Investimet e munguara, bizneset
mbajnë në banka 10% të PBB

Në fund të muajit shtator depozitat bankare janë rritur me 1.9 miliardë lekë, duke arritur në një total prej 997 miliardë lekësh ose 7.5 miliardë euro, njoftoi Banka e Shqipërisë. Kështu, gjatë 12 muajve të fundit rezulton se kursimet e shqiptarëve janë rritur vetëm 0.14 për qind, me një frenim të ndjeshëm të tendencës shumëvjeçare, që shënonte shtim të madh të tyre vit pas viti. Por ndërmjet sjelljes së individëve dhe biznesit në këtë drejtim tashmë ka një diferencë të theksuar.

Vetëm në shtator, bizneset futën në banka 3.3 miliardë lekë (rreth 24 milionë euro), si depozita me afat, duke shënuar rritjen më të lartë sesa çdo kategori tjetër të të gjithë sektorëve. Në harkun e katër viteve, në krahasim me janarin 2013, stoku i depozitave të bizneseve është rritur me gati 80%, apo rreth 500 milionë euro më shumë. Ndërkohë, stoku i depozitave me afat në lekë të individëve arriti në fund të muajit shtator 249 miliardë lekë. Në krahasim me janarin e vitit 2013, depozitat e individëve kanë rënë me 26%. Pra, ata kanë tërhequr dhe nxjerrë jashtë sistemit bankar të vendit 650 milionë euro.

Pas uljes në nivele minimale të normës të interesit bazë nga ana e bankës qendrore, edhe interesi mesatar i depozitave në lekë, që ofrojnë bankat e nivelit të dytë në tremujorin e tretë ishte jo më shumë se 0.8%, në një kohë kur inflacioni ka qenë në nivelin e 1.7 përqindëve. Thënë kështu, mbajtja e kursimeve në llogari bankare më shumë ka sjellë humbje se sa fitime. Por, ndërkohë që largimi i parave nga individët në këto kushte është i kuptueshëm, e çuditshme është që bizneset, në të kundërt, kanë shtuar depozitimet e tyre në banka, ku fitimet janë po ashtu minimale. Banka e Shqipërisë ka raportuar se, në fund të 9-mujorit, rritja vjetore e depozitave të biznesit në banka ishte 22%. Në shtator të vitit 2017, depozitat e bizneseve arritën në 9.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, përkundrejt 7% që është shënuar në mesataren afatgjatë.

Gjithnjë sipas Bankës së Shqipërisë, kjo nuk do të thotë automatikisht që bizneset janë bërë më të pasura, por as se ato nuk kanë asnjë shans të investojnë paratë e grumbulluara. BSH deklaron, duke iu referuar të dhënave nga ekonomia, se investimet private në vend kanë qenë kontribuuesi kryesor i përmirësimit të aktivitetit ekonomik. Por duhet theksuar se këto investime janë përqendruar në pak sektorë dhe në pak subjekte, pra në ndërtim dhe kryesisht në disa vepra të mëdha të energjetikës, siç janë gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet mbi lumin e Devollit. Ndërkohë që investimet në shumë fusha të tjera ndodhen të bllokuara, pavarësisht se rritja ekonomikë afron me 4 përqindëshin, nxitur pikërisht nga pak investime madhore.

Gjithnjë sipas Bankës së Shqipërisë, kjo situatë mund të shpjegohet edhe me formalizimin e ekonomisë dhe përqasjen më të madhe të bizneseve pranë bankave. Për një periudhë 15-vjeçare, sipas BSH, mesatarisht 72% e depozitave të bizneseve janë likuide, pra që mund të tërhiqen në çdo kohë dhe aktualisht depozitat pa afat të bizneseve përbëjnë 84% të depozitave totale të tyre. Gjithsesi, prania e një shifre të konsiderueshme parash, prej afro 10 përqindësh të PBB-së, të lëna nga subjektet private nëpër banka, nuk mund të përjashtojë një frenim të aftësive të tyre investuese.

Ndoshta është një sasi kaq e madhe parash të depozituara ajo, që e ka nxitur qeverinë shqiptare të promovojë programin e saj të reformave, me vlerë 1 miliard dollarë, në përpjekje për të angazhuar në partneritetin publik-privat paratë e lëna “nën dyshek” nga bizneset, një pasuri shumë e madhe e fshehur, që nuk kontribuon direkt në ekonominë e vendit. Por nuhatja e biznesit privat për kushtet që ofron ekonomia e një vendi për të fituar nuk mund të joshet thjesht me fushata promocionale. Jo më kot, disa nga bizneset më të mëdha po investojnë qindra miliona euro në vendet fqinje. Thithja e kapitaleve “të fjetura” do të ishte me interes të madh për të arritur objektivat e rritjes ekonomikë me ritmet e premtuara prej 4-5 përqindësh. 

dy.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq/ Forcat e Armatosura transportojnë fëmijën e sëmurë nga një fshat i Bulqizës drejt spitalit

Moti i keq/ Forcat e Armatosura transportojnë fëmijën e sëmurë nga një fshat i Bulqizës drejt spitalit