Inva Mula, Dezdemona e
përsosur në teatrin 2 mijë vjeça

Inva Mula, Dezdemona e<br />përsosur në teatrin 2 mijë vjeça
TIRANE-  Diva e muzikës, Inva Mula korri më 5 gusht, një sukses të jashtëzakonshëm në rolin e Dezdemonës, në operan “Otello”, të kompozitorit Xhuzepe Verdi , në Festivalin më prestigjoz që Franca organizon, Les Choregies d’Orange, në një amfiteatër të lashtë më shumë se 2 mijë vjeçar, ku çdo gur flet për historinë e shkruar dhe përjetuar.

Inva Mula, një artiste me një përvojë të jashtëzakonshme, me një bagazh të pasur operistik dhe me një zë të rrallë, interpretoi rolin e Dezdemonës, një figurë e dashur që për sopranon e nivelit botëror, “është simboli i pafajësisë , brishtësisë, por mbi të gjitha, simbol i dashurisë”. Ndërkohë Gazeta Figaro e datës 7 gusht shkruante ndër të tjera se, “Dezdemona e Inva Mulës kishte një paraqitje të përsosur skenike dhuruar shumë bukur…“.

Në një intervistë ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Inva Mula rrëfen, ditët e saj në Orange, entuziazmin dhe kërshërinë e padiskutuar të publikut gjatë kohës kur përgatitej të vihej në skenë opera e parafundit e shkruar nga kompozitori gjenial Xhuzepe Verdi. “Muzika e Verdit i ka dhënë momente të përkryera vokale dhe skenike kësaj vepre. Të interpretosh në këtë opera është një dhuratë që të bëhet edhe kur ke mbi supe 30 vite karrierrë”, shprehet sopranoja Inva Mula në këtë intervistë. Opera “Otello “, u interpretua nga Orkestra Kombëtare Franceze me një nga dirigjentët më mëdhenj të kohës Myung- Ëhun Chung, i njohur si një nga interpretuesit më të veçantë të kësaj vepre. Realizimi skenik i veprës është i regjisores Nadine Duffaut dhe kostumet nga Katia Duflau.

Më shumë se 120 koristë ishin në skenë, 100 figurantë dhe thuajse një ekip po aq mbas skene. “Një dekor minimalist për t’i dhënë rëndësi dekorit natyral të teatrit, i cili me murin madhështor dhe lashtësinë e tij bënte pjesë në realizmin e veprës në mënyrën më të besueshme Dekori përbëhej nga dy copa gjigande pasqyrash të thyera ku projektohej gjithë gjendja shpirtërore e Dezdemonës dhe Otellos, ide e shkëlqyer dhe shume e vlerësuar nga publiku dhe kritika”, thotë Inva Mula në këtë intervistë.

Piktori i merituar, Zamir Mati, i cili prej më shumë se dy dekadash jeton në Paris, duke iu referuar kësaj ngjarje muzikore i tha ATSH-së, se “në një transmetim direkt në Tv 2 Francë, Inva Mula në rolin e Dezdemonës shkëlqeu në skenën e përshtatur bukur në amfiteatrin e famshëm romak për koncertet dhe shfaqet muzikore të qytetit të vjetër Orange gjatë stinës verore. Është e disata herë që këngëtarja jonë e mrekullueshme është e ftuar në këtë qendër të njohur të muzikës”. Por, transmetimi direkt në France 2, Televizioni Kombëtar francez që ndiqej nga miliona shikues, për këngëtaren e madhe ishte më shumë se përgjegjësi. “Me miliona teleshikues, emocioni i dyfishtë për sallën dhe ekranin e vogël por tepër të madh!, vijon intervistën këngëtarja e madhe.
 
Ju sapo keni realizuar rolin e Dezdemonës, në Festivalin më prestigjoz të Francës, “Les Choregies d’Orange”. Cilat ishin përjetimet tuaja në ditët e para kur ju punuat për të vënë në skenë këtë shfaqje?
Realizmi i operas “Otello” është një bashkëpunim i ri në Festivalin më prestigjoz francez, “Les Choregies d’Orange” por dhe i një rëndësie të veçante pasi roli që interpretoja është rol mitik i interpretuar nga yjet e botës ndërkohë që dhe publiku priste shumë nga unë. Besoj se justifikova atë që artëdashësit prisnin, pasi suksesi ishte i papërshkruashëm. Për gjatë tre javëve që qëndrova në Orange, vura re që në ditët e para fansa të cilët ndiqnin të gjitha provat dhe që shtoheshin nga dita në ditë. Ishte e pamundur të kaloje dhe një provë të vetme pa qenë në formë, pasi kishim gjatë të gjithë kohës një publik që rrinte me orë të tëra dhe nuk mërzitej sikur dhe të përsërisnim me dhjetra herë të njëjtën skenë!

