Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, AIDA, asiston direkt biznesin e huaj në tejkalimin e barrierave burokratike dhe rritjen e kapacitetit investues në vendin tonë.
 
Rasti më i fundit është ai i kompanisë italiane të prodhimit të këpucëve “Albaco Shoes”, e pranishme në Shqipëri që nga viti 1993.
 
Falë ndërmjetësimit dhe ekspertizës së Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve në tejkalimin e burokracive, kompania italiane ka tani gati të vërë në zbatim një plan investimi me vlerë 10 milionë euro, duke rritur njëkohësisht numrin e të punësuarve në 2500 nga rreth 1800 punonjës që numëron aktualisht.
 
Përveç zhvillimit të negociatave direkte me investitorë potencialë, një nga objektivat kryesorë të AIDA-s është ofrimi i asistencës për bizneset e pranishme në vendin tonë.
 
Në këtë mënyrë zgjidhja e problemeve do të sjellë jo vetëm rritje të investimeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe shpërndarjen e një imazhi sa më të mirë për tërheqjen e investitorëve potencialë.
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)