siç ka pasur në gjithë këto vite te ne, pavarësisht se kush ka qenë në qeverisje. Kjo është shumë e rëndësishme për besueshmërinë tonë, linjat tona të zhvillimit e të objektivave tona të qarta se ku duam të arrijmë. Këto janë elemente që ngelin stabël, dhe kjo për hir të interesave tona madhore si vend. Fatkeqësisht kohët e fundit kam konstatuar disa tendenca, që dëshërojnë të transmetojnë idenë se “çdo gjë fillon me mua”. As mund të jetë kështu dhe as është kështu. Ne nuk fillojmë sot, në përgjithësi, por dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare në veçanti, nga “viti zero”. Kjo është shumë e rëndësishme të kihet qartësisht në konsideratë, ndryshe biem në gabime të mëdha e shumë të dëmshme për vendin.
Disa demokratë të dalë jashtë sallës së Kuvednit por edhe ata që janë brenda kanë ndarë të nëjjtin mendim se humbja e zgjedhjeve ka ardhur edhe për shkak të mosfunksionimit të strukturave të PD-së? A ndani të njëjtin mendim? Dhe çfarë duhet të ndodh për ta ‘sjellë në vete’?
Unë e kam theksuar shumë herë që shkaqet e humbjes janë të shumtë. Ka që nuk lidhen me ne, por me konjuktura madhore si kriza botërore. Ka që lidhen me punën tonë qeverisëse, të administratës, të vendimarrjes, pa dyshim dhe të punës së strukturave të PD në tërësi. Të gjitha këto do të analizohen në strukturat tona dhe do të dilet me konkluzionet perkatese.
Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.07.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)