Një email dërguar autoriteteve shqiptare, përfshirë kryeministrin Edi Rama, nga presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Grant Van Cleve, ngre shqetësime serioze lidhur me projektin e ndërtimit të Portit të ri në Porto Romano, përmasat dhe kapacitetet përpunuese të tij. Sipas tekstit të emailit “një port i vogël nuk mund të gjenerojë volumet e mallrave të nevojshme për të mbështetur një korridor të madh logjistik lindje–perëndim si Korridori 8”, dhe se “nëse Porto Romano ndërtohet në shkallën e kufizuar aktuale, Korridori 8 do të dështojë strukturalisht, dhe flukset e mallrave në Evropën Juglindore do të vazhdojnë të kapen nga Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë jashtë sistemit kryesor logjistik të Mesdheut për shekullin e ardhshëm”. Në email i kërkohet kryeministri Edi Rama të bllokojë procedurën e tenderimit e cila mbyllet më 9 mars.
Në mesazhin e tij, Grant Van Cleve ofron dhe tabela krahasuese, sipas të cilave projekti i Porto Romanos, ofron një infrastrukturë ndjeshëm më të vogël se Porti aktual i Durrësit. Shifra e parë që të bie në sy është sipërfaqja. Porti aktual ka një sipërfaqe prej 79 hektarësh, ndërsa ai i Porto Romanos vetëm 40 hektarësh.
Por në fakt dokumentat zyrtarë qe Shqiptarja.com ka lexuar, tregojnë një realitet ndryshe, duke filluar nga sipërfaqja e disponueshme që shkon në më shumë se 400 hektarë, ndërkohë që 40 hektarë përfshijnë vetëm fazën e parë të projektit. Një zgjerim i cili në Durrës duket i pamundur për shkak të zonës së banuar që rrethon portin aktual.
Sipas emailit, Porti i ri, rezulton të ofrojë edhe kapacitete më të vogla përpunuese se ato të Portit aktual të Durrësit. “Masterplani strategjik Durrës-Porto Romano 2030” përmban të dhëna krahasuese mes dy infrastrukturave portuale. Nëse do të shohim dy terminalet aktuale, operacionet e të cilave do të transferohen në Porto Romano, ai i kontejnerëve ka një gjatësi prej 265 metrash, ndërsa terminali ku trajtohen ngarkesat e përgjithshme është 700 metra.
Por në Porto Romani, projekti parashikon një terminal shumëfunksional me një gjatësi kalate afërsisht 750 m, dhe mundësi për t’u zgjeruar në një fazë të dytë me 500 metra të tjerë, si dhe terminalin e mallrave rifuxho me një gjatësi kalate afërsisht 480 m për të mundësuar 2 vendbregëzime për anijet në fazën e parë, që do të jetë e zgjerueshme me 450 m shtesë në fazën e dytë.
Aktualisht në terminalin e kontejnerëve në Portin e Durrësit, kapaciteti vlerësohet të jetë 180.000 TEU. Ndërsa projekti i Porto Romanos parashikon 500.000 TEU, gjithnjë në fazën e parë e pa llogaritur këtu, sipas ekspertëve zbatimin e tekonologjive automatike që përshpejtojnë ndjeshëm kohën dhe kapacitetet e përpunimit.
Nga ana tjetër, në Portin e Durrësit sot mund të ankorohet vetëm një anije, ndërsa projekti tjetër parashikon për terminalin shumëfunksionalësh, 1 vendbregëzim për kontejnerët, një tjetër për kontejnerë dhe ngarkesë e përgjithshme, dhe një i dedikuar vetëm për ngarkesat e përgjithshme.
Por avantazhi kryesor i projektit të Porto Romanos sipas masterplanit është thellësia e ujit e cila shkon në të paktën 14 metra, duke lejuar përpunimin e anijeve të mëdha, gjë e cila praktikisht sot është e pamundur në portin e Durrësit, ku në gjendjen aktuale “shumica e anijeve kontejnermbajtëse nuk janë në gjendje të akostohen me kapacitet të plotë ngarkese”, vërehet në dokumentin zyrtare.
Në emailin e Presidentit të Dhomës amerikane të Biznesit ofrohet propozimi që projekti të rishikohet. Me terma që shkojnë përtej një organizate biznesi, shkruhet, pa specifikuar se kush dhe si, se “mund të sigurojmë firmat më të mira amerikane të inxhinierisë për të asistuar në rishikimin e projektimit të Porto Romanos, hekurudhave, autostradave dhe të gjithë infrastrukturës dual-use të Korridorit 8, për t’u ndërtuar sipas standardeve të NATO-s, në koordinim të plotë me NATO-n dhe për të siguruar gjithashtu financim shtesë nga NATO”.
Komente












Urdherat e ergys agasit nuk diskutohen, zbatohen. Poshta amerika, rrofte agasi,bela, kercanaj dhe beqiri me ramen
PërgjigjuShqiptarja.com është një media serioz, ju lutem! Kujdes! Pse e merrni në konsideratë atë "dhelpër"? Ai pendohet që nuk mundi të fitonte para për palën e tij nga ky projekt dhe dëshiron ta "shkatërrojë" atë. Kujtoni HEC-in e Skavicës. Një kompani turke iu refuzua, dhe BECHTEL erdhi për ta "ndërtuar". A e bënë? NUK MUND TË DONI KURRË! Burimet financiare amerikane nuk janë të përshtatshme për Shqipërinë. Çfarë po bëjnë ata? Si "dhëndri i Trump", ata përdorin zyrën e tyre (edhe kjo është korrupsion) për të ndikuar te vendimmarrësi! Rama ka shumë "shporta vezësh" mbi shpinë! Ai e ndjen dhimbjen, jo AMCHAM! Ju lutem, pa vonesë, filloni projektin dhe ne mund ta përmirësojmë projektin sipas nevojës në 6/7 vitet e periudhës së ndërtimit. Në një gjë ai kishte të drejtë: Drafti duhet të jetë 16m, jo 14m!
Përgjigju