“Qëllimi i këtij projekti është t’u japë studentëve mundësinë të përdorin njohuritë e tyre teorike në zhvillimin e ideve inovative mbi tema specifike, por edhe të testojë aftësitë e tyre në kushte të vërteta biznesi, ku ata do të punojnë së shpejti”, tha Silvio Pedrazzi, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i "Intesa Sanpaolo Bank Albania". Pas fazës së aplikimit 12 studentët më të mirë të përzgjedhur nga Universiteti Epoka, Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti i Tiranës, morën pjesë në workshope, të ndarë në skuadra, nën monitorimin e profesionisteve të Bankes Intesa Sanpaolo.
Skuadrës Fituese të përbërë nga dy studente të Universitetit të Tiranës: Raisa Uku e Ermira Zhuka, të cilat prezantuan temën mbi “Konceptimin e një skeme shpërblyese dhe besnikërie për klientët në funksion të kënaqësisë së tyre përmes pagesave elektronike pa kontakt” iu dorëzua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Fullani, Çmimi i Parë, “Një Internship i paguar pranë Intesa Sanpaolo Bank Albania”, si dhe përfaqësimi i Shqipërisë pranë Divizionit Ndërkombëtar të Bankave Filiale të Grupit "Intesa Sanpaolo" në Milano, duke pasur kështu mundësinë të fitojnë një Internship Ndërkombëtar në zyrat qëndrore në Itali, ose Çmim monetar.
“Investimi në zhvillimin e burimeve njerëzore dhe zbatimi i hapave konkrete në nxitjen e punësimit të të rinjve është një nga rrugët për nxitjen e ekonomisë në tërësi. Është pikërisht përmes kapaciteteve në rritje e ideve inovatore të këtyre të rinjve që i jepet gjallëri bizneseve dhe nxitet konkurrenca në tregun e sotëm të punës.” – u shpreh Ambasadori i Italisë në Shqipëri.
Guvernatori Fullani vlerësoi kontributin e madh të Italisë dhe Bankave e Bizneseve Italiane në Shqipëri përgjatë gjithë historisë së marrëdhënieve tona. “Duhet të përqafojmë inovacionin për rritjen e punësimit dhe mirëqënies për të gjithë, rritjen e kualitetit të shërbimeve bankare, duke i parë financierët jo vetëm si shërbëtorë por edhe promotorë të ideve të reja. Duhet të punojmë së bashku për të siguruar aksesin e barabartë të të gjithëve në tregje, lirinë ekonomike e vecanërisht Edukimin, të cilin BSH e ka vënë në qendër të vëmendjes gjithashtu.” - tha ai.

“Falenderoj studentët për pjesëmarrjen në konkurse të këtij modeli ku gërshetohet teoria me praktikën, që i përgatisin ata për të qënë sa me kompetitivë në tregjet europiane ku synojmë të hyjmë” – u shpreh ministri Veliaj. Ai theksoi rëndësinë e kalimit të marrëveshjeve të lidhura me Shoqatën e Bankave dhe Sistemin Bankar nga letra në praktikë përmes këtij projekti mbi Kënaqësinë e Klientit dhe atyre që pritet të nisin për të sjellë punësim real të të rinjve dhe mundësimin e praktikave të punës në këto institucione.
"Intesa Sanpaolo" i ka dhënë gjithmonë një vëmendje të veçantë Edukimit, duke shërbyer si urë që i sjell studentet pranë mjedisit real të biznesit, duke ofruar ndërkohë mundësi punësimi dhe rritjeje profesionale përmes prezencës dhe ekspertizës së saj ndërkombëtare.
Intesa Sanpaolo Bank Albania është një bankë kryesore në vend* që u ofron kompanive, klientëve institucionalë e privatë me të ardhura të larta si dhe klientëve individë e biznese të vogla e të mesme zgjidhje të arsyeshme përmes shërbimeve e produkteve të shkëlqyera. Banka i ofron shërbimet e saj përmes një rrjeti prej 32 degësh në qytete të ndryshme të vendit dhe vazhdon të zgjerohet në mënyrë strategjike duke ndjekur nga afër zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Banka luan një rol kryesor si një huadhënës i madh për koorporatat dhe SME-të, së fundmi e fokusuar në Bizneset e Agrokulturës te sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, të udhëhequra nga principet e “Qëndrueshmërisë”. Pro-aktiviteti dhe thjeshtësia në biznesin e shërbimeve ndaj individëve janë përcaktuese të marrëdhënieve me këta klientë.
*Banka e tretë në vend për totalin e Aktiveve dhe e katërta për totalin e Kredive sipas Albanian GAAP, 31 Dhjetor 2013.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)
