ELBASAN - Tymi dhe bloza mbulojnë gjatë natës të gjithë qytetin e Elbasanit. Një investigim i emisionit Urbanika të Tv A1 Report, sjell pamje të xhiruara gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit. Në këto pamje duket qartë ndotja nga oxhaqet e “Kurum”, uzina e shkrirjes së skrapit dhe e prodhimit të çelikut në Elbasan.

Sasi të pakontrolluara të tymit dhe blozës shkarkohen në ajër, duke ndotur jo vetëm fshatrat përreth por qytetin e Elbasanit, Peqinit, madje deri tymi përhapet deri në Cërrik e Kuçovë.

Këshilli i komunës Bradashesh ka caktuar fundin e këtij viti si afatin përfundimtar të vendosjes së impiantit të filtrave nga firma turke "Kurum", e cila administron uzinën e prodhimit të celiqeve në Elbasan.

Mësohet se filtrat e ajrimit dhe pastrimit gjatë procesit të shkrirjes së celiqeve në Metalurgjik, me qëllim minimizimin e shkallës së ndotjes në qytetin e Elbasanit dhe zonën e Bradasheshit nuk funksionojnë prej dy vitesh. Ndërsa prej rreth 1 viti, nuk funksionojnë as impiantet që bëjnë monitorimin e ndotjes së ajrit.

Sasi të pakontrolluara të tymit e blozës që shkarkohen në ajër e përhapen në të gjithë zonën ku shtrihet Elbasani, e kanë çuar në 20 numrin e personave të fshatit Bradashesh, që rezultojnë të vdekur nga sëmundjet kanceroze përgjatë 15 viteve të fundit në Elbasan.

Gjithçka si pasojë e ndotjes së pakontrolluar që shkaktohet nga Metalurgjiku dhe neglizhencës për marrjen e masave mbrojtëse nga firma që ushtron aktivitetin.

(eç/shqiptarja.com)