Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë është 14.6 për qind më i lartë, ose rreth 5.04 miliardë lekë më shumë. Financimi i brendshëm dhe financimi i huaj janë realizuar përkatësisht në masën rreth 52.6 për qind dhe rreth 55.9 për qind të planit vjetor.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e nëntë të vitit 2017, arritën në rreth 320 miliardë lekë me një realizim në masën rreth 97.8 për qind të planit të periudhës, ndërsa, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë ka rezultuar 11.3 për qind më i lartë, ose rreth 32.5 miliardë lekë më shumë.
Pagat
Si pasojë e rritjes së pagave të administratës, shpenzimet për paga në fund të 9-mujorit 2017 u realizuan në masën rreth 46.4 miliardë lekë, duke qenë 7.5 për qind më të larta se e njëjta periudhë e vitit 2016, me 3.25 miliardë lekë më shumë. Për rrjedhojë, edhe shpenzimet për sigurime shoqërore rezultuan në masën rreth 7.3 përqind më të larta se një vit më parë.
Interesat
Për të paguar interesat e borxheve të marra, në periudhën janar-shtator shpenzimet për interesa kanë rezultuar 16.1 për qind më të ulta, me një kursim nominal në masën rreth 4.13 miliardë lekë. Këtu ka ndikuar ndjeshëm rënia e interest për letrat me vlerë të qeverisë, për për bonot e thesarit, ashtu edhe për obligacionet.
Sigurimet
Sipas Financave, shpenzimet për sigurime shoqërore u realizuan në masën rreth 86.9 miliardë lekë dhe shpenzimet për sigurime shëndetësore në rreth 28.1 miliardë lekë. Kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2016, shpenzimet për sigurime shoqërore janë rreth 5.16 miliardë lekë më të larta, ndërsa shpenzimet për sigurime shëndetësore janë rreth 3.06 miliardë lekë më shumë.
Papunësia
Ndërkohë, shpenzimet për papunësinë për 9-mujorin 2017 janë realizuar në masën rreth 81.9 për qind e planit të periudhës, ose 45.2 për qind e planit vjetor të ndryshuar. Kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2016, shpenzimet për këtë zë rezultojnë me një ulje në masën rreth 49.1 për qind, ose 261 milionë lekë në terma nominalë. Kurse shpenzimet për ndihmën ekonomike dhe pagesën e paaftësisë (PAK) në 9-mujorin 2017 u realizuan në masën rreth 98.1 për qind, ose 283 milionë lekë, më pak kundrejt planit të periudhës. Kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2016 shpenzimet për këtë zë rezultojnë me një rritje në masën rreth 11.5 për qind, ose 1.5 miliardë lekë më shumë në terma nominalë.
Bashkitë
Shpenzimet për Pushtetin Vendor gjatë periudhës 9-mujore kanë përbërë rreth 13.6 përqind të shpenzimeve korente. Kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2016, ky nivel rezulton rreth 11.75 miliardë më i lartë, ose 45.1 për qind më shumë. Kjo rritje vjen në kuadër të përforcimit të rolit të njësive të reja/të riorganizuara të qeverisjes vendore.
d.c.shqiptarja.com