Prej vitit 2004, vihet re një vlerë në rritje e financimit të brendshëm nga qeveritë shqiptare për investime, por kulmi në këtë drejtim është arritur në vitin 2009. Në këtë vit, investimet me financim të brendshëm arritën në 81 miliardë lekë, ku 40 miliardë lekë apo gati 50% e fondeve shërbyen për financimin e ndërtimit të një rruge të vetme - madje një segmenti rruge - Rrëshen-Kalimash. 2005-a ishte vit elektoral dhe pjesa më e madhe e shpenzimeve kapitale shkoi kryesisht për infrastrukturë, që përfundonin me përurime spektakolare dhe që u përqendruan në gjashtëmujorin e parë të vitit, në mënyrë që të mbylleshin para zgjedhjeve. Po si do të jetë politika për këtë vit dhe vitin e ardhshëm, që është edhe ai një vit elektoral? A do të vazhdojnë dhe të çohen deri në fund projektet e mëdha, të tilla si Rruga e Arbërit, segmentet Fier-Vlorë, Fier-Tepelenë, rruga e re Tiranë-Elbasan, apo qeveria do të "copëzojë" fondet e investimeve, në mënyrë që të bëhen sa më shumë përurime në fshatra kudo në vend? Ekspertët e PD Selami Xhepa dhe PS Adriana Berberi sjellin opinionet e tyre lidhur me këtë çështje.
XHEPA I PD: MUND TË SHPALLET NJË EUROBOND I DYTË
Një përqendrim i madh investimesh në një numër të kufizuar projektesh ndikon në rritjen e efektivitetit dhe kjo merr përparësi kur bëhet fjalë për buxhete të kufizuara, siç është ai që ka Shqipëria. Shpërndarja e investimeve publike në më shumë projekte të vogla, që shkojnë deri në nivel komuniteti sigurisht që ka efekte gjithashtu pozitive, si p.sh. redukton varfërinë, krijon më shumë shanse punësimi në zona që mund të jenë më të margjinalizuara. Në kontekstin shqiptar alternativa e parë mbetet alternativa më e mirë, kjo pasi prioritet i jepet modernizimit të infrastrukturës fizike dhe njerëzore të kombit në përgjithësi. Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë të rrezikuara burimet e financimit, por sigurisht në kontekstin e krizës financiare ndikimi do të jetë te kostoja e financimit. Fatmirësisht, gjatë dy viteve të fundit kemi pasur përmirësim të të këtyre termave, pasi një pjesë e financimeve është marrë nga kredi të huaja, por me terma përgjithësisht të buta siç ka qenë ai për ndërtimin e rrugës Tiranë - Elbasan. Në momentin që Shqipëria nuk do të ketë më akses për të marrë kredi me terma relativisht të buta, si ato që kemi marrë nga vendet arabe apo nga bankat europiane të zhvillimit, do të jetë e detyruar të dalë në treg me një eurobond të dytë dhe kjo do të kishte pasoja, pasi norma e interesit është shumë e lartë dhe do të kufizonte mundësitë financiare të buxhetit.
BERBERI I PS: FONDET NUK DUHET TË ADRESOHEN KUTURU
Shqipëria prej disa vitesh kapërceu stadin e përfitimeve të kredive të buta. Ky stad i ri ka anën e vet pozitive sepse lidhet me "fitimin" e një lirie më të madhe në drejtim të menaxhimit të financave publike, por, nga ana tjetër, mbart me vete, si rrezikun e mosmenaxhimit të mirë të "lirisë", ashtu edhe atë të vështirësive që krijohen realisht në sigurimin e financimeve të huaja, kur kostot e huamarrjes rriten ndjeshëm. Copëzimi i fondeve, fillimi i punës në shumë objekte e ka bazën pikërisht te "dëshira" për të kënaqur sa më shumë, pa menduar për vlerën e humbur në fakt nga mospërfundimi në kohë i një investimi në raport me një investim tjetër. Apo edhe për faktin që një investim i tejzgjatur kushton më shumë apo, akoma edhe më keq, kur nga zgjatja në kohë duhet të ribësh punime që më parë i ke kryer, sepse mospërfundimi i plotë i procesit e lë investimin në mëshirë të fatit apo kushteve atmosferike. Rruga, si investim në vetvete nuk mund të sjellë zhvillim, ajo ndihmon në rast se pikat lidhëse të saj kanë se çfarë t'i ofrojnë për tregun. Në kushtet kur kufizimet burojnë edhe nga nevoja për të mbajtur nën kontroll deficitin dhe borxhin publik, adresimi i drejtë i fondeve për investime dhe përqendrimi i përdorimit të tyre në disa objekte, pra jo copëzimi, duhet të jenë parakushte për çdo politikë investimesh në nivel lokal apo kombëtar.