DOHA, Katar - Një tjetër kurorëzim për një vit të jashtëzakonshëm. Pasi fitoi 'Topin e Artë', Ousmane Dembele është shpallur edhe Lojtari më i Mirë i Vitit nga FIFA, duke konfirmuar dominimin e tij absolut në futbollin botëror.

Sulmuesi francez e pranoi çmimin në Doha, aty ku Paris Saint Germain po përgatitet për finalen e Kupës Ndërkontinentale ndaj Flamengos. Në garën për trofeun individual, Dembele la pas Kylian Mbappe dhe talentin e ri Lamine Yamal. Mbappe, pavarësisht se fitoi “Këpucën e Artë”, mbeti jashtë edhe formacionit të 11-shes më të mirë të vitit.

Sezoni i kaluar ishte historik për 28-vjeçarin. Dembele pati rol vendimtar në triumfin e parë të PSG-së në Champions League, ku parizienët shkatërruan Interin 5-0 në finale. Ai realizoi 35 gola në të gjitha garat, 21 prej tyre në Ligue 1, duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit. PSG fitoi të gjithë trofetë vendas dhe arriti gjithashtu në finalen e Kupës së Botës për Klube.

Ceremonia The Best FIFA Football Awards 2025 konfirmoi dominimin e PSG-së edhe në përzgjedhjet individuale. Formacioni i vitit përbëhet nga Gianluigi Donnarumma në portë, Achraf Hakimi, Willian Pacho, Virgil van Dijk dhe Nuno Mendes në mbrojtje, Cole Palmer, Jude Bellingham, Vitinha dhe Pedri në mesfushë, si dhe Lamine Yamal dhe Ousmane Dembele në sulm. Trajneri i vitit u shpall Luis Enrique.

Në kategoritë e tjera, Donnarumma, tashmë pjesë e Manchester City, fitoi çmimin e portierit më të mirë të meshkujve. Në futbollin e femrave, Aitana Bonmatí u shpall më e mira për të tretin vit radhazi, ndërsa Sarina Wiegman fitoi çmimin e trajneres më të mirë, pas suksesit të Anglisë në Kampionatin Evropian.

Sa i përket çmimeve speciale, Santiago Montiel fitoi 'Çmimi Puskas' për golin më të bukur të vitit në futbollin e meshkujve, ndërsa meksikania Lizbeth Ovalle u nderua me Çmimi FIFA Marta për supergolin e realizuar me fanellën e Tigres kundër Guadalajara.