Ky grup artdashësish shtohej nga dita në ditë dhe na suportonte me dashurinë e tyre me vlerësimet, por nganjëherë dhe me kritika të cilat shërbyen në dobi të realizimit të këtij evenimenti kaq të rëndësishëm të kulturës në Francë. Kjo është dhe e veçanta e këtij festivali, i cili ndodh në një amfiteatër të lashtë më shumë se 2 mijë vjeçar, ku çdo gur flet për historinë e shkruar dhe përjetuar! Duke vibruar me muzikën e fuqishme të Xhuzepe Verdi-t veç se e kthen këtë vend mitik në një arenë tingujsh dhe emocionesh ku vetëm ai që e përjeton mund ta kuptojë fuqinë e artit të vërtetë.
 
Ju bashkëpunuat në këtë opera me tenorin e njohur Roberto Alagna…
Pata fatin të kisha një ekip të jashtëzakonshëm, duke filluar nga partneri im në rolin e Otello-s, tenori Roberto Alagna, i cili në Francë është shumë i vlerësuar dhe i dashur për publikun ! Ai vinte për herë të parë me një rol kaq të rëndësishëm dhe kishte vënë një bast të vështirë duke interpretuar një rol që zakonisht luhet nga zëra më dramatikë. Kishte dhe shumë skeptikë, të cilët nuk kishin besim në lirizmin e zërit të Alagnes, për të dhënë një hero shekspirian dramatik deri në mbarim të aktit të fundit që kalon në tragjedinë e vrasjes! Por Alagna na dha nje personazh tjetër nga ai klasiku, ai krijoi një figurë, të cilin e justifikon deri në fund me veprimet e tij! Inteligjenca dhe sensibiliteti i artistit krijoi një figurë të skalitur në emocione të mëdha dhe tepër të veçantë! Pata fatin ta kem Robero Alagnen, si partner për gjithë ato emocione që ai i dhuroi publikut dhe kolegëve të tij !
 
Realizmi i një vepre botërore si Otello, ka edhe shumë detaje për t’u treguar …
Sigurisht që po… Një pikë kulminante ishte interpretimi i Orkestrës Kombëtare franceze me një nga dirigjentët më mëdhenj të kohës, Myung- Ëhun Chung, i njohur si një nga interpretuesit më të veçantë të kësaj vepre. Realizimi skenik i kësaj vepre iu besua regjisores Nadine Duffaut ndërsa kostumet, mjeshtres, Katia Duflau. Realizimi i përmasave të kësaj vepre ishin madhështore. Për realizimin e saj, kënduan më shumë se 120 koristë në skenë, 100 figurantë dhe një ekip thuajse po kaq mbas skene. Dekori ishte minimalist dhe kjo për t’i dhënë rëndësi dekorit natyral të teatrit, i cili me murin madhështor dhe lashtësinë e tij, ishte pjesë e realizmit të veprës në mënyrën më të besueshme! Dekori përbëhej nga dy copa gjigande pasqyrash të thyera ku projektohej gjithë gjendja shpirtërore e Dezdemonës dhe Otellos, ide e shkëlqyer dhe shume e vlerësuar nga publiku dhe kritika.
 
Si do ta përcaktonte, Inva Mula, interpretimin e rolit të Dezdemonës?
Për mua realizimi i figurës së Dezdemonës kishte një rëndësi të veçantë, ndonëse nuk ishte hera e parë unë interpretoja këtë personazh. Por këtë herë, edhe vetë rëndësia që kishte ky projekt, i dha të tjera dimensione realizimit të një figure kaq të dashur për atë që përfaqëson personazhi i Dezdemonës, simboli i pafajësisë, brishtësisë por mbi të gjitha simboli i dashurisë. Pikërisht këtu është dhe forca e këtij personazhi, edhe në momentet e fundit të jetës ajo nuk tregon kush e vrau dhe mbron dashurinë e saj në nivelin e vetmohimit! Muzika e Verdit i ka dhënë momente të përkryera vokale dhe skenike dhe të interpretosh në këtë vepër është një dhuratë që të bëhet edhe kur ke mbi supe 30 vjet karierrë. Emocioni është i madh dhe sadisfaksioni po aq.
 
Përmes rrjeteve sociale, u informuam që shfaqja e datës 5 gusht u transmetua direkt në “France 2”?
Shfaqja e datës 5 gusht u transmetua direkt në France 2, Televizioni Kombëtar Francez, që ndiqet nga miliona teleshikues, si dhe në France Muzik Radio, me intervista direkte gjatë pushimit dhe mbas shfaqjes. Mendoni përgjegjësinë kur mendon se je direkt në Televizion. Janë me miliona teleshikues që të ndjekin. Dhe kështu, emocioni është i dyfishtë për sallën dhe për ekranin e vogël, por tepër të madh!
 
Projekti juaj më i afërt?
Tani jam duke shijuar pushimet me familjen time. Jam e lumtur mbas një suksesi që përjetova, të kthehem në jetën familjare, të cilën e kam gjënë më të çmuar! Projekti më i afërt është në fillim të sezonit në Brazil në operën e San Paolos, aventurë e re e cila pret radhën.

inva mula
























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, 22 vjeçari merret forcërisht nga lokali e dhunohet në Shëngjergj, arrestohet babai i ish-të dashurës, vëllai, kushëriri i tij

Tiranë, 22 vjeçari merret forcërisht nga lokali e dhunohet në Shëngjergj, arrestohet babai i ish-të dashurës, vëllai, kushëriri i tij