DURRES - Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, paralel me shembjen e objekteve në të dy skajet e aksit rrugor Ura e Dalanit -Plepa, në ditën e tretë, aksionin e ka zhvendosur në brezin e rërës.

Përgjatë plazhit sipas inspektorëve të INUK-ut janë vlerësuar mbi 50 objekte të paligjshme, ndaj dhe fadromat janë përqendruar në këtë zonë.

Bëhet fjalë për tenda dhe çati lokalesh, mure rrethuese apo ndërtime të tjera që janë ngritur vit pas viti për qëllime të ndryshme tregtie dhe biznesi. 

Në vijën bregdetare në një gjatësi prej 3 kilometrash fadromat e INUK-ut të mbështetur edhe nga Forcat Speciale të Policisë kanë shembur disa objekte të lehta pa leje, ndërkohë që pronarët e subjekteve të mëdha si bare e lokale të njoftuar ditë më parë, kanë nisur vullnetarisht prishjen e tyre.

Ndërkohë shkallët e dy pallateve shumëkatëshe në sektorin "Apollonia" të prishura dy ditë më parë nga INUK kanë nisur të ndërtohen, për shkak të izolimit të banorëve për të hyrë apo dalë nga apartamentet e tyre.

Deri më tani në zonën e plazhit të Durrësit janë shembur rreth 150 ndërtime pa leje, nga 500 të evidentuara në terren nga inspektorët e INUK-ut.

Paralelisht me shembjet e ndërtimeve pa leje përgjatë gjithë rrugës së Plazhit është krijuar një sasi e madhe materialesh inerte, ndërkohë që kamionë të shumtë po merren edhe me largimin e tyre nga kjo zonë.
 
Rama: ​Heqim pisllëkun që e mbante peng
Duke komentuar këtë aksion, kryeministri Edi Rama tha se ndërtimet pa leje mbajnë peng plazhin e Durrësit. “Operacioni i pastrimit vijon në vijën e rërës ku ndërtimet pa leje e shtresat e pisllëkut mbajnë peng plazhin e Durrësit”, shkroi kreu i qeverisë në rrjetet sociale Twitter dhe Facebook.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)