Një investim prej 10 milionë eurosh është realizuar në zonën e Gjirit të Lalëzit për të ndërtuar impiantin e ri të trajtimit të ujërave të zeza. Ky impiant në fazën e parë do të mbulojë nevojat e 15 mijë banorëve, për tu zhvilluar në një fazë tjetër deri kapacitetin përpunues për 30 mijë banorë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga zv.ministri, Hantin Bonati ka kryer një inspektim në impiantin e ri, për t’u njohur nga afër me ecurinë e punimeve dhe afatin e dorëzimit përfundimtar të kësaj vepre mjaft të rëndësishme për një zonë shumë të frekuentuar turistike, siç është gjiri i Lalëzit.
Drejtori i Drejtorisë së Ujësjellës – Kanalizimeve në Bashkinë e Durrësit, Spartak Kovaçi e ka njohur ministren me teknologjinë e instaluar në këtë impiant, një teknologji bashkëkohore, për herë të parë e përdorur në rajonin tonë. “Them që është mjaft e veçantë sepse mund të jetë dhe e vetmja në rajon që ka këtë lloj vaske. Kursen hapësirë dhe ka një mirëmbajtje më të lehtë në të ardhmen”, ka thënë Kovaçi.
Lidhur me afatet e përfundimit dhe dorëzimit të investimit drejtori i UKT-së Durrës u shpreh: “Për dy muaj do të përfundojë komplet rrjeti i kanalizimeve dhe impianti do të merret në dorëzim dhe që nga ai moment ato mund të lidhin të gjitha resortet dhe bizneseve që janë bregut të detit. Ne kemi lënë pusetat gati me gjithë hyrjen dhe bizneset vetëm do bëjnë lidhjen me këto puseta. Gjë që do bëhet brenda këtij sezoni veror dhe nuk do kemi më asnjë derdhje në det dhe asnjë gropë septike në këtë zonë”.
Nga ana e tij zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Hantin Bonati theksoi se ky investim është mbështetur tek plani urbanistik zhvillimor dhe parashikohet që deri për vitin 2030, ky impiant të jetë mjaftueshëm për të përmbushur të gjitha nevojat që ka vija bregdetare për trajtimin e ujërave të ndotura.
“Këtu kemi një impiant që është super modern, sipas teknologjisë së fundit. Kemi dhe kolektorin kryesor që vjen që nga pjesa veriore e Gjirit të Lalzit dhe përmbledh gjithë pjesën e bregdetit. Ky projekt parashikohet të jetë për një zgjidhje të qëndrueshme deri në vitin 2030, sepse i është referuar planit të zhvillimit urbanistik dhe gjithë komplekset e reja që po zhvillohen do kenë një çështje të zgjidhur çështjen e trajtimit të ujërave të ndotura urbane”.
Ministrja Balluku e ka vlerësuar impiantin e ngritur përmes këtij investimi, si një zgjidhje afatgjatë dhe profesionale, e cila duhet të implementohet edhe në zona të tjera.
“Dhe sigurisht kjo zonë do të kthehet në një shembull për t’u implementuar në të gjithë zonat e tjera bregdetare . Menaxhimi i integruar i ujit, është një nga gjashtë prioritetet e qeverisë dhe këtu në këtë impiant kemi pasqyruar më së miri strategjinë tonë të zhvillimit, e cila absolutisht reflektohet në rritjen e mirëqenies së jetës së qytetarëve por bashkërendohet me strategjinë e turizmit që ne kemi”, ka thënë Balluku.
Ministrja është ndalur në rëndësinë që ka tanimë reagimi në kohë edhe i subjekteve që ndodhen në këtë zonë, për t’u lidhur sa më shpejt me impiantin: “Është shumë e rëndësishme që ne të njoftojmë menjëherë që gjatë muajit maj impianti do të jetë i gatshëm për të nisur operimet e plota kështu që të gjitha subjektet që ndodhen në zonë të fillojnë të marrin masa për të bërë lidhjen me këtë kolektor”.
Kolektori i ujërave të zeza në Gjirin e Lalëzit përfshin dhe ndërtimin e rrjetit kryesor të kanalizimeve nga zona e Shën Pjetrit deri në hidrovor me rreth 6.2 km rrjet kanalizimi kryesor, 4 stacione pompimi që bëjnë të mundur mbledhjen e gjithë pjesës së bregdetit dhe kanalizimet që lidhen me impiantin. Pas trajtimit uji do të dalë i pastër dhe përmes një kanali do të shkarkohet në det. Sipas ekspertëve të MIE-s uji që do të derdhet në det do të jetë në parametrat e komunitetit europian dhe legjislacionit shqiptarë. Kjo do të bëjë që të kemi një përmirësim të ndjeshëm të situatës në këtë zone